
Personi që shihni në foto është 30-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, pasi u qëllua me armë zjarri nga persona të paidentifikuar teksa ndodhej në automjetin e tij tip "Benz".

Raportohet se 30-vjeçari është kushëriri i Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si "i forti i Vlorës".
Inez Hajrulla është një emër i njohur për policinë, pasi i ka shpëtuar disa atentateve në Vlorë.Ai ka qenë shënjestër e dy atentateve, në vitin 2017 dhe 2019. Po ashtu, Inez Hajrulla ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe është akuzuar për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013.
Mendohet se Kevin Hajrulla ishte shënjëstër e atentatit të djeshëm në Vlorë, ku fatkeqësisht mbeti i plagosur rëndë edhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Policia e Vorës ka ngritur pika kontrolli në disa zona të qytetit, në hyrje dalje. Ndërkohë kontrolle janë duke u ushtruar në disa banesa të ndryshme në qytetin e Vlorës.
Sipas burimeve nga policia në drejtim të automjetit tip Mercedes ku ndodhej 30-vjeçari Kevin Hajrulla janë qëlluar më shumë se 30 plumba.
Dyshohet se kanë qenë dy persona që kanë shtënë në drejtim të 30 vjeçarit, i cili po lufton me jetën në spitalin e Vlorës.

Brenda makinës janë gjendur dy armë zjarri kallashnikov si dhe dy karikatorë. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në vendngjarje të cilat kanë qenë të shumta dhe kanë filmuar të gjithë skenën, por edhe kamera sigurie në itenerarin e autorëve nga lagja "24 Maji" deri në Panaja. Kevin Hajrulla nuk rezulton me të shkuar kriminale, por ai është djali i xhaxhait të Inez Hajrullës i njohur me nofkën Sakati, pjesë e botës kriminale në Vlorë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje