
SPAK kishte kërkuar dënimin me 43 vite në total për 5 anëtarët e grupit kriminal që siguruan kushte e mjete për të kryer atentatin.
Gjykata e Posaçme në një seancë maratonë ku janë lexuar edhe konkluzionet e mbrojtjes, ka dënuar anëtarët e grupit kriminal që akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos njohur si “Rrumi i Shijakut” e ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.
Burime brenda seancës bënë të ditur një pjesë të vendimit, ku në bashkim të dënimeve, Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është dënuar me 6 vite heqje lirie.
Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite, Bashkim Haxhia me 4.8 vite, Endrit Sinani me 4.8 vite dhe Julian Pjetri me 4.4 vite.
SPAK kishte kërkuar dënimin me 43 vite në total për 5 anëtarët e grupit kriminal që siguruan kushte e mjete për të kryer atentatin, por që dënimi konvertohej me zbritjen e 1/3 së tij për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme këta shtetas nga gushti i vitit 2019 kanë nisur ndjekjen, e Ndojt dhe Lahos dhe kanë siguruar armët dhe mjetet për të kryer vrasjen.
Gjithashtu grupi kriminal, pas dështimit të objektivit, kanë siguruar kushte për të kryer vrasje edhe pas atentatit të 1 nëntorit të 2019.
Për këtë ngjarje është dënuar me burg përjetë Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe me 35 vite burg Ariol Halili.
Si ndodhi ngjarja:
Atentati ndaj Arjan Ndoj ndodhi më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Prokurori po udhëtonte me makinë sëbashku me shtetasin Aleksandër Laho, i njohur ndryshe dhe si “Rrumi i Shijakut”. Nga të shtënat, mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndoj, shtetasi Andi Maloku.
Kujtojmë se për këtë ngjarje është dënuar përjetë Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka qenë persona që ka qëlluar me breshëri ndaj makinës së Ndojt.
SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit.
Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithashtu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Lini një Përgjigje