Është dënuar me 22 vite burgim, Astrit Sinanaj, personi që në 6 maj 2017 në Elbasan, vendosi 1 kg tritol C4 poshtë makinës së biznesmenit, Fuad Verzivolli, me qëllim vrasjen e tij.
Sinanaj, është kushëri i Julian Sinanaj, vrasësit me pagesë Julian Sinanaj që tashmë është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 30 vite burgim.
Vendimi për deklarimin fajtor të Astrit Sinanaj, është marrë nga treshja e Gjyqtarëve të Apelit Tiranë, Miranda Andoni, Qemal Zaimi dhe Lutfije Celami, të cilët pas disa seancash maratonë, dolën në përfundimin e dënimit të tij me 22 vite burgim për 4 akuza të rënda si: “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Fillimisht, Astrit Sinanaj, u dënua në muajin korrik 2020, nga gjykata e Elbasanit, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e prokurorit Xhelian Seferaj, duke deklaruar fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim Astrit Sinanaj. Ndërsa Apeli vendosi ti ulë dënimin me 3 vite, duke e deklaruar fajtor dhe dënuar me 22 vite burgim.
Kujtojmë se për Sinanaj, Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 30 vite burgim.
Në momentin e dhënies së dënimit, Astrit Sinanaj ndodhej në sallën e gjyqit dhe ishte i shoqëruar nga punonjës policie, pasi ndodhej me masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak të parashkrimit të afateve të paraburgimit.
Sipas gazetarit Elton Qyno, mësohet se nga ambientet e gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Sinanaj, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Elbasan dhe nga këtej, i është dorëzuar policisë së burgjeve.
Sipas dosjes së prokurorisë, Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin.
Vetë biznesmeni, Verzivolli, objektivi i këtij atentati gjatë dëshmisë në gjykatë deklaroi se sulmi me tritol ndaj tij ishte financuar nga Florenc Çapja, pasi ai nuk ka asnjë njohje me Astrit Sinanaj.
“...Unë kam një mjet Volskëagen dhe e parkoja poshtë pallatit, përballë me turizmin e vjetër. Nuk kam njohje me të pandehurin Astrit Sinanaj dhe Thanas Thoma dhe nuk kam konflikte me to, nuk i kam parë as si fytyra këta persona dhe s’kam asnjë konflikt në Elbasan. S’e di mekanizmin se si ka ndodhur ngjarja, atë e di Astriti. Sinanaj është strehuar në shtëpinë e Gent Kllogjerit dhe aty besohet se ka ndërruar dhe rrobat, për të fshehur gjurmët. Astrit Sinanaj nuk ka asnjë gjë me mua, por ai për këtë akt kriminal do merrte lekët, të tregojë se kush do ja jepte lekët. Lekët do i merrte nga Florenc Çapja dhe nga burgu ai ka dalë në 4 prill. Ky as me njeh as e njoh. Bëjnë plane të bukura. Ka marrë lekët dhe kështu i ka bërë planet...”, ka deklaruar në gjykatën e Elbasanit biznesmeni Verzivolli.
Aktualisht prej gati 1 viti, vetë Fuad Verzivolli, ndodhet i arrestuar nga SPAK, pasi akuzohet për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale.
Lini një Përgjigje