44-vjeçari Sajmir Kolaveri është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Sipas Policisë së Shtetit, ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, i cili synon lokalizimin, arrestimin dhe kthimin në vend të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndaj Kolaverit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, dyshohet se më 5 gusht 2020, ai ka bashkëpunuar me anëtarë të një grupi kriminal në vrasjen e shtetasit Klevis Lleshi, krim i kryer për motive gjakmarrjeje. Pas ngjarjes, sipas akuzës, Kolaveri ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe fshehjen e trupit të viktimës, i cili dyshohet se është varrosur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
44-vjeçari Sajmir Kolaveri tashmë do të përballet me organet e drejtësisë shqiptare për akuzat e ngritura ndaj tij.
Lini një Përgjigje