
Policia e Korçës ka reaguar pas shpërndarjes virale në rrjetet sociale të një videoje ku shfaqej një automjet i uniformave blu duke lëvizur në sens të kundërt të drejtimit në qytetin e Pogradecit.
Pas shqyrtimit të pamjeve, autoritetet njoftuan se efektivi që drejtonte automjetin shtetëror është ndëshkuar me gjobë dhe i është pezulluar leja e drejtimit.
Sipas Policisë, për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 12 të nenit 7 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative prej 10 000 lekësh, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.
Policia bëri me dije se veprimi i ndërmarrë synon të garantojë respektimin e ligjit nga të gjithë efektivët dhe të shmangë raste të ngjashme në të ardhmen.
Lini një Përgjigje