TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Dhjetor 2025, 09:17

Festat e fundvitit, Policia e Shtetit publikon planin e masave; në gadishmëri edhe forcat RENEA

Shkruar nga Pamfleti

Festat e fundvitit, Policia e Shtetit publikon planin e masave; në

Policia e shtetit ka publikuar planin e masave lidhur me garantimin e rendit dhe sigurisë, përgjatë festave të fundvitit dhe në ditët e para të Vitit të Ri 2026. Referuar planit të masave, trupa policore do të kalojë në shërbim të përforëcuar, ndërsa në gadishmëri për të vepruar ndaj situatave të rrezikshme do të jetë edhe forcat RENEA.

Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Lini një Përgjigje