TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Dhjetor 2025, 09:16

Shkatërrimi i bandës kriminale në Greqi, si ranë në grackën e policisë 12 të arrestuarit

Shkruar nga Pamfleti
Shkatërrimi i bandës kriminale në Greqi, si ranë në
Foto nga operacioni i policisë në Greqi

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me shkatërrimin e bandës kriminale të trafikimit të drogës që vepronte në Atikë, ku mes të arrestuarve përfshiheshin edhe të mitur.

Sipas autoriteteve, rrjeti funksiononte me hierarki të qartë, disiplinë të rreptë dhe përdorim sistematik të kërcënimeve dhe dhunës, ndërsa shitjet e drogës kryheshin edhe brenda shkollave.

Rasti u zbulua pas një operacioni të Policisë Helenike të zhvilluar të enjten, më 18 dhjetor, gjatë të cilit u arrestuan 12 persona, gjashtë prej tyre të mitur. Paralelisht, policia ka identifikuar edhe shtatë persona të tjerë që shpallen në kërkim.

Hierarkia dhe organizimi i rrjetit

Sipas dosjes hetimore, drejtuesi i grupit dyshohet të jetë një 20-vjeçar i huaj me nofkën “Fratelo”, ndërsa zëvendësi i tij ishte një 19-vjeçar grek i njohur si “Zoumbo”. Anëtarë të tjerë të rrjetit vepronin me pseudonime si “Kontos”, “Pipis” dhe “Nitse”.

Një park në zonën e Patission ishte zgjedhur si pikë kryesore takimi dhe koordinimi, i koduar nga anëtarët me emrin “Kitsou”, ku jepeshin udhëzime dhe caktoheshin detyrat.

Shkatërrimi i bandës kriminale në Greqi, si ranë në

Shitje përmes rrjeteve sociale dhe çmime të përcaktuara

Komunikimi mes anëtarëve realizohej kryesisht përmes Instagram dhe aplikacionit Signal. Sipas hetimeve, droga e shitur ishte kryesisht kanabis dhe kokainë, me çmime që varionin rreth 10 euro për gram kanabis dhe 50 euro për gram kokainë.

Hetimi nisi pas një ankese dhe vijoi me përgjime telefonike, vëzhgim fizik dhe analizë të të dhënave, duke çuar në identifikimin e të paktën 263 transaksioneve droge.

Veçanërisht shqetësuese janë dialogët e regjistruar mes drejtuesve të rrjetit dhe anëtarëve të mitur, ku dokumentohen kërcënime, shantazhe dhe urdhra për zbatim të menjëhershëm, edhe gjatë orarit shkollor.

Në disa biseda, drejtuesit kërkojnë dorëzimin e parave nën kërcënimin e dhunës, ndërsa në të tjera negociohen sasi dhe çmime droge, madje edhe me “oferta speciale”.

Sipas hetimit, rrjeti zbatonte rregulla të ashpra disiplinore. Dënimet përfshinin gjoba, rrahje dhe akte poshtërimi, të cilat në disa raste regjistroheshin dhe publikoheshin në rrjete sociale. Në materiale të tilla, të mitur shfaqen duke u keqtrajtuar dhe kërcënuar për të shërbyer si “shembull” për të tjerët.

Autoritetet zbuluan se droga shpërndahej në shkolla në zonat e Nea Filadelfias, Nea Halkidonës dhe Ano Patisias, si dhe në zonat përreth tyre. Në një rast, dy të mitur transportuan drogë gjatë një ekskursioni shkollor në Hania.

Gjithashtu, në bisedat e përgjuara, anëtarët e rrjetit diskutojnë mënyra për pastrimin e parave përmes kompanive të basteve, me synimin që të ardhurat e paligjshme të paraqiteshin si fitime nga lojërat e fatit.

Ndaj të arrestuarve është ngritur çështje penale për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës dhe përfitim financiar të paligjshëm. Po ashtu, u arrestuan pesë persona që kishin përgjegjësi prindërore për të miturit, të akuzuar për neglizhencë në mbikëqyrje.

banda kriminale 12 te arrestuar greqi gracka e policise

1 Komente

  1. A
    Anonim

    Ne burg pa limit ☝️ i vrane femijet i vrafte zoti ????

    Lini një Përgjigje