
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e SPAK, teksa kjo e fundit e akuzon ish nëndrejtorin e policisë së Tiranës Erzen Breçani për 2 akuza ‘pastrim parash’ dhe për përkrahje të autorëve të krimit.
Akuza e pastrimit të parave është ngritur pasi dyshohet se 350 mijë euro të ardhura nga trafiku drogës janë investuar në HEC-in Drita.
Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Breçani komunikon me të birin, i cili akuzohet për trafik droge, me aplikacionin SkyECC.
Në një bisedë të datës 18 gusht 2020 Erzeni i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar.
Gati një muaj më pas, në bisedën e 20 shtatorit 2020 Ora 20:05 Breçani komunikon me Eralbin (në sky i identifikuar me kodin S7DEGI) kuptohet që Eralbi ka premtuar një sasi parash të cilat ende nuk i ka marrë Breçani dhe si zgjidhje pyet Eralbin nëse duhet ti thotë Fatbardhit për të marrë një kredi, ku paratë dyshohet se nevojiten për ndërtimin e hidrocentralit.
Ai i shpreh edhe shqetësimin që platforma Sky ECC mund të përgjohet dhe tregon që ka patur dikë që e informonte po nuk i ka ardhur në takim dhe madje në një moment i kërkon të bëjë dhe kujdes pasi po përgjohet.
Tre ditë më pas në bisedën e 23 shtatorit 2020 në orën 19:57:28, Erzen Breçani (në sky i identifikuar me kodin K9B9EP) komunikon me Eralbin dhe e pyet nëse i ka bërë llogaritë, ku lë të kuptohet që Eralbi do mbyllte llogari me dikë tjetër për të cilin Erzeni ka dijeni.
Erzeni i tregon se nevojiten 300 mijë Euro për këstin e turbinave, të cilat dyshohen se nevojiten për hidrocentralin, dhe këto para është me shpresë që do i gjejë Eralbi, pasi në një moment dërgon tekstin:
“Ishalla po i ban 300...o ishalla delni me sukses e mbyllni ket pun o zot e rrin i ëet ma se boll...nuk po më interesojn aq o bir po thuj atij te na bajn qet 300 kto dy tre dit...mir asht me i ba pa luanin e ervinin... ".
Vetë Erzeni i kërkon të birit ti gjejë vetë paratë pa ia kërkuar këto kunatit, Ervin Matës, apo të atit të Ervinit, Luanit, i cili është dhe vjehrri i Eralbit. Eralbi është martuar me motrën e Ervin Matës.
Shtetasi Erzen Breçani dërgon mesazhet: “.... Ca bat si nuk ktheve pergjigje...A bat llogarit...Po si dulet...A kini noj kg pa e marue...Po kur a ka i ban cka tha...Ta dim se jam met pa pague sen...E kem me pague kestin e turbinave e tubat qe bajn te dyja rreth 300 mij euro...Ishalla po i bæn 300...O ishalla delni me sukses e mbyllni ket pun o zot e rrin i qet ma se boll...Nuk po me interesojn aq o bir po thuj atij te na bajn qet 300 kto dy tre dit...Ban cka te duesh si ta mendosh ma mir...Mir asht me i ba pa luanin e ervinin...Cfar jan ky biznes...Po lekt tua kur ti japin apo i ka harrue...Biles per ket hall qe na ra ishte dasht me ti dhan... Po jan piramid krejt... Kurr me miq mos punon mos ban biznes se nuk ec... Qysh e pat emnin qajy qe ta ka dhene kete placke n...Se nuk e majta men...A ka pas dijeni ky qe eshte mrena per gjanat e tuja qe i ke pas me ate shokun tend... Se po e pyet kush dhe zberthehet kollaj se ai flet shum ky elio..." thuhet në dosje.
Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit ndërsa në vitin 2022 shoqërisë me administrator vëllain e Erzenit Ftabardh Breçani, i është pezulluar aktiviteti.
“Dyshohet se ka marrë para nga Eralbi Breçani të një sasie prej 350 mijë euro, me dashje dhe në dijeni të plotë që burojnë nga aktiviteti i jashtëligjshëm i trafikimit të narkotikëve dhe i ka injektuar në biznes duke ju shmagur raportimit në institucionet përkatës, element i rëndësishëm i veprës penale "... fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale...." shkruhet në faqen 89 të vendimit të GJKKO-së të datës 17 nëntor 2023.
Po kështu Breçani akuzohet për ‘përkrahje të autorëve të krimit’ pasi i ka dhënë informacion Bujar Ajetit dhe Nuredin Dumanit që t’i shmangeshin arrestit. Me Bujar Ajetin i njohur si i forti i Kukësit dikur Erzen Breçani ka qenë me të në forcat RENEA, ndërsa Nuredin Dumanin duket që e ka njohur përmes Bujarit.
Më 23 nëntor GJKKO dha masën e sigurisë 'arrest me burg' për Erzen Breçanin, Dedan Gjonin dhe Bujar Gërmizi, si dhe Besmir Murati, i lidhur ngushtë me Gërmizin.
Lini një Përgjigje