
Enver Diva është përplasur me Nuredin Dumanin gjatë seancës së sotme teksa e ka pyetur të penduarin e drejtësisë: "Pse s’tregon për çantën me lekë që të dhanë 2 deputetët për vrasjen e Talo Çelës?"
Ka vijuar me debate dhe tensione seanca gjyqësore në GJKKO, ku po rrëfehet i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, për dosjen “Plumbi i artë”.
Dumani u shpreh për vrasjen e vëllait të Talos nuk ka marrë asnjë lek.
“Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje, pasi u vra Klevis Kapllani, lekët për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë, me një makinë, pagoi Erjon Alibej”, tha Dumani.
I pyetur nga avokatët se çfarë pseudonimesh ka përdorur në PIN-et e SKY ECC për të cilat tha se ka pasur disa, teksa tregoi tre prej tyre.
“Kam pasur disa pine. Pseudonimet kanë qenë: Covid19, Alcatraz, Toto Rina. Vetëm në SKY kam përdorur Covid19 dhe Toto Rina”, iu përgjigj Dumani avokatit.
I arrestuari Enver Diva gjithashtu dha dëshmi në seancë, ku u shpreh se takoi në një rast dy biznesmenë dhe dy deputetë në lokal, që i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë e duam të vrarë.
“Nuredin Dumani takoi 2 biznesmenë dhe 2 deputetë në një lokal, i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë ‘e duam të vrarë’, pse nuk i tregon ky këto...?!”, tha ai.
Por Nuredin Dumani kundërshtoi në sallë.
“Nuk është e vërtetë kjo”, reagoi i penduari.
Kujtojmë se gjatë seancës së sotme, Dumani tregon edhe pazaret e vrasjeve. Sipas tij nuk ka pasur radhë, por kush ishte më i lehtë vritej i pari. Ai rrëfeu gjithashtu edhe njohjen e tij me Erion Alibej dhe sesi u kontraktua prej tij për të kryer disa nga vrasjet e bujshme që tronditën Elbasanin.
I penduari i drejtësisë ka rrëfyer dhe konfliktet me Talo Çelën, të cilin dikur e kishte mik, por i ekzekutoi vëllain në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Nuredin Dumani ka rrëfyer se si dhe pse vrau Bujar Çelën.
Dumani ka rrëfyer të tjera detaje nga aktiviteti kriminal i tij dhe i organizatave të tjera, kryesisht në sagën e vrasjeve të kryera me pagesë apo për shkak të konflikteve që kishte.
Një prej këtyre detajeve është edhe njohja me Suel Çelën, kreun e klanit me të njëjtin emër në Elbasan, që hetohet dhe akuzohet në SPAK, teksa është ende në kërkim.
“Suel Çela me çoi në aplikacionin “MATRIX” me foto një procesverbal të një dosjeje hetimore, ku Xhuljan Hoxha dilte lidhje e grupit Çapja. Do ta shikoni kur të hapet MATRIX!”, tha ai, duke hapur një temë të nxehtë që ka lidhje me platformat e enkriptuara që përdorin organizatat kriminale, përveç SKY ECC.
Dumani dha edhe detaje për bisedat në aplikacionet e koduara, duke pohuar se i kishte pasur të trija.
“Kam pasur SKY ECC dhe Matrix, dolën pastaj edhe “BQ”, un i kam dhënë Prokurorisë gjithë pinet dhe pseudonimet e mia”, tha Dumani.
Lini një Përgjigje