
Policia ka vendosur në pranga 3 të rinj pasi akuzohet se shpërndanin doza kokaine dhe kanabisi, ndërsa në pamjet e publikuara shihet lënda narkotike e vendosur brenda një valixheje.
Sipas policisë, janë arrestuar shtetasit: Leonidha Fane, 28 vjeç, Ersi Leka, 29 vjeç, dhe Engjell Dosti 31 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të rinjve, kontrollit në automjetet dhe në banesat e tyre janë gjetur kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve. Si rezultat, janë arrestuar shtetasit:
L. F., 28 vjeç dhe E. L., 29 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se shitnin doza të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme në Tiranë;
E. D., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se shiste doza të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme në Vorë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, kontrollit në automjetet dhe në banesat e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Lini një Përgjigje