Kamber Sulçaj, vrasësi i italianit Edoardo Sarchi në Tepelenë është shoqëruar nga avokati i tij.
Është vetëdorëzuar në polici autori i ekzekutimit të biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë.
Mësohet se Kamber Sulçaj është dorëzuar ditën e sotme në polici, i cili akuzohet si autor i vrasjes së biznesmenit, ngjarje e ndodhur në 27 shtator.
48-vjeçari nga fshati Mesaplik i Vlorës u dorëzua në Policinë e Gjirokastrës, së bashku me armën e krimit, pas negociatave me Policinë. Ai është shoqëruar nga avokati i tij.
Kamber Sulçaj dhe familjarë të tij nuk janë emra të panjohur për drejtësinë. 48-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë, rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur ‘Stone Quramenga”.
Në këtë gurore është aksioner me 25%, së bashku me babanë e tij Delo Sulçaj, i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve. Në këtë gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me familjen Sulçaj.
Përpos aksioneve në gurore, Kamber Sulçaj posedon edhe një stan me bagëti.
Ndërkohë, në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestuan vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.
Kujtojmë se më herët, policia njoftoi zyrtarisht se gjatë kontrolleve në banesën e 48-vjeçarit dhe banesat e familjarëve të tij në Vlorë, policia gjeti edhe 450 fara kanabisi.
Si ndodhi ngjarja?
44-vjeçari Edoardo Sarchi ishte duke darkuar me mikun e tij Eqerem Braçin në shtëpinë e tij të pushimit në Salari, bashkë me djalin e Braçit, Gazmentin. Ky i fundit ka dalë pas darke me 2 automjete për gjueti, por rrugës ka hasur Kamber Sulçajn, një pronar të një stani aty afër.
Sulçaj i ka ndjekur makinat, ku ndodhej djali i Braçit, të cilit, duke u afruar pranë shtëpisë në Salari i ka rënë goma e automjetit dhe kanë kërkuar ndihmë nga babai i tyre të cilin e kanë marrë në telefon.
Eqeremi dhe biznesmeni italian kanë dalë menjëherë me dy makinat, por rrugës kanë rënë nën breshërinë e plumbave të Kamber Sulçajt, i cili ka përdorur një armë gjahu me dylbi.
Plumbi që i mori jetën Sarchit ka qenë rikoshet, por për shkak se kapi arterien kryesore në këmbë, shkaktoi gjakderdhje fatale. Duke iu referuar hetimeve, autori ka qëlluar për 15-20 minuta, ndaj synimi i tij ka qenë për të vrarë, jo për të trembur. Kamber Sulçaj rezulton person me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë.
pu pu skenar dhe hollyvudi do ta kish zili