Dorëzohet në polici autori i vrasjes që tronditi Kavajën. Mësohet se Habib Rexha, i cili qëlloi për vdekje Arian Gosën është paraqitur në komisariatin e policisë duke u dorëzuar para autoriteteve.
Ngjarja ndodhi më 21 maj, ku Gosa u qëllua me plumb në kokë në sy të babait të tij, me të cilin kishte dalë për të pirë një kafe.
Më pas Rexha u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë. Motivi pse 31-vjeçari ka ndërmarrë këtë akt të rëndë është hakmarrja. Dy muaj më parë, vëllai i Gosës dhe vëllai i tij u konfliktuan me njëri-tjetrin në mes të Kavajës dhe të dy mbetën të vrarë.
Armand Gosa u konfliktua me Altin Rexhën ku të dy humbën jetën, njëri i qëlluar me armë dhe tjetri me thikë. Pas një sherri për motive banale, Gosa qëlloi me thikë 43-vjeçarin Altin Rexha me origjinë nga Kukësi ndërsa ky i fundit iu përgjigj duke e qëlluar me një pistoletë që mbante me vete. Si pasojë e plagëve të marra, të dy personat e përfshirë në konflikt, ndërruan jetë në spital. Ata u zunë për një konflikt me motive krejt banale, se përse kishin parë shtrembër njëri-tjetrin.
Por edhe pse ngjarja u mbyll me 2 viktima nga të dyja palët, 31-vjeçari Habib Rexha ka vendosur të hakmerret edhe më shumë duke vrarë edhe vëllain e Armand Gosës.
Policia kishte dyshime se ai kishte dalë jashtë shtetit, por Rexha është dorëzuar duke shkuar vetë në komisariat. Mësohet se ia gjatë dy ditëve ka pasur kontakte me familjen. Familjarët kanë arritur ta bindin që të dorëzohet në polici. Lidhur me ngjarjen reagoi dhe policia.
"Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se:
Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi. Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje