TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Qershor 2026, 13:30

E rëndë në Lezhë/ 57-vjeçarja vret nënën, mjekja e regjistroi si vdekje natyrale

Shkruar nga Pamfleti

E rëndë në Lezhë/ 57-vjeçarja vret nënën,

Pas më shumë se një muaji hetime, Policia zbuloi se 85-vjeçarja në Fushë-Mamurras nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrale, por dyshohet se ishte vrarë me thikë nga vajza e saj 57-vjeçare, ndërsa u procedua edhe mjekja që e kishte regjistruar vdekjen si natyrale.

Një vdekje e raportuar fillimisht si natyrale ka rezultuar të jetë një krim brenda familjes. Policia e Lezhës ka arrestuar një 57-vjeçare në Fushë-Mamurras të Kurbinit, e dyshuar për vrasjen e nënës së saj 85-vjeçare.

Ngjarja daton më 30 prill 2026, kur e moshuara ndërroi jetë në banesën ku jetonte me vajzën e saj Violeta Shpani. Në atë kohë, rasti nuk u referua në polici dhe vdekja u regjistrua si natyrale.

Dyshimet për një ngjarje kriminale lindën pas informacioneve të siguruara nga Policia e Lezhës, e cila ngriti një grup të posaçëm hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë. Verifikimet dhe veprimet hetimore zbuluan se 85-vjeçarja Dave Shpani nuk kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por si pasojë e plagëve të shkaktuara me një mjet prerës.

Nga hetimet ka rezultuar se autorja e dyshuar është vajza e viktimës, e cila jetonte në të njëjtën banesë me të ëmën. Sipas policisë, ajo vuante edhe nga probleme të shëndetit mendor.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Enigma”, 57-vjeçarja u vu në pranga për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hetuesit sekuestruan edhe thikën që dyshohet se është përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale.

Ndërkohë, në lidhje me rastin është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një mjeke, e identifikuar me inicialet A. Ll. Sipas policisë, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe pa njoftuar autoritetet ligjzbatuese.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë pasur dijeni ose përfshirje në rast.

"Zbardhet një ngjarje kriminale, vrasje në familje, e ndodhur në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin.

Dyshohet se ka vrarë nënën e saj me mjet prerës (thikë), vihet në pranga 57-vjeçarja Violeta Shpani.

Procedohet penalisht edhe një shtetase (mjeke), e cila ka plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk ka raportuar në Polici rastin.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë siguroi të dhëna në rrugë operative se në fshatin Fushë Mamurras kishte ndërruar jetë një 85-vjeçare më datë 30.04.2026, duke u pretenduar vdekje natyrale dhe pa u raportuar në Polici.

Nga të dhënat e siguruara nga Policia lindën dyshime të arsyeshme për një ngjarje kriminale.

Bazuar në informacionet e siguruara, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë nisi menjëherë veprimet verifikuese dhe hetimore në lidhje me rastin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë), ndërsa si autore e dyshuar e ngjarjes rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetases V. Sh., 57 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras, e dyshuar si autore e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), si dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Gjithashtu, janë referuar materialet procedurale në gjendje të lirë për shtetasen A. Ll., mjeke, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, e cila ka plotësuar aktin e vdekjes, duke e cilësuar si vdekje natyrale dhe duke mos e raportuar në Polici vdekjen e 85-vjeçares.

Në bashkëpunim me Prokurorin vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe, nëse ka persona të tjerë të përfshirë, për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore", thuhet në njoftimin e policisë.

Lini një Përgjigje