Një rrëfim i rëndë ka dalë në dritë në sallën e gjyqit për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ku i pandehuri, 24-vjeçari Mark Samson, ka pranuar për herë të parë se e kishte goditur me grushte para se ta vriste.
Pas disa orësh marrje në pyetje, ai ndryshoi versionin e mëparshëm, duke pranuar dhunën fizike ndaj ish-të dashurës së tij. “E godita në fytyrë me grusht, nuk e di sa herë. Bërtiti pak”, deklaroi ai.
I riu u përpoq fillimisht të zbusë përgjegjësinë, por më pas pranoi se kishte vepruar nën ndikimin e zemërimit të akumuluar. “Kisha shumë zemërim të mbledhur, nuk di çfarë më ndodhi”, tha ai.
Sipas dëshmisë, konflikti kishte nisur pas zbulimit të bisedave të vajzës me persona të tjerë, ndërsa marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar prej kohësh. Ai pranoi gjithashtu se kishte gënjyer vazhdimisht për jetën e tij personale dhe akademike, çka kishte çuar në prishjen e lidhjes.
“Është e vërtetë, i kam treguar shumë gënjeshtra. Nuk ishte e vërtetë që po merrja dy diploma dhe as që kisha mesatare 27. Ajo e kishte zbuluar. Më tha se i kisha thënë gjithmonë të pavërteta dhe më ktheu unazën dhe letrën e fejesës”, tha autori.
Ai pranoi se pas kësaj marrëdhënia ndryshoi: “Nga ai moment gjithçka ishte ndryshe. Ajo donte më shumë liri, të merrte frymë. Më tha se ishte regjistruar në Tinder”.
Në sallën e gjyqit, prokuroria paraqiti edhe foto të fytyrës së dëmtuar të viktimës, ndërsa momentet e dëshmisë rezultuan të papërballueshme për familjarët. Babai i 22-vjeçares u largua i tronditur nga salla, i ndjekur nga nëna.
I pandehuri pranoi se kishte aksesuar fshehurazi llogaritë personale të vajzës dhe kishte shprehur edhe më herët sjellje kërcënuese ndaj saj.
“Doja që të më thoshte të vërtetën. I thashë një shoku: e mbyt në akuarium nëse nuk ma thotë”, tha ai, duke zbuluar edhe tensionin që kishte paraprirë ngjarjen.
Mark Samson ka deklaruar se kishte pasur një marrëdhënie intime me të më 25 mars, por kjo është vënë në dyshim nga prokurorja, pasi pak më parë ata ishin ndarë dhe ai kishte vendosur të flinte në divan, ndërsa ajo kishte shkuar në shtrat.
Ai ka treguar gjithashtu se atë mëngjes i kishte çuar mëngjes në shtrat, duke i dërguar një tabaka me një thikë, mortadelë dhe kafe. Por për mortadelën nuk është gjetur asnjë gjurmë,e as për tabakanë ndërsa sipas shoqeve, Ilaria nuk hante asgjë në mëngjes. Prania e thikës është e sigurt, pasi ajo rezulton të jetë arma e krimit.
Disa elementë të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga prokuroria, përfshirë detaje mbi momentet e fundit para krimit dhe rrethanat e sakta të vrasjes./ Corriere della Sera
Pa merak se keshtu me femrat qenke gangster . Do e shohesh mire atje brenda fuqine qe ke