
Në GJKKO po dëgjohet dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, që bashkë me Nuredin Dumanin akuzohen për dhjetëra krime, atentate, me motiv hakmarrjen ndaj grupeve të tjera, apo edhe për pagesë e llogari të organizatave të ndryshme kriminale.
Alibej ka dëshmuar se këtë rrugë e nisi vetëm për t’u hakmarrë për gjakun e vëllait të tij të vrarë më 2018 në “Masakrën e Bradasheshit” në Elbasan, xhaxhait dhe mikut turk. Me Dumanin e lidhën interesat e përbashkëta pasi kishin të dy armik Talo Çelën, përpos vëllai i Dumanit dyshohej i përfshirë në vrasjen e Endrit Alibejt dhe dy të tjerëve.
Ai tha se kishte marrë Dumanin në Elbasan për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën ndodhej ky i fundit në zonën e Spillesë. Për këtë qëllim, Alibej pretendon se kishte blerë një banesë në Elbasan dhe e kishte strehuar Nuredin Dumanin.
“Klevis Allën nuk e kam takuar asnjëherë. Në atë periudhë, Nuredini ishte i pasigurt nëse Klevisi kishte folur apo jo për të.
Vendosa të marr Nuredinin në Elbasan, sepse kisha merak për të, mos i ndodhte gjë në Spille ku nuk kishte kushte. Bleva një shtëpi në Elbasan, pasi nuk po gjeja më me qira, dhe ia mora në emër të Sander Bahos. Kemi marrë informacion që Talon e strehonte Abedin Mama. Po bënim vëzhgime dhe Nuredini më tha që kishte angazhuar ‘çunat e Fushë-Krujës’, vetëm me emrat Besi dhe Veri. Ata kishin shkuar te një pulëtorja për të kërkuar Talon", deklaroi ai.
Erion Alibej ka rrëfyer edhe sesi mësoi që Rigers (Regis) Runaj, i vrarë në verën e vitit 2020 në kuadër të zinxhirit të hakmarrjes, spiunonte lëvizjet e familjes së tij gjithë kohës. Afërsia e banesave në Elbasan ia mundësonte këtë aktivitet.
"Nga fundi i prillit, më kontaktoi një djalë me emrin Endri Karaj, i cili më tha se donte të fliste me mua në emër të Xhuljan Hoxhës. I thashë se nuk isha në Shqipëri, megjithëse isha në shtëpi në Elbasan. Më vonë, kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën, i cili më dërgoi foto dhe më tha që Rigers Runaj po i jepte të gjitha informacionet. Më tha se Runaj ishte afër shtëpisë sime. Unë nuk e zgjata shumë bisedën dhe i thashë që kur të kthehem në Shqipëri do ta takoj fizikisht", tha Alibej.
Lini një Përgjigje