
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me shpërthimin me tritol që i mori jetën biznesmenit Armandi Nelaj në Sarandë.
Rezultatet e analizave në Laboratorin e Policisë Shkencore konfirmuan pak kohë më parë se shpërthimi që i mori jetën biznesmenit Armandi Nelaj në Sarandë ishte i shkaktuar nga lëndë shpërthyese, tritol. Në hetimet e mëvonshme të policisë u hetua një konflikt i vazhdueshëm që Nelaj ka pasur me një tjetër konkurrent që bën linjën detare Sarandë-Korfuz, Finikas Lines, e cila është në pronësi të Andrea Qirjakos.
Hetuesit dyshojnë se lëndën plasëse do t’i vinin kësaj anije, por ka plasur rrugës duke shkuar për atje, informoi sot gazetari Sokol Dema.
Ndërkohë është publikuar edhe fotoja e shokut të biznesmenit Nelaj, Eridion Muho i cili është arrestuar.
“Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi Erdion Muho, 35 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Armandi Nelaj kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armandi Nelaj”, njoftoi policia më 29 korrik 2024.

Lini një Përgjigje