Biznesmeni do i vinte eksploziv një anije që bënte linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Është zbardhur vdekja e biznesmenit Armandi Nelaj në Sarandë.
Policia e Sarandës njofton se biznesmeni bashkë me shokun e tij do i vinte eksploziv një anije që bënte linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Të dy mbrëmjen e 24 qershorit kishin marrë lëndën eksplozive, kishin hipur në një varkë të vogël dhe janë nisur drejt anijes ‘Finikas Lines’. Mirëpo, eksplozivi i ka plasur aksidentalisht biznesmenit, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shoku i tij Eridon Muho.
"Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.
Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Armandi Nelaj ishte biznesmen prej 13 vitesh, pronar i një kompanie të mjeteve të rënda të ndërtimit.
Teksa të gjithë ishin duke ndjekur ndeshjen mes Spanjës dhe Shqipërisë, Saranda u trondit nga një shpërthim shumë i fuqishëm në port. Fillimisht u tha për shpërthimin e një bombole oksigjeni që përdoret për zhytje dhe kishte një të plagosur, mirëpo në kuadër të hetimeve u shtuan dyshimet se mund të kishim të bënim me një ngjarje aksidentale.
Viktima ushtronte zhytjen dhe u gjet nga dy shtetas të huaj, të cilët udhëtonin me një gomone drejt skafit të tyre. Këta dy persona e kanë nxjerrë menjëherë nga uji dhe e kanë transportuar drejt Portit të Sarandës, ku më pas është marrë nga ambulanca për ta dërguar në spital. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, biznesmeni nuk ka arritur të mbijetojë.
Lini një Përgjigje