
SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit burg për Dritan Lleshin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai mund të vuajë maksimumi 8 muaj heqje lirie.
Lleshi dyshohet se i ka marrë 400 mijë lekë një familjeje, duke i premtuar se do i fuste djalin në punë si inspektor mjedisi në Fier.
Sipas një kallëzimi, në vitin 2019, i pandehuri Dritan Lleshi, i njohur prej tij me emrin Dritan Ndreca, me origjinë nga Puka, ose Laçi, banues në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë i ka premtuar A.M, bashkëshortes së A.N, punësimin e djalit të tyre, E.N si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt shumës prej 400.000 lekësh.
I pandehuri i ka thënë se kishte një vëlla në Tiranë, me emrin P.N, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme dhe përmes tij do të ndërhynte që djali i kallëzuesit të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose Lushnjë. Sipas planit të prezantuar prej të pandehurit Dritan Lleshi, , kjo do të realizohej në muajin qershor të 2019, kohë kur A.N i ka dorëzuar edhe një kapar prej 200.000 lekësh Dritan Lleshit, i cili më pas e shtyu mundësinë për punësim në shtator të të njëjtit vit.
Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se shtetasi A.N, i punësuar në një njësi të shitjes së karburantit, është paraqitur më datën 8.10.2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë, në fshatin Gorre të Lushnjës dhe ka bërë një kallëzim.
Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lleshi, me lidhje familjare me P.N (djali i xhaxhait), ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka paraqitur konkluzionet përfundimtare para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në ngarkim të të pandehurit Dritan Lleshi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Në bazë të kësaj dispozite, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e tij me një vit burg, por sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale u propozua ulja e dënimit me 1/3, në 8 (tetë muaj).
Gjykimi i të pandehurit vjen pas vendimit me nr.717, i datës 14.10.2024, për shpalljen e moskompetencës lëndore të procedimit penal nr.586, të vitit 2020, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier si dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur procedimin penal 16/2025, në ngarkim të shtetasit A.N për veprën penale : Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Lini një Përgjigje