Policia dyshon se janë të përfshirë 3 autorë, ku njëri ka qëlluar, një tjetër ka qenë për mbështetje dhe shoferi...
Zbardhet dinamika e plotë e atentatit në “Don Bosko” ku mbetën të plagosur dy persona. Sipas të dhënave të policisë, Kastriot Elezi 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç, kanë qenë duke pirë kafe në ambientet e jashtme të një lokali, shumë pranë rrugës. Ata të dy dyshohet se kanë lidhje shoqërore mes tyre.
Në një moment pranë tyre afrohet një makinë “Volkswagen Golf 5”dhe nga brenda saj është qëlluar plot 7 herë. Plumbat kanë kapur në gjoks dhe krah 45-vjeçarin, ndërsa 22-vjeçari ka marr një plumb në këmbë.
Më pas autorët janë larguar me shpejtësi dhe automjeti u gjet i djegur në zonën e Institutit po në Tiranë. Brenda makinës u gjet një armë zjarri, që dyshohet e përdorur në atentat. Policia dyshon se janë të përfshirë 3 autorë, ku njëri ka qëlluar, një tjetër ka qenë për mbështetje dhe shoferi. Makina rezulton me targa të rregullta, por i është ndryshuar numri i shasisë. Kamerat e sigurisë të lokalit dhe në zonë kanë kapur të gjithë dinamikën e atentatit.
Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dha më tepër detaje në një deklaratë për mediat.
“Kemi ngritur një grup të posaçëm hetimor që po mbledh të gjitha provat që do ti shërbejnë hetimit. Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonat për kamerat e sigurisë. Po kështu, në territorin e komisariati numër 5 është gjetur një mjet, që ka përputhshmëri me atë të autorëve. Targat nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Vazhdojnë hetimet. Janë sekuestruar 7 gëzhoja nga një armë zjarri, nuk e kemi përcaktuar tipin e armës. Në automjet është gjetur një armë zjarri që po ekzaminohen. Ishin në të njëjtën tavolinë, janë lidhje shoqërore. Nuk është kamarier. Kanë qenë duke pirë kafe në verandën e lokalit. Për objektivin nuk mund ta themi, nga hetimi besoj se do të rezultojë.
Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë dhe drejtuesin e mjetit. Jemi duke analizuar çështjen, njëri prej tyre ka precedent kriminal. Jemi duke hetuar backgroundin e të plagosurve, për të përcaktuar dhe pistat hetimore. Autorët kanë qëlluar nga automjeti, nuk kanë zbritur. Kemi pamjet filmike dhe kemi një ide të qartë për dinamikën”, tha Vocaj.
Pavarësisht qëndrimeve të Vocajt, dyshimet janë se shënjestër e atentati ka qenë 45-vjeçari Elezi. Ai rezulton me rekorde kriminale, i dënuar në Itali për prostitucion dhe trafiqe droge. Po ashtu dyshohet se autorët kanë qenë vrasës me pagesë. Policia po vijon hetimet dhe do jenë dëshmitë e të plagosurve që do hedhin më shumë dritë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje