TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Shtator 2023, 11:17

Drejtësia shpëton Rrajat/ Prokuroria e Tiranës lehtëson akuzën për anëtarët e fisit që dhunuan barbarisht kushërinjtë Maja

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësia shpëton Rrajat/ Prokuroria e Tiranës lehtëson
Skenat nga sherri në Borizanë

Teksa Shqipëria u trondit nga dhuna barbare që fisi Rraja me në krye djalin dhe vëllanë e ish-deputetit Rrahman Rraja që dhunuan dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja në Krujë, tani në lojën e tyre ka hyrë edhe drejtësia.

Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën për anëtarët e fisit Rraja në lidhje me episodin e dhunës ndaj Bilbil e Jashar Majas në Borizanë të Krujës.

Ndryshe nga nisja e hetimit për “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim” pas publikimit të dhunës me shkopinj bejsbolli prokuroria ka vlerësuar që hetimit duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.

Ndryshimi i kualifikimit ka ardhur pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko ligjore ndaj të dëmtuarve.

Përveç lehtësimit të pozitës penale, akuza e re kërkon ankim nga të dëmtuarit për vijimin e hetimit.

Si ndodhi ngjarja në Borizanë?

Me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë në dorë, 8 persona zbresin nga 3 makina dhe nisin të dhunojnë barbarisht dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë.

Policia e Shtetit arrestoi 4 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë për rrahjen brutale që iu bë dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja.

Për ngjarjen e ndodhur policia shoqëroi në total 8 persona ndërsa në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.

Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit Rexhep Rraja. 

Sipas policisë shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një gurore në fshatin Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës,  i afërm i deputetit socialist i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin.

Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin bërë denoncim në polici se shpërthimet gjatë punimeve në gurore kishin krijuar dëme materiale në banesat e tyre por edhe shqetësime.

Ditën kur ndodhi ngjarja kushurinjtë Maja ishin në lokal me inxhinierin e gurores kur grupi i dhunuesve mësynë lokalin dhe filluan ti godasin me shkopinj deri sa njërit prej kushërinjve Maja i bie te fiket teksa goditet ndërsa dhunuesit i drejtojnë dhe pistoletën.

Forcat e policisë nga Tirana tashmë e kanë bllokuar guroren.

Gjyqi ndaj Rrajave me 9 korrik pas ngjarjes

Organi i akuzës me 9 Korrik 2023 la në arrest me burg Ineidi Rrajën, Eni Kullajn dhe Andi Rrajën, të cilët u përfshinë në dhunën barbare ndaj 2 kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja

Kujtim Përadaku, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja i cili akuzohet për moskallëzim krimi u la nën masën “detyrim paraqitje”.

Sipas pretendimeve të tyre, 2 prej personave të ndaluar, konkretisht Eni Kullaj dhe Kujtim Përdaku, kanë mohuar kategorikisht që të kenë ushtruar aktet e dhunës.

Ata kanë pranuar që të kenë qenë në lokal me anëtarët e grupit Rraja, por kanë mohuar që të kenë lidhje me ushtrimin e dhunës, pasi sipas tyre, ata nuk janë shfaqur duke ushtruar dhunë ndaj 2 kushërinjve Maja.

Ende nuk ka një informacion të saktë se çfarë kanë pretenduar Ineidi Rraja dhe Andi Rraja, familjarë të ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Ky i fundit pas publikimit të pamjeve filmike dhe nisjen e hetimeve të personave të tij të afërt për dhunë barabare ndaj 2 kushërinjve Maja, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit ditën e djeshme.

prokuroria e tiranës lehtëson akuzën për rrajat

Lini një Përgjigje