
Zbardhen të tjera detaje nga megaoperacioni i SPAK.
Sipas raportimeve mediatike, kërkimet për bosët e krimeve përveç se në Shqipëri janë shtrirë deri në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Deri tani në Shqipëri janë arrestuar 9 persona, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar jashtë vendit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
17 personave të tjerë iu është komunikuar urdhër-arresti në burg, ku po vuajnë dhe dënimet për vepra të tjera penale.
Ndërkohë operacioni është në vijim për lokalizimin dhe arrestimin e të tjerëve që ka dyshime se janë jashtë vendit, përfshirë Emiratet e Bashkuara.
Në këtë operacion të gjerë në dorë të SPAK kanë rënë dhe një sërë pasurish që dyshohet se kanë ardhur nga krimi.
Me urdhër të SPAK, gjatë operacionit policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 3 milionë eurosh në banesën e Fatmir Troplinit, djalit të biznesmenit Xhevdet Troplini që në Durrës njihet me nofkën "Poja".
Ndërkohë nga kontrollet e shtrira në qytete të ndryshme të Shqipërisë, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme bizhuterish të çmuara dhe florinj. Po ashtu janë sekuestruar dhjetëra prona si dhe 10 makina të blinduara.
Ndërkohë që grupet e hetimit po vijojnë punën për verifikimin e pronave të tjera të të arrestuarve, pritet dhe një deklaratë zyrtare nga SPAK.
Ditën e djeshme Policia, FNSH dhe RENEA nisën aksion në disa qytete të vendit që në orët e para të mëngjesit me qëllim kapjen e kokave të krimit në vend.
Aksioni ka si qëllim zbardhjen e ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik vitet e fundit, ku protagonistë janë klani Duka, Avdylajt dhe Endrit Dokle që dyshohen si organizator dhe si persona që kanë dijeni për fatin e biznesmenit të lojrave të fatit.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej Gushtit të 2022-it, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një sërë ekzekutimesh të kryera nga dy klanet rivale.
Operacionet e sotme nga FNSH dhe RENEA po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Krujë, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa.
Hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve Sky që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.
Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja, dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj në Shijak dhe kushëririn e tyre Aldo Avdylaj. Të gjithë këta emra krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, i bashkon vetëm diçka: armiku i përbashkët, Ervis Martinaj.
Lini një Përgjigje