TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Tetor 2024, 12:42

Autoboti frenoi aq sa u ça dhe asfalti, zbardhen detaje nga vdekja tragjike e 25-vjeçarit: Petro mbeti 1 orë i bllokuar

Shkruar nga Pamfleti
Autoboti frenoi aq sa u ça dhe asfalti, zbardhen detaje nga vdekja
Petro Piti

Petro Piti, një 25 vjeçar nga Ura Vajgurore në Berat, ka ndërruar jetë tragjikisht mbrëmjen e djeshme teksa udhëtonte në aksin Lushnjë-Berat. Pranë fshatit Kashtbardhë, Petro ka konstatuar në rrugë një traktor pa drita dhe është përpjekur të frenojë.

Autoboti me karburant që i përkiste biznesit të familjes së tij ka frenuar për disa metra aq sa është çarë dhe asfalti, por për shkak të ngarkesës që e shtynte përpara mjeti nuk ka mundur të ndalet.

Edhe 25 vjeçari e ka parë shumë vonë mjetin bujqësor që kishte ndaluar buzë rrugës, pa asnjë dritë të ndezur, dhe nuk ka pasur mundësi tjetër reagimi. Duke menduar të mos përplaste shoferin e traktorit, Petro Piti e ka drejtuar autobotin në kanal.

Fatkeqësisht, përplasja ka qenë e fortë dhe për shkak të pjerrësisë së rrugës nga kanali pranë saj, autoboti me karburant është përmbysur dhe i riu ka qendruar për rreth një orë i bllokuar. Banorët e zonës, kalimtarët e rastit dhe forcat zjarrfikëse kanë bërë të pamundurën për ta nxjerr.

Petro Piti është dërguar me urgjencë në spital, por minuta më vonë Policia ka bërë me dije se ai kishte ndërruar jetë.

Sot, autoritetet kanë bërë me dije se kanë arrestuar drejtuesin e traktorit, sepse paraprakisht dyshohet se ai kishte ndaluar mjetin bujqësor buzë rrugës dhe po priste bashkëshorten të kthehej nga toka. Mirëpo, mjeti nuk ka pasur sinjalistikë (drita) dhe Petro Piti e ka parë vetëm në momentet e fundit.

41 vjeçari banues në fshatin Kashtbardhë, Lushnjë kur ka parë autobotin me karburant dhe ka dëgjuar frenimin e fortë të tij, është hedhur për të shpëtuar. Ai nuk ka pësuar lëndime, si dhe nuk rezulton se ka pasur alkool në gjak gjatë testimit nga oficerët e Policisë, por me mjetin e tij dyshohet se është bërë shkak për aksidentin.

petro piti

Lini një Përgjigje