TAGS-AT E JAVËS

Kronike31 Gusht 2023, 20:12

AMP reagon zyrtarisht për arrestimet në Cërrik, në pranga 3 zjarrfikës, një punonjës i OSHEE dhe specialisti i bashkisë

Shkruar nga Pamfleti

AMP reagon zyrtarisht për arrestimet në Cërrik, në pranga 3

Zbardhen detajet e arrestimeve sot në Cërrik. Në pranga ranë 5 persona, mes të cilëve dhe kreu i forcave zjarrfikëse. Edhe dy të tjerë janë zjarrfikës, ndërsa po ashtu është arrestuar një punonjës i OSHEE dhe një specialit i bashkisë së Cërrikut.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se akuza që rëndon ndaj tyre është ndikimi i paligjshëm dhe krimi zgjedhor. Të arrestuarit janë: Artion Taçi, Adnand Xhelili, Agiano Dinoshi, Alban Shima dhe Armand Gjoka, sakaq është shpallur në kërkim një 64-vjeçar me inicialet K.V për falsifikim dokumentesh.

Mësohet se arrestimi i tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Sipas burimeve, 5 të arrestuarit u jepnin firmave private vërtetime false që nuk kishin detyrime tatimore. Po ashtu ata janë angazhuar në zgjedhje, ndonëse ligji e ndalon.

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për shtetasit:

A.T., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.GJ., 43 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.XH., 33 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.SH., 35 vjeç, me detyrë Përgjegjës i OSHEE Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.D., 34 vjeç, me detyrë specialist në bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim i shtetasit K.V., 64 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi vazhdojnë me qëllim identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 0800 90 90.

Lini një Përgjigje