
Punonjëses së shtetit, Irma Hasani dhe vëllait të saj, Oltion Hasani iu sekuestrua një shumë prej 750 mijë eurosh
Policia ka dhënë detaje në lidhje me një operacion të zhvilluar një ditë më parë, ku punonjëses së shtetit, Irma Hasani dhe vëllait të saj, Oltion Hasani iu sekuestrua një shumë prej 750 mijë eurosh, që dyshohet se buronin nga veprimtari kriminale.
Me kërkesën e prokurorisë së Tiranës gjykata e Tiranës firmosi sekuetro preventive të 6 apartamenteve dhe 6 makinave të shtrenjta.
Sipas njoftimit, policia bën me dije se nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga Oltion Hasani, i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Raportohet se Irma Hasani ishte punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
"Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”. Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.
Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe. Materialet i kaluan Prokurorisë", njofton policia.
Skema që kanë përdorur motër dhe vëlla:
Prokuroria e Tiranës dyshon se familjarët e një të dënuari në Britaninë e Madhe Oltion Hasanit, përdorën një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, të cilat kishin si pritëse finale motrën e tij, një 41 vjeçare që ishte e punësuar në drejtorinë e shërbimeve qeveritare.
Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar pasuritë Irma Hasanit, pasi dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale.
Oltion Hasani është një i dënuar në Angli, i cili u sinjalizua për Prokurorinë nga krimit ekonomiko financiar, pas dyshimeve se brenda pak muajsh në llogarinë e tij u dhuruan nga të afërmit 180 mijë euro.
Dhurata e parë iu kalua motrës të të dënuarit nga ish kunati i cili rezulton i vetëpunësuar për transport mallrash. Në datën 2 prill ai i dhuroi të resë 40 mijë euro, duke arsyetuar kalim sipas deklaratës notariale, në një kohë që hetimi provoi që nuk ekziston një deklaratë e tillë.
Një javë më vonë, në llogarinë e gruas depozitohet dhurata e dytë prej 90 mijë euro nga tezja e saj dhe një muaj më pas një person që e prezanton si mbesa i kaloi në bankë edhe 20 mijë euro.
Shumat e tjera sipas prokurorisë janë të depozituara cash nga 41 vjeçarja që i ka shpjeguar si kursime dhe të ardhura nga shitja e një automjeti. Duke gjurmuar dhuratat monetare prokuroria kërkoi sekuestron preventive të disa aseteve dhe automjeteve që dyshohen se janë të krijuara nga paratë e drogës.
Lini një Përgjigje