
Prokuroria e Posaçme goditi sot një rrjet të përpunimit të kokainës, duke arrestuar 10 persona. Në Fushë Krujë u zbulua një laborator kokaine shumë i sofistikuar, ndoshta ndër më të sofistikuarit në tregtinë e lëndëve narkotike.
Grupi kriminal, i cili dyshohet se është shumë herë më i gjerë se 10 të arrestuarit, siguronte kokainë të papërpunuar në vendet e Amerikës Latine. Më pas ajo tretej dhe në të futeshin lëkura kafshësh. Më pas lëkurat niseshin drejt vendit tonë. Jo më kot laboratori ishte zgjedhur në Qerekë, pasi ishte afër portit të Durrësit dhe Aeroporti të Rinasit. Falë metodave speciale të përdorura, nuk arrihej të dallohej se lëkurat kishin në përbërje të tyre dhe kokainë.
Pasi mbërrinte në laborator, zhvillohej një proces për ta nxjerrë kokainë nga lëkurat. Për këtë ishin sjellë në vendin tonë një shtetas nga Kolumbia dhe dy nga Venezuela. Që të tre janë ekspertë në fushën e kimisë dhe përmes metodave shumë ta arrira dhe produkteve të veçanta, arrinin të nxirrnin kokainë nga një material organik. SPAK ka sekuestruar 48 ton lëkura kafshësh, të cilat dyshohet se në përbërje të tyre kanë kokainë.
“Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal”, njoftoi SPAK.
Lini një Përgjigje