TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Qershor 2023, 13:12

Teza e re se Sali Berisha mban partinë, por lëshon postin e kryeministrit është absurde!

Shkruar nga Arbër Hitaj
Teza e re se Sali Berisha mban partinë, por lëshon postin e
Gazment Bardhi, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Ka një eskalion të ri në Partinë Demokratike, i përbërë nga një grup deputetësh që po përpiqen të dalin mbi palët, as me grupin e Sali Berishës as me atë të Lulzim Bashës. Madje këta deputetë kryen një nga super zbulimet e kohëve të fundit, Basha ka një grup “paramilitar” njëlloj si Berisha.

I kam ndjekur me vëmendje reagimet pas asaj përplasje që presioni ishte shumë i dënueshëm dhe i gabuar ndaj deputetëve dhe gazetarëve. Por, këta deputetë duhet të nxjerrin prova se ishte Basha në krye të këtij grupazhi me 10 veta.

E dyta, nëse parimi se dhuna është e papranueshme, si mund të thuhet se jemi gati për negociata me Sali Berishën, që në sy të gjithë mediave në mesditë, në janar të 2022 mund edhe t’i ekzekutonte!

Këta deputetë janë të paqartë në atë nivel sa përveç se ofrojnë zgjidhje pa zgjidhje, janë individë që me përjashtim të disave, nuk kanë fituar asnjë betejë politike, madje të tilla as nuk kanë ndërmarrë. Karrierën politike e kanë të falur nga Lulzim Basha,dhe tani kërkojnë një dhuratë tjetër, por nga Sali Berisha.

Ky i fundit në këtë fazë është i gatshëm të ofrojë gjithçka përveç postit të kryetarit të partisë.  Teza e ditëve të fundit është se Berisha e lëshon kandidatin për kryeministër dhe mban partinë, e si mund të qeverisë dikush me partinë kundër?

Asnjë se di. Por, nëse kujtohet PS kur ishte në pushtet në 1997-2005, faktet tregojnë se Fatos Nano kryetar partie i ndërronte kryeministrat bazuar në pozicionin e hënës!

Kush e ushqen këtë tezë ose është naiv ose po bën lojën e Berishës. Madje nga kjo përplasje doli emri i LSI së Ilir Metës në 2005.

Partia Demokratike ka nevojë për një lider që t’ju flasë hapur qytetarëve si do të qeverisë nesër vendin, për të marrë më tej besimin e tyre. Jo të rrisë akoma më shumë agoninë ku PD është zhytur prej 2 vitesh.

E pavarësisht kësaj, kompleksi nga kjo qasje e disa deputetëve apo këtyre tezave shterpë, nuk duhet ta stepë as Lulzim Bashën apo këdo tjetër që synon drejtimin, për të folur hapur dhe qartë nëse duan apo jo ta drejtojnë partinë, me rrezikun e madh se në 2025 mund të shijojnë pushtet ose pensionin e parakohshëm.

Paqartësia nuk mund të ketë reagim paqartësi. Mesazhi për të ardhmen është ajo që i mungon PD, shpresoj jo dhe për shumë kohë!

arbër hitaj pd sali berisha

Lini një Përgjigje

Forum