
“Aleanca Moskë-Pekin i kërcënon interesat e SHBA-së. Por prishja e saj kërkon pragmatizëm, dhe jo ideologji”. Kështu mendon Mark Episkopos, bashkëpunëtor mbi çështjet e Euroazisë në Institutin Kuinsi në SHBA, njëherazi profesor i historisë në Universitetin Merimaunt.
Ne e pyetëm rreth analizës së tij shumë interesante, botuar në revistën The American Conservative, (“Ndarja e Rusisë nga Kina është e mundur dhe jetike për SHBA-në), e cila po i nxit strategët amerikanë të diskutojnë mbi shanset e prishjes së partneritetin strategjik midis Moskës dhe Pekinit.
Çfarë rreziqesh specifike paraqet një partneritet i thelluar Moskë-Pekin për interesat amerikane, veçanërisht në Euroazi?
Rreziku më i madh afatgjatë i bashkëpunimit Kinë-Rusi kundër Shteteve të Bashkuara, është formimi gradual i një blloku gjeopolitik anti-perëndimor me sisteme autonome financiare, politike dhe të sigurisë. Dhe kjo është problematike në kohë paqeje, pasi e kufizon aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar ndikim në zona vendimtare për interesat e saj.
Në rastin e një konflikti të madh midis fuqive të mëdha, situata mund të bëhet katastrofike jo dhe aq pse Kina dhe Rusia do të luftonin krah për krah kundër SHBA-së, por sepse do vepronin së bashku për të shfrytëzuar krizën, duke krijuar një sërë problemesh për Amerikën në disa fronte.
Pse mendoni se politikanët neokonservatorë kanë hedhur poshtë sistematikisht strategjitë e balancimit të pushtetit në favor të qasjeve më konfrontuese? A është kjo një preferencë doktrinore apo një kundërpërgjigje ndaj faktorëve strukturorë?
Vizioni neokonservator nuk niset nga realitetet e sistemit ndërkombëtar, siç duhet të jetë në fakt çdo strategji e mirë-menduar, por nga premisat ideologjike për shtetet “e mira” dhe “të këqija”, duke e konceptuar politikën e jashtme si një kryqëzatë të pafundme për ndëshkimin e keqbërësve.
Ai e hedh haptazi poshtë logjikën e ekuilibrit të pushtetit, në favor të një narrative metafizike të politikës ndërkombëtare, si një përballje ekzistenciale midis 2 kampeve ideologjike - zakonisht autokracitë kundër demokracive – dhe në thelb armiqësore me njëra-tjetrën.
Studiues si McFaul dhe Medeiros thonë se përpjekja për ta larguar Rusinë nga Kina është e kotë dhe e rrezikshme...
Teza e tyre mbi pamundësinë e afrimit me Rusinë, bazohet në një narrativë ideologjike që e përshkruan Moskën si një aktor anti-perëndimor që s’mund të ndryshojë qasje. Por ky këndvështrim përgënjeshtrohet nga sjellja e Rusisë në vitet 1990-2000, dhe nuk pasqyron realitetin e mendimit strategjik rus sot.
Për më tepër, ata vendosin një kufizim jo realist mbi atë që duhet të kuptohet me normalizimin e raporteve me Rusinë, duke mos pasur parasysh faktin se përfitimi kryesor është më shumë negativ dhe jo pozitiv. Nuk bëhet fjalë për të marrë ndonjë gjë specifike nga Moska, por për parandalimin dhe ndryshimin pjesërisht të statuskosë së papranueshme të një aleancë ruso-kineze, e cila është gjithnjë e më shumë e orientuar kundër Perëndimit.
Si e vlerësoni rezistencën e dukshme të Gjermanisë dhe Francës ndaj afrimit midis SHBA-së dhe Rusisë? A po veprojnë për të ruajtur autonominë apo në lojë janë interesa të tjera?
Shumë vende të Evropës janë bllokuar në inercinë e viteve të Biden, duke përsëritur moton e administratës së mëparshme për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa do të duhet”, pa një reflektim serioz strategjik se si t’i jepet realisht fund luftës. E vërteta është se Evropa nuk mund të mbështesë Ukrainën për një kohë të gjatë pa SHBA-në, dhe aq më pak të sigurojë një fitore ushtarake për Kievin.
Prandaj do të ishte në interesin e Evropës që Shtëpia e Bardhë të ketë sukses në arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Evropa është një palët kryesore në këtë luftë, dhe një zgjidhje e qëndrueshme është e pamundur pa të, por përfundimi i konfliktit kërkon edhe kanale të dialogut konstruktiv me Moskën. Udhëheqësit evropianë, kanë shumë arsye pse duan të luajnë një rol kyç në këto negociata dhe përtej luftës, të krijojnë mekanizma pragmatikë të parandalimit dhe angazhimit diplomatik me Rusinë.
Çfarë lëshimesh duhet të kërkojë SHBA nga Moska, në këmbim të ri-integrimit në tregjet perëndimore? Dhe si mund ta pengojë Uashingtoni Moskën që të luajë një “lojë të dyfishtë” me Perëndimin dhe Kinën?
Është e parakohshme të flitet për lëshime specifike, pasi çdo negociatë me Rusinë për Kinën zhvillohet në sfondin e një negociate më të gjerë dhe më komplekse mbi çfarë është e gatshme secila palë të heqë dorë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sa i përket Kinës, është kundër-produktive të kërkosh nga Moska që të reduktojë bashkëpunimin me Pekinin në këmbim të një kthimi në institucionet perëndimore.
Normalizimi i marrëdhënieve, do të krijonte pashmangmërisht një distancë strategjike midis Rusisë dhe Kinës. Marrim sektorin energjitik: rikthimi i Rusisë në tregjet evropiane të energjisë do të diversifikonte eksportet e Moskës, duke e reduktuar ndikimin ekonomike të Kinës dhe i dhënë Rusisë një autonomi më të madhe në zona (si Azia Qendrore apo disa çështje të Paqësorit) ku interesat e saj nuk përkojnë me Pekinin.
McFaul dhe të tjerët e cilësojnë aleancën Moskë-Pekin si të motivuar ideologjikisht. A jeni dakord me ta, apo është ky një thjeshtësim i rreshtimit së tyre pragmatik?
Siç e përmenda më lart, Moska ka një histori të gjatë bashkëpunimi me demokraci të tilla si India, Brazili, madje edhe aleatët e ngushtë të SHBA-së si Izraeli. Sepse ideologjia e regjimit nuk dikton mendimin strategjik rus. Pikëpamja bardhezi mbi sistemin ndërkombëtar (demokracitë kundër autokracive) është një konstrukt intelektual perëndimor, i huaj për logjikën strategjike të rivalëve tanë.
Çfarë gabimesh duhet të shmangin politikëbërësit amerikanë për të mos e shtyrë Moskën dhe Pekinin në një bashkëpunim më të ngushtë?
Çdo lloj përpjekjeje për të ndëshkuar Kinën për mbështetjen e Rusisë (p.sh me sanksione dytësore) do të ishte kundërproduktive, duke e nxitur Pekinin të bashkëpunojë edhe më shumë me Moskën. Sanksionet kundër Rusisë nuk e kanë ndalur luftën, përkundrazi kanë përshpejtuar krijimin e platformave alternative financiare të udhëhequra nga Kina dhe Rusia, duke e dobësuar Perëndimin.
Megjithatë, gabimi më i rëndë është profecia vetëpërmbushëse e liderëve me Rusinë, që i trajtojnë raportet me Rusinë dhe Kinën si të lidhura pashmangmërisht me njëra-tjetrën. Ideja e përsëritur shpesh, se fati i Tajvanit varet nga Ukraina është jo vetëm e rreme, por i dërgon një mesazh Moskës dhe Pekinit, se ata duhet të bashkohen kundër Uashingtonit.
Nëse një strategji balancuese do të ketë sukses, si mund të evoluojë rendi ndërkombëtar gjatë dekadës së ardhshme?
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, bota është larguar nga “momenti unipolar” i Amerikës drejt një epoke të konkurrencës së fuqive të mëdha. Shtetet e Bashkuara nuk i kontrollojnë këto ndryshime, por mund të vendosin se si të pozicionohen. Strategjia e SHBA-së në dekadat e ardhshme do të gjykohet nga aftësinë e saj për t’i menaxhuar në një mënyrë krijuese aleancat dhe rivalët.
Nixon dhe Kissinger arritën të shmangnin që SHBA-të të ishin “ana e shkurtër” e trekëndëshit SHBA-Bashkimi Sovjetik-Kinë, dhe qëllimi i detantës ishte të sigurohej konkurrencë e qëndrueshme por pa përplasje të drejtpërdrejta. Po kështu, zgjedhjet që bëhen sot do të përcaktojnë nëse SHBA-ja dhe Kina mund të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë në një mënyrë të kontrolluar.
Marrëdhënia me Rusinë është thelbësore, pasi lidhet me sigurinë evropiane dhe pozicionin global të SHBA-së. Një Rusi jo armiqësore ndaj Perëndimit do të hapte mundësi në Evropë, Euroazi, Arktik dhe Lindjen e Mesme, ku Moska është një lojtare kyçe./Në Shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje