
Si do të dëshironit që t’i bashkoheshit klubit të presidentit rus Vladimir Putin? Ndërsa disa vende mund të ngurrojnë, samiti i BRICS që do të nisë punimet të martën në qytetin rus Kazan, në brigjet e lumit Vollga, tregon se shumë vende nuk po hezitojnë, pavarësisht vazhdimit të pushtimit të Ukrainës nga ana e Moskës.
BRICS është klubi i themeluar dy dekada më parë nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, pra nga të ashtuquajturat vende “në zhvillim”, të cilave së shpejti do t’u bashkohet Afrika e Jugut. Në samitin e Johanesburgut vitin e kaluar, ata pranuan anëtarë të rinj, përfshirë Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Etiopinë.
Arabia Saudite është ftuar që të bëhet pjesë, por ende po ngurron të japë një përgjigje të qartë. Argjentina, e udhëhequr nga Javier Milei, e ka refuzuar plotësisht ofertën. Lista e kandidatëve të BRICS është e gjatë, duke përfshirë Turqinë, një vend anëtar i NATO-s.
Tashmë kjo organizatë përfaqëson pothuajse gjysmën e popullsisë së planetit, krahasuar me vetëm 10 për qind që përfaqëson G7-a perëndimore dhe 35 për qind të PBB-së globale, sërish më shumë se sa G7-a. Kjo nuk e bën ende BRICS një superfuqi globale. Megjithatë e bën që të merret në konsideratë në skenën ndërkombëtare, pikërisht në një kohë kur po ripërcaktohet rendi botëror.
Dy këndvështrime, një mesazh
Dy janë mënyrat se si duhet parë ky samit. E para është ta lexojmë atë përmes prizmit të Luftës në Ukrainë. Vladimir Putin po tregon se ai nuk është një lider i izoluar, se krerët e shteteve, dhe jo vetëm homologu i tij kinez Xi Jinping, po qëndrojnë pa asnjë lloj ngurrimi në krah të tij.
Ky është një sukses i pamohueshëm për Putinin, sidomos në një kohë kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përpiqet që të grumbullojë mbështetjen për “planin e tij të fitores” . Pas 2 vite e gjysmë luftë, Ukraina dhe Perëndimi nuk ia kanë dalë që të përmbysin ekuilibrin e fuqisë.
Por ka edhe një prizëm tjetër, përmes të cilit mund të analizohet Samiti i Kazanit. Ai përfaqëson thirrjen e dukshme të vendeve të Jugut Global për ndërtimin e një rend të ri botëror, të ndryshëm nga ai që Perëndimi, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, ndërtuan në vitin 1945. Pavarësisht nga të gjitha paqartësitë që ekzistojnë brenda dhe përreth BRICS, ky mesazh nuk duhet nënvlerësuar.
Një botë krejtësisht e re?
Një pjesë e kësaj paqartësie është se BRICS nuk është një bllok koherent. Kështu, mund ta flasim gjerësisht mbi armiqësinë midis Indisë dhe Kinës, peshën vendimtare të ekonomisë kineze, praninë e Iranit apo vështirësinë që po has ky bllok për nxitjen e procesit të de-dollarizimit të ekonomisë globale.
Por këto paqartësi nuk e kanë penguar aspak BRICS-in që të zgjerohet, duke tërhequr një mori kandidatësh, dhe duke përcjellë një simbolikë alternative. Ajo që bën bashkë anëtaret ë kësaj organizate, është armiqësia e tyre ndaj një rendi botëror që i jep ende shumë krenari Perëndimit.
Por jo të gjithë anëtarët e saj duan që ta zëvendësojnë atë me një rend të drejtuara nga Kina, apo të kenë presidentin rus Vladimir Putin si mbrojtësin apo kujdestarin e tyre moral. Por pamundësia për të reformuar rendin botëror, si dhe perceptimi i fortë i “standardeve të dyfishta” që përdor Perëndimit në raport me konfliktin në Lindjen e Mesme, po krijojnë një dritare mundësish për BRICS-in.
Kjo fillon me Kinën dhe synimin e saj për të qenë një lidere e Jugut Global. Për këtë arsye, fuqitë perëndimore nuk duhet ta shpërfillin kurrsesi mesazhin që do të dalë nga samiti i Kazanit. Në të kundërt do të rrezikojnë që të zgjohen në një botë të re, të cilën nuk e panë teksa po shfaqej./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje