TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Tetor 2024, 10:30

Vendet e sigurta dhe hipokrizia e madhe me Shqipërinë

Shkruar nga Luca Ricolfi

 Vendet e sigurta dhe hipokrizia e madhe me Shqipërinë

Kush vendos nëse një vend është mjaftueshëm demokratik?

Për momentin askush nuk mund ta dijë se si do të përfundojë çështja e qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri. Mund të ndodhë që qeveria italiane të gjejë një mënyrë për ta përdorur listën e saj të vendeve të sigurta.

Ose mund të mos gjendet kjo mënyrë, dhe vetëm një pakicë shumë e vogël e emigrantëve të parregullt të gjetur në det, mund të përfundojnë në Shqipëri. Mbetet të presim dhe të shohim. Në pritje të zhvillimeve, mund të mos jetë e kotë që ta analizojmë çështjen e migracionit jo në terma ligjorë dhe formalë, por në terma konkretë dhe thelbësorë.

Mua më duket se në thelb, ajo që po shohim është përplasja midis dy vizioneve të përgjithshme, që aktualisht janë plotësisht të papajtueshme midis tyre. Sipas vizionit të parë, një shtet ka çdo të drejtë që të kufizojë hyrjet në territorin e tij, dhe ushtrimi i së drejtës për azil nuk mund të jetë absolut dhe i pakushtëzuar.

Ekzistojnë disa rrethana, në të cilat mënyrat e hyrjes dhe rregullat që mbrojnë ata që tashmë kanë hyrë, mund të bien ndesh me kërkesën e qytetarëve vendas për siguri. Dhe politika ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ligjor që t’i përgjigjet kësaj kërkese.

Sipas pikëpamjes së kundërt, emigrantët nga cilido vend që vijnë në Itali, kanë çdo lloj të drejte që të hyjnë për të kërkuar azil apo mbrojtje, dhe kërkesat e tyre duhet të trajtohen në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut (të përcaktuara pak a shumë gjerësisht), madje edhe me koston e dëmtimit të sigurisë ose aspiratave të tjera legjitime të vendeve pritëse.

Po kujt i përkasin këto dy vizione? Këtu kemi një asimetri të rëndësishme. Vizioni i parë, izolacionist, është zbatuar nga pothuajse të gjitha qeveritë e djathta. Por kohët e fundit ka filluar të ngjallë interes edhe tek disa qeveri progresive apo liberale, si ato të Danimarkës dhe Polonisë.

Vizioni i dytë më mendje-hapur, miratohet nga pothuajse të gjitha qeveritë progresiste (të majta), por mbështetet dhe inkurajohet gjithashtu edhe nga shumica dërrmuese e organeve mbi-kombëtare ose transnacionale që merren me migracionin dhe/ose të drejtat e njeriut: Gjykata Evropiane e Drejtësisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Amnesty International, vetëm sa për të dhënë disa shembuj.

Kjo do të thotë se në përgjithësi, përplasja midis të djathtës dhe të majtës, është e ndërlikuar nga fakti se disa qeveri të majta janë në krah të së djathtës anti-emigrante, por edhe nga një fakt tjetër - shumë më i rëndë - që e majta pro-emigrantëve mund të mbajë gjithmonë anën e gjyqtarëve dhe organeve që merren me menaxhimin e emigrantëve, që për nga natyra e tyre janë në favor të kërkesave të këtyre të fundit.

Por si zgjidhet ky konflikt? Deri më tani është zgjidhur me trukun e paqartë dhe hipokrit të konceptit të “vendit të sigurt”: emigrantët që nuk kanë të drejtën e azilit apo formave të tjera të mbrojtjes mund të riatdhesohen, por vetëm nëse vijnë nga një vend i sigurt (dhe nëse ekzistojnë marrëveshje riatdhesimi).

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Përkufizimet se cili është në vendi i sigurt, të formuluara deri më tani në legjislacionin italian dhe evropian janë aq të paqarta e konfuze sa që u lënë hapësira të gjera interpretimi gjyqtarëve, qofshin ata italianë apo evropianë.

Nga ky këndvështrim, zemërimi i politikanëve kundër gjyqtarëve duket fare i kotë. Nëse ata hartojnë ligje që nuk janë shumë të qarta, atëherë nuk mund të ankohen nëse gjyqtarët i interpretojnë ato sipas vizionit të tyre për botën, që është përgjithësisht (dhe pa kompromis). pro të drejtave të njeriut.

Dhe kjo papërcaktueshmëri nuk ka të bëjë vetëm me ligjet evropiane, por edhe ato italiane. Le të marrim si shembull përkufizimin e një shteti të sigurt të dhënë nga Dekreti Legjislativ nr.25 i vitit  2008 (dhe përditësimet pasuese).

Ai thotë: një shtet konsiderohet i sigurt nëse, në bazë të sistemit të tij ligjor, zbatimit të ligjit brenda një sistemi demokratik dhe situatës së përgjithshme politike, mund të tregohet se, përgjithësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, nuk ka akte persekutimi, as tortura ose forma të tjera të dënimit ose trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, dhe as rrezik për shkak të dhunës pa dallim në situatat e konfliktit të armatosur të brendshëm ose ndërkombëtar.

Përcaktimi i një vendi të sigurt të origjinës, mund të bëhet me përjashtimin e pjesëve të territorit ose kategorive të personave të caktuar. Formulimi duket se presupozon se për të qenë i sigurt, një vend duhet të jetë demokratik (më shumë se gjysma e vendeve në botë nuk janë të tillë).

Ndërkaq disa shkelje të të drejtave të njeriut mund të tolerohen, nëse kufizohen në pjesë të caktuara të territorit apo drejtohen ndaj një kategorie specifike njerëzish (në më shumë se gjysmën e vendeve afrikane homoseksualiteti është krim). Por kush vendos nëse një vend është mjaftueshëm demokratik?

Kush vendos se sa të vogla duhet të jenë pjesët e pasigurta të territorit, apo sa të parëndësishme duhet të jenë kategoritë e persekutuara, për t’i dhënë një vendi statusin e vendit “të sigurt, pavarësisht të tjerave...”? Mbi bazën e të njëjtit formulim, koncepti i një vendi të sigurt, mund të shtrihet deri aq sa të gjitha vendet jo të sigurta janë jo demokratike.

Ose anasjelltas të konsiderohen si vende të sigurta, ato që janë në fakt fajtore për krime të tmerrshme, por të kufizuara në pjesë të caktuara të territorit ose kategori të caktuara njerëzish. Pra dua të them se nëse duam të kufizojmë riatdhesimet legjitime në vende të sigurta, ajo që na duhet nuk është një përkufizim abstrakt, të cilin në mënyrë të pashmangshme çdo gjykatë dhe çdo gjykatës do ta interpretojë sipas vizionit të tij për botën.

Por qeveritë evropiane ose hartojnë një listë të qartë të vendeve të sigurta, ose nëse nuk kanë guximin për ta hartuar një listë të tillë, dhe autorizojnë çdo vend që të hartojë listën e tij. Ne nuk kemi luksin të mos kërkojmë një kompromis midis dy vizioneve të kundërta mbi problemin e migracionit.

Sepse ndërsa vizioni izolacionist, mund të çojë vetëm në shkelje të rënda të të drejtave të emigrantëve, ai më mendje-hapur nuk mund të mos çojë në shkelje po aq serioze të të drejtave të qytetarëve evropianë, dhe në radhë të parë të së drejtës për siguri./Përshtati Pamfleti nga “Il Messagero”

 

vendet e sigurta hipokrizia e madhe me shqipërinë

Lini një Përgjigje