
Dhe lakmi në gjuhën shqipe do të thotë: dëshirë e madhe dhe e pangopur për të pasur vetë diçka e dikë që në thelb është një etje e pashuar që të çon në një synim.
Nuk është karriera politike si një luftë irracionale për pushtet, ajo që ne shqiptarëve na duhet sot.
Ne sot kemi nevojë për një pushtet politik me individë që dinë të mendojnë, domethënë që të kenë mend dhe një intelekt profesional, me të cilin të realizojnë personalitetin e tyre përballë shoqërisë së vet dhe historisë.
Por edhe me një dashuri absolute për Shqipërinë dhe për Kosovën.
E dinë këta se çdo të thotë që sot në historinë e Evropës janë dy shtete shqiptare?
E dinë, por në Tiranë ende nuk po drejton shqiptaria. Kjo që po drejton nuk është shqiptari moderne e dy shteteve shqiptarë.
Sepse këtu sot, këta që po drejtojnë dhe që u duket se po bëjnë politikë, në të vërtetë po tregojnë se nuk kanë mend për politikën moderne.
Politikë moderne do të thotë dije e nivelit të lartë. Gjykim me karakter zhvillues dhe mendim suprem për kombin tënd, sepse ty asgjë nuk të pranon historia, nese ti si burrë shteti, nuk i ke dhënë asgjë vendit dhe shoqërisë tënde: domethënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kurse këta të "ndershëm" që po shoh unë dhe që mendojnë se po drejtojnë me drejtësi, janë në një gëzim patologjik që është krejtësisht i vendosur në lakminë e tyre.
Dhe lakmi në gjuhën shqipe, si fjalë shumë e bukur që është, do të thotë: dëshirë e madhe dhe e pangopur për të pasur vetë diçka e dikë që në thelb është një etje e pashuar që të çon në një synim.
II.
Prandaj sot, unë konstatoj se Shqipëria ka rënë peng i politikanëve lakmitarë me mendje shumë të ngushtë, por shpesh me një synim të sëmurë e patologjik për individualitetin e pushtetit të tyre politik.
Pse u ndodh kjo?
Sepse e kanë pasionin për pushtet vetëm si instikt dhe jo si perceptim ideor, por që, megjithatë, po i pranon opinioni publik i Shqipërisë me shpresën e vet për zhvillim, ndërsa këta në pushtet nuk po japin dot asgjë.
Dhe pse u ndodh kjo? Sepse nuk kanë mendim të iluminuar politik që vjen nga politika e sotme moderne.
Dhe këtu vjen e mbyllet i gjithë ky ekuacion që thotë:
Mendja e mendjes sime që është pa mendim, ma rrit kaq shumë pasionin për pushtet, sa, me këtë pasion unë dua që t'i zhduk të gjithë kundërshtarët e mi që janë më të ditur se unë.
Ja ky ka qenë Enver Hoxha, sepse kështu ka qenë e me këtë filozofi edhe Ahmet Zogu.
III.
Por na duhet të theksojmë që sot kjo filozofi është zbutur, sepse janë strukturat ndërkombëtare që e kanë ndaluar krimin e drejtpërdrejt politik në zhdukjen e kundërshtarëve politikë, por ende ne si shoqëri jemi në një enverizëm në formë indirekte, me shprehjen e brendshme:
Jam unë dhe prandaj jeni edhe ju.
Dhe sot këtë po duket se e ka pranuar e gjithë shoqëria shqiptare.
Jam unë, na thotë Rama, prandaj jeni edhe ju.
Dhe pikërisht këtu po vijon ende në Shqipëri sundimi shoqëror i kësaj drame...
Lini një Përgjigje