TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Prill 2025, 19:41

Shame On You, Edi Rama! 

Shkruar nga Namir Lapardhaja

Shame On You, Edi Rama! 

Ndaj kjo vizitë e Ramës, përfaqësues i një populli që ka treguar ndjeshmëri ndaj viktimave naziste, por edhe si kryeministër i një shumice që e quan padrejtësi dhe krim atë që po ndodh ndaj palestinezëve të pafajshëm, është një turp i madh...

Shqipëria është një vend i vogël për të zgjidhur halle të mëdha. Vetëm deliri i madh i politikanëve të vegjël mund ta fusin në derte dhe siklete që nuk i ka për hise.

Çdo vizitë në çdo kohë tjetër në Izrael, do ishte mëse normale. Populli izraelit ka gjetur tek shqiptarët një ndihmëtar të paparë, duke shenjuar një histori të papërsëritshme në asnjë vend tjetër të Evropës, siç ishte shpëtimi i hebrenjve dhe mosdorëzimi i tyre te nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky akt dinjitoz, human dhe krenar i shqiptarëve, bie ndesh me realitetin në të cilën ndodhet sot politika zyrtare izraelite, duke u shnëdrruar në ushqyes të një makinerie vdekatare, që e ka zënë gjaku dhe nuk po sheh më nga sytë, në viktimat janë gra a fëmijë, pleq a plaka, mjek a infermierë, gazetarë a dhënës së ndihmës së shpejtë.

Ndaj kjo vizitë e Ramës, përfaqësues i një populli që ka treguar ndjeshmëri ndaj viktimave naziste, por edhe si kryeministër i një shumice që e quan padrejtësi dhe krim atë që po ndodh ndaj palestinezëve të pafajshëm, është një turp i madh.

Është turp, sepse vjen në një moment, ku më tepër duket se shërben për të kuruar imazhin e një politike çnjerëzore, se sa për të përfituar diçka pozitive për veten apo popullin e vet.

Është një turp i madh, sepse vjen në një kohë kur bota është dëshmitare e një prej tragjedive më të mëdha të shekullit XXI, me mbi 60 mijë civilë të vrarë – shumica gra dhe fëmijë –  ndërsa Rama zgjedh të shfaqet në anën e atyre që po akuzohen nga Kombet e Bashkuara për mizori të përmasave gjenocidale.

Është turp, sepse nuk është thjesht çështje politike, as çështje diplomacie, është çështje ndërgjegjeje. Dhe Rama tregoi se nuk ka asnjë ndjeshmëri, asnjë revoltë, asnjë ndalim përballë kësaj gjakderdhjeje.

Është turp edhe për atë se e përdor fenë dhe besimtarët myslimanë sa herë i duhen për vota, duke iu shfaqur si hoxhë me Kuran në dorë e hadithe në gojë, ndërkohë që sapo i jepet rasti i parë, e tregon veten se s’ka lidhje as me hoxhën e as me priftin, as me Kuranin e as me Biblën.

Rama nuk është as i pari, as i fundit lider që bashkohet në korin e politikës gjenocidiale që po kryen makineria vrastare e shtetit të Izraelit sot në Gaza, mirëpo ai është përfaqësuesi i një populli që edhe në këtë gjendje, do duhej t’i tregonte botës pasqyrën e tij në një kohë dhe kontekst, ku të shpëtoje izraelitët nuk ishte aspak e lehtë.

Nëse s’të dhemb gjaku i fëmijëve të pafajshëm, si mund të të dhembë halli i njerëzve që të kanë zgjedhur? Nëse s’të revolton padrejtësia më e madhe e këtij shekulli, për çfarë të shërben pushteti? Edi Rama e ka tradhtuar jo vetëm ndjeshmërinë njerëzore, por edhe fytyrën politike të Shqipërisë në botë. Dhe për këtë, nuk ka asnjë fjalë më të përshtatshme se: SHAME ON YOU, EDI RAMA!

Lini një Përgjigje