Ne nuk e dimë nëse Vladimir Putini, është serioz në lidhje me negociatat e paqes me Ukrainën. Sepse ai mund të jetë duke kryer një manovër diplomatike, teksa e shijon spektaklin e një Perëndimi të përfshirë në akuza reciproke dhe zemërim brenda vetes.
Ose mund të ndiejë vërtet se ekzistojnë bazat për një lloj marrëveshjeje. Duke pasur parasysh historinë e tij si takticien dhe jo strateg, ka shumë të ngjarë që për momentin ai po ndjek më vëmendje se çfarë mundësish i shfaqen përpara.
Gjithsesi, zgjedhjet e tij mbi formatin, vendin dhe përfaqësuesit në negociata, mund të na japin njëfarë kuptimi mbi synimet e tij. Për shembull, negociatori i tij kryesor në bisedimet e dështuara të Stambollit në vitin 2022, ishte Vladimir Medinsky.
Një ish-Ministër i Kulturës, ai ishte i famshëm si mbështetës i hapur i kulturës ”patriotike”, duke shpërndarë para për gjithçka, nga librat shkollorë të historisë deri te filmat aksion që portretizonin një perspektivë nacionaliste mbi të kaluarën e Rusisë.
Ndaj ai konsiderohej në thelb nga shumë analistë si një figurë pa peshë. Ky vlerësim ishte ndoshta i padrejtë, pasi ka të ngjarë që në ato bisedime Putini donte një të dërguar besnik, dhe jo një lloj negociatori serioz, që mund të kishte idetë e tij se si të merrej me bisedimet.
Megjithatë, zgjedhja e Medinskyt vështirë se ndihmoi në krijimin e një atmosfere pozitive në ato negociata. Ndërkohë sipas Bloomberg, këtë herë Kremlini po “përgatit një ekip të peshave të rënda, me dekada përvojë në negociatat shumë delikate”, gjë që do të tregonte menjëherë një ndryshim nga praktika e kaluar.
Raportet mediatike, pretendojnë se figurat kryesore do të jenë ndihmësi presidencial Yuri Ushakov dhe drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR) Sergei Naryshkin, teksa një rol jo zyrtar do të ketë edhe financieri Kirill Dmitriev.
Pozicioni i ndihmësit presidencia, është disi i paqartë në sistemin rus, gjë që mund të thotë shumë ose asgjë. Ai mund të jetë një pozicion honorifik në prag të daljes në pension, si për shembull për ish-sekretarin e Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, ose mund të jetë një komandant ose këshilltar i besuar i presidentit.
Në rastin e Ushakovit, është padyshim kjo e fundit. Diplomati veteran 77-vjeçar ka qenë këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme që nga viti 2012, dhe ndërsa po zbehet pozita dhe ndikimi i Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, ai i Ushakov vetëm sa është rritur.
Ai ishte ambasador i Rusisë në SHBA në vitet 1998- 2008, gjatë dy mandateve të para presidenciale të Putinit - kur bashkëpunimi ishte më shumë prioritet sesa përplasja - dhe një ish-punonjës nga ambasada amerikane në Moskë e ka përshkruar atë si “një aktor diplomatik të përkryer” dhe një “marrëveshje-bërës”.
Naryshkin, deklaratat e shpeshta publike të të cilit janë shoqëruar me shumë teori konspirative anti-perëndimore (së fundmi ai deklaroi se Polonia kishte projekte perandorake në qytetin Lviv në Ukrainës Perëndimore), mund të duket një zgjedhje më pak e qartë.
SVR ka qenë tashmë i përfshirë në një bashkëpunim të vazhdueshëm me CIA-n. Por pavarësisht prejardhjes së tij nga KGB-ja, Naryshkin është më shumë politikan se sa një agjent i shërbimit sekret. Ish-deputet para se të merrte pozicionin aktual si pjesë e një riorganizimi, ai është një historian amator dhe në moshën 70-vjeçare, synon të bëhet pjesë e Senatit.
Ai është një operator politik më vete si një ish-kryetar i Dumës, dhomës së ulët të parlamentit rus, por edhe një besnik i Putinit, tek i cili presidenti mund të mbështetet për të mbajtur nën kontroll pasojat e brendshme politike të çdo marrëveshjeje, ndërsa Ushakov fokusohet tek gjeopolitika.
Së fundi, Dmitriev, i cili është shkolluar në Universitetet e Stanford dhe Harvard, dhe ka punuar për kompani më famë botërore si McKinsey dhe Goldman Sachs, përpara se të kthehej në Rusi dhe që aktualisht drejton fondin e pasurisë sovrane të Rusisë, do të ishte karta më e fortë e Moskës.
Ai mund të përdoret edhe si një kanal jozyrtar në prapaskenë, por edhe si dikush që mund t’i përshtatet shumë mirë qasjes jokonvencionale dhe transaksionale të presidentit amerikan Donald Trump.
Në fakt, ai duket se ka luajtur një rol kyç në organizimin e lirimit këtë javë të mësuesit amerikan Marc Fogel të burgosur në Rusi. Kjo ngjarje, i dha Trumpit një sukses publik të llojit që atij i pëlqen shumë, dhe i hapi rrugën bisedës telefonike të kësaj jave me presidentin rus.
Ishte një zhvillim shumë pozitiv sa i përket Moskës. Pra ndonëse në këtë fazë është e pamundur të thuhet se si dhe kur apo nëse do të ndodhin negociatat, e lëre më pastaj se sa të suksesshme mund të jenë ato, nëse këto shenja të hershme janë të vërteta, atëherë Putini po i merr me siguri shumë më seriozisht nga sa mund të kenë pasur frikë apo pritur disa./Pamfleti nga “The Specator”
Shënim: Mark Galeottim, profesor mbi Studimet Sllave dhe Evropës Lindore në Universitetin e Kalifornisë. Autor i rreth 30 librave mbi Rusinë.
Lini një Përgjigje