Ëndrra e komunistëve të viteve 1950, një Evropë ruse, duket po realizohet. Por si për ironi nga dora e fashistëve...
Vladimir Putin po fiton. Dhe nëse do të konfirmohen qëndrimet e SHBA-së të shprehura shumë qartë në Konferencën e Mynihut, do të jetë e mundur të vërtetohet se autokrati rus do ta ketë fituar luftën në Ukrainë.
Madje në fakt, shumë më tepër se sa kaq. Ai do të ketë nën kontroll ose më saktë hegjemoninë mbi Evropën. Nga të gjitha deklaratat, më shumë vlejnë ato të John Bolton, republikan, dhe këshilltar për politikën e jashtme të Trump gjatë mandatit të tij të parë.
“Presidenti i SHBA-së u dorëzua para se të fillonin negociatat! Ndoshta marrëveshjet janë shkruar në Kremlin. Putin dëshiron që negociojë vetëm me Trump, pasi mendon se do të marrë më shumë, dhe ai ka absolutisht e drejtë”- deklaroi Bolton.
Natyrisht, propaganda trumpiane do t’i bëjë njerëzit të besojnë se pakti do të jetë një fitore e madhe për Amerikën. Që tani zëvendëspresident J.D.Vance zotohet se Kievi do të mbetet sovran, dhe lëshon formalisht kërcënime ndaj Moskës. Por si senator, ai ishte një nga armiqtë më të mëdhenj të Ukrainës.
Menjëherë pas fjalimit në Konferencën e Mynihut ai mbështeti hapur fushatën elektorale të AfD (Alternative für Deutschland) e cila përveç se është një parti neo-naziste, është forca politike më pro-ruse në të gjithë BE-në.
Është njëlloj sikur në vitet 1950, zv/president i SHBA-së t’u bënte thirrje italianëve të votonin për Partinë Komuniste Italiane të drejtuar nga Palmiro Togliatti. Paolo Mieli i Corriere della Sera, ka shkruar me të drejtë se Konferenca e Mynihut (ajo e vitit 1938) dhe jo e të premtes së kaluar ishte shumë më dinjitoze.
E megjithatë, unë habitem më shumë atë që ndihen të befasuar nga ajo që ndodhi. Trumpizmi është i përbërë nga tre koka: mendja e Trumpit - e sëmurë, siç e kanë hipotezuar shumë psikiatër që gjatë presidencës së parë - për të cilën marrëdhëniet ndërkombëtare janë një lojë tregtare:të ndihmoj nëse me paguan.
Ai nuk është i interesuar për Amerikën, por për egon e tij. Pastaj është tekno-fashizmi dixhital i Elon Musk dhe veçanërisht i Peter Thiel. As këta të dy nuk janë të interesuar për Amerikën, pasi duan të jenë vetë shteti.
Dhe së fundi është populli shovinist dhe supremacist i MAGA-s, i përfaqësuar nga Steve Bannon, i vetmi që është vërtet i interesuar për Amerikën, por për një Amerikë nacionaliste, të tërhequr në vetvete dhe izolacioniste.
Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, gjithmonë dhe në çdo kohë, të tria këto koka kanë deklaruan se fati i këtij vendi, ishte i fundit në listën e gjërave që i shqetësojnë, dhe se Putin kishte të drejtë që e pushtoi.
Jo vetëm kaq, por edhe ideologjia e së djathtës radikale amerikane, nga e cila Trumpizmi është pjesë e tij, është në thelb një Putinizëm i përshtatur. Ose thënë më saktë është një kthim në shtëpi.
Ideologjia Putiniste - Zoti, vendi dhe familja - ishte në realitet e farkëtuar nga e djathta republikane amerikane e Pat Buchanan, që gjatë presidencës së George Bush të vjetrit përmes “luftërave kulturore”.
Rusia pas Yelstin adoptoi idetë e paleo-konservatorëve amerikanë, i ripunoi dhe krijoi Putinizmin. Më pas i riktheu në SHBA, ku në fillim u morën nga fraksioni Tea Party brenda Partisë Republikane, dhe më pas nga Donald Trump.
Ashtu si në vitet 1920-1930 të shekullit të kaluar, ne vazhdojmë të mos i marrim seriozisht udhëheqësit dhe lëvizjet autoritare. Dhe vazhdojmë të themi se ata po bëjnë shaka. Një veprim ky shumë i gabuar. Sepse Benito Mussolini bëri pothuajse
të gjitha ato që i kishte premtuar, ndërsa Adolf Hitleri zbatoi programin e titulluar “Mein Kampf” (Lufta ime), të shkruar gati 10 vjet para se të ngjitej në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike.
Udhëheqësit autoritarë dhe totalitarë, realizojnë gjithmonë gjithçka që parashikojnë, pikërisht sepse janë autoritarë, dhe psikologjikisht sepse kanë një mendje paranojake dhe të burgosur të ideologjisë së tyre, pra jo shumë të hapur ndaj impulseve të botës së jashtme.
Trumpizmi nuk është shumë i ndryshëm nga ata. Po çfarë nënkupton fitorja e Putinit? Nuk do të jetë vetëm fundi i Ukrainës si një shtet vërtet sovran, pasi së shpejti do të hyjë në sferën ruse të ndikimit, edhe pse ndoshta zyrtarisht mund të quhet “e pavarur”.
Po do të thotë gjithashtu vendosje e hegjemonisë së Rusisë, dhe nëpërmjet saj edhe të Kinës mbi të gjithë Bashkimin Evropian. Kushdo që ëndërron një “rizgjim” në Evropë ka probleme serioze në marrëdhënie me realitetin.
Ata harrojnë se para pushtimit të Ukrainës, BE-ja kishte në krye 2 kryeministra nga vendet më të rëndësishme të saj, përkatësisht Gjermania dhe Franca, Gerhard Schröder dhe François Fillon, që menjëherë pas përfundimit të mandatit të tyre hynë në listën e pagave të Rusisë.
Po ashtu, është harruar se presidenti francez, Nicolas Sarkozy, ishte padyshim pro-rus, dhe se shumë prej deputetëve konservatorë britanikë në kohën e kryeministrit David Cameron, bënin biznes me Moskën.
Me kalimin e viteve, Putin financoi ose të paktën mbështeti në mënyra të ndryshme partitë populiste të ekstremit të djathtë, veçanërisht partinë e Marine Le Pen, por edhe ato të së majtës ekstreme, sidomos në Spanjë dhe në Greqi, ekonomia e së cilës ka mbetur kryesisht e dominuar nga Rusia dhe Kina edhe gjatë viteve të luftës në Ukrainë.
Sa i përket Italisë, përveçse është që nga viti 1861 hallka më e dobët e çdo aleancë, ishte edhe aleati i parë i NATO-s në Luftën e Ftohtë që dërgoi një President i Republikës në një vizitë zyrtare në Moskë, përkatësisht Giuseppe Gronchi në vitin 1960.
Të gjithë kryeministrat e viteve fundit, deri në vitin 2022, me përjashtimin e pjesshëm të Matteo Renzit, ishin të butë me rusët, qofshin ata djathtas ose majtas, Dhe ne kemi ende në kokë imazhet e tankeve të Putinit në një autostradë italiane në kohën e pandemisë së Covid-19.
Në qeverinë Meloni, të gjitha forcat politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës janë lidhur me Moskën në mënyra të ndryshme: janë të njohura lidhjet me Putin e të ndjerit Silvio Berluskoni por dhe Matteo Salvinit.
Megjithatë edhe atlantizmi melonian pas shkurtit 2022, ishte një ndryshim në momentin e fundit në një sekt-parti që deri një ditë më parë ishte shumë putinist.
Por forcat e lidhura me Moskën janë tashmë në qeveri në disa vende të BE-së, dhe janë gati të hyjnë në disa të tjera.
Çdo sistem politik kombëtar, do të priret që të duket në përputhje me modelin rus, siç po ndodh tashmë me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara dhe me hapa më të ngadaltë edhe në Itali. Një demokraci, ose më mirë një oklokraci, plebishitare, autokratike dhe jo liberale, një autoritarizëm i maskuar por korporativ, ndoshta më pak brutale se ai rus por po aq ambicioz, do të jetë skenari më i mundshëm.
Ëndrra e komunistëve të viteve 1950, një Evropë ruse, duket po realizohet. Por si për ironi nga dora e fashistëve./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje