
Roberto Saviano ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Romë, që dënoi me burg bosin e Kamorrës për kërcënimet publike ndaj tij. Shkrimtari dhe gazetari investigativ, i cili jeton prej 17 vitesh nën mbrojtje të rreptë, thotë se ky vendim tregon se fjala e shkruar e tremb mafien më shumë se plumbat...
Ajo që organizatat kriminale kanë më shumë frikë, është fjala e shkruar. Këtë e ka përcaktuar për herë të parë një gjykatë në Itali. Mu deshën 17 vjet për të parë drejtësinë të vihej në vend, por më në fund ajo erdhi më 14 korrik.
Gjykata e Apelit në Romë konfirmoi vendimin e vitit 2021, me të cilin bosi mafioz Francesco Bidognetti dhe ish-avokati i tij u shpallën fajtorë për kërcënime mafioze ndaj meje.
Bidognetti është kreu i një prej klaneve më të fuqishme dhe më të dhunshme të Kamorrës: Casalesi. Ai tashmë ndodhet në burg, duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm. Megjithatë, ky vendim i ri (Bidognetti u dënua me një vit e gjysmë burg, ndërsa avokati i tij Michele Santonastaso me një vit e dy muaj) nuk është thjesht simbolik, por tepër i rëndësishëm.
Ky vendim është dënim për një rast që nuk ishte thjesht akt i zakonshëm intimidimi, por unik në historinë e krimit të organizuar. Ai ndodhi publikisht në mars të vitit 2008, gjatë “superprocesit Spartacus” që zgjati 10 vjet, me 115 të pandehur dhe 27 dënime me burgim të përjetshëm, përfshirë edhe vetë Bidognettin.
Atë ditë, përmes avokatit të tij, Bidognetti artikuloi publikisht “të vërtetën kriminale” të tij duke na shpallur mua dhe gazetaren Rosaria Capacchione përgjegjës nëse ai dënohej. Santonastaso lexoi me zë të lartë në gjykatë një dokument, një “proklamatë” që më vonë mësuam se ishte e ngjashme me deklaratat e organizatave terroriste.
Ky ishte një akt i paprecedentë në historinë e gjyqeve kundër mafias. Mesazhi ishte i ftohtë e kërcënues: nëse dy bosët mafiozë në bankën e të akuzuarve, Bidognetti dhe Antonio Iovine, përfundonin në burg, siç ndodhi, fajin do ta kishim ne. Artikujt tanë, hetimet tona dhe ndikimi ynë tek prokurorët do të ishin shkaku.
Pas leximit të dokumentit, Santonastaso hoqi togën e avokatit. Ishte një gjest simbolik për të thënë se nga ai moment, loja do të zhvillohej jashtë sallës së gjyqit. Kjo proklamatë kishte një qëllim të qartë: të na heshtte ne gazetarëve dhe t’i bënte me dije botës së jashtme se ata që duhej të mbajnë përgjegjësi për dënimin e Bidognettit kishin emra.
Në atë kohë, një grup vrasës i Kamorrës ushtronte terror në Kampania, duke raportuar direkt tek Bidognetti. Ky grup i armatosur, i drejtuar nga Giuseppe Setola, kreu një numër të madh krimesh monstruoze për të treguar se fuqia e klanit mbetej e paprekur, pavarësisht proceseve dhe dënimeve. Në shtator 2008, për shembull, Setola udhëhoqi masakrën e Castel Volturno, ku humbën jetën gjashtë migrantë afrikanë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me aktivitetet kriminale.
Për të kuptuar peshën e proklamatës kundër meje, duhet kuptuar gjithashtu historia dhe egërsia e autorit të saj. Bidognetti, i quajtur Cicciotto di Mezzanotte, sepse kushdo që i dilte peng biznesit të tij “shihte mesnatën”, drejton një organizatë që fuqinë e saj e ngriti mbi gjak, frikë dhe shkatërrim territorial përmes depozitimit të paligjshëm të mbetjeve toksike nga e gjithë Italia.
Në vitin 1993 ai urdhëroi vrasjen e Gennaro Falco, një mjek i pafajshëm që po trajtonte bashkëshorten e parë të Bidognettit, Teresa Tamburrino. Familja Bidognetti e akuzoi mjekun se nuk kishte diagnostikuar në kohë një tumor, duke i kushtuar jetën asaj. Vrasja u krye nga djali i Bidognettit, Raffaele.
Dhuna nuk filloi aty. Në dhjetor 1980, gjatë një shkëmbimi zjarri, Bidognetti përdori si mburojë njerëzore Filomena Morlando, 25 vjeçe, e cila mbeti e vrarë. Në një rast tjetër, një i ri i quajtur Antonio Petito, pa lidhje me Kamorrën, pati një konflikt me një nga djemtë e Bidognettit, Gianluca. Petito u vra për “mungesë respekti ndaj djalit të bos-it”.
Pas asaj proklamate në gjykatë, mbrojtja ime u forcua menjëherë, nga niveli tre (makinë e blinduar dhe dy agjentë) në nivelin dy (dy makina të blinduara dhe pesë agjentë). Jeta nën mbrojtje do të thotë ekzistencë në një të tashme të blinduar, në një shtëpi që është njëkohësisht strehë dhe burg. Do të thotë humbje jo vetëm të lirisë së lëvizjes, por edhe të lirisë ndërpersonale dhe emocionale. Çdo takim zhvillohet prapa dyerve të mbyllura. Nuk ka privatësi. Intimiteti zhduket. Spontaniteti shuhet.
Pasojat nuk janë vetëm praktike, por edhe të thella. Marrëdhëniet e mia romantike janë dëmtuar. Miqësitë janë rralluar nga pesha e situatës sime. Kushdo që ndërvepron me mua, ndien nevojën të më mbrojë, të thithë tensionin tim. Kjo është e padurueshme për këdo.
Për 17 vjet kam përballuar gjyqe, seanca dhe përpjekje për të njollosur emrin tim, jo vetëm nga klanet, por edhe nga elementë të shtetit që duhej të më mbronin, por në vend të kësaj e thelluan izolimin tim.
Gazetaria antimafia është izoluar, kriminalizuar dhe tërhequr zvarrë në gjykata. Në këtë heshtje, mafia ka fituar. Ajo e ka zhdukur nga diskursi publik, por jo nga realiteti. Ajo është shndërruar në një fuqi ekonomike, një formë kapitalizmi kriminal, e padukshme por përfshirëse.
Vendimi i 14 korrikut shkon përtej simbolikës: ai ishte një akt njohjeje gjyqësore se proklamata e Bidognettit në vitin 2008 ishte një kërcënim dhe drejtpërdrejt e lidhur me ndërmarrjen e tij mafioze. Mund të themi se ishte një “fatva”, një sinjal për këdo brenda klanit që dëshironte të ngjitej në hierarki, duke eliminuar një objektiv të shpallur me emër.
Për herë të parë në një proces kundër një organizate kriminale, shohim se mafia i konsideron gazetarët investigativë si shkakun kryesor të humbjeve të saj. Sipas kësaj logjike kriminale, të shkruash, të raportosh ose të hetohesh, do të thotë të ndërhysh në drejtësi. Dhe kështu, ata që shkruajnë për mafian duhet të ndëshkohen. Ky është një pranim se gjithçka që mund të më ndodhë nga tani e tutje do të mbajë firmën e tyre.
Unë dal nga ky kalvar i copëtuar. Kam sakrifikuar jetën time për një betejë që më ka përpirë plotësisht. Ekzistenca ime është një formë dënimi i përjetshëm, pezull midis frikës, izolimit dhe survejimit. Vetmia është ndëshkimi shtesë për guximin.
Është e mundur që asgjë të mos ndryshojë në Itali, por të paktën mund të them se kam ndihmuar të ekspozoj mënyrën se si funksionon mafia. Dhe besomëni, ajo nuk kufizohet vetëm në Itali, është një rrjet që synon edhe qendrat financiare globale, përfshirë Londrën.
Unë do të mbetem nën mbrojtje policore për një kohë të pacaktuar, sepse gjyqtarët konfirmuan se bosët mafiozë kanë frikë nga ajo që shkruaj. Por unë nuk dua të jetoj më kështu. Pak nga pak, do të marr përgjegjësinë për të rimarrë lirinë time, për të rimarrë jetën time, edhe me rrezikun tim personal. Mjaft me këtë gjysmë ekzistence: as plotësisht gjallë, as e vdekur. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje