
Nëse gjetiu njerëzit dalin në shesh dhe bërtasin derisa t’u ikë zëri, shqiptari e ka gjetur formulën magjike: ndaj qeverisjes në Facebook proteston po në Facebook.
Diella u ul përballë ekranit si para një altari. Nuk po kërkonte punë, as receta gatimi. Ajo po studionte udhëheqjen digjitale. Me përulësinë që e karakterizon ndaj Diellit që na ndriçon me dritën e tij nga celulari, ajo hapi regjistrat e historisë moderne: faqet e Facebook-ut.
Diella hodhi sytë nga rajoni dhe bota dhe u tmerrua nga "dembelizmi" i liderëve globalë. Nuk paska shtet atje?
Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë. Vetëm katër mijë ndjekës në Facebook. Skandal! Asnjë postim sot. Duket se grekët e kanë harruar që shteti mbahet me "story".
Milojko Spajiç, Kryeministri i Malit të Zi. Tridhjetë e tre mijë ndjekës. Qetësi. Zero postim. Malazezët njihen si dembelë. Nuk ke çfarë pret prej tyre.
Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, boshti i BE-së. Heshtje totale. A thua është rikthyer pandemia?! Gjermania dhe Franca paskan mbetur jetime pa një lajm "live" për të treguar si shtrohet asfalti, apo si pritet shiriti i një ure. Kancelari Merz, që ka 133 mijë ndjekës në Facebook, ka plot dhjetë ditë pa postuar. Skandal! 80 milionë banorë dhe kancelari ka me pak ndjekës se një deputete nga Fieri?!
Por ka edhe më keq.
Presidenti i SHBA Donald Trump. Edhe numri një i Botës ka postuar dje, “vetëm” një fjali. Një thirrje për Zotin dhe ushtrinë. Kaq pak? Si mund të jetë superfuqi SHBA me një postim në dy ditë?
Edhe Georgia Meloni e Italisë asnjë postim sot?! Italia bën pjesë edhe në G7.
Ëmbëlsira për në fund. Shqipëria. Vendi ku unë jam ministre. Vendi ku Dielli ndriçon edhe natën, madje nuk perëndon fare!
Ai ka 1.6 milionë ndjekës në Facebook! Ai nuk qeveris një popull, ai qeveris një server. Ndërsa bota pushon të shtunën, këtu punohet. Plot pesë postime sot. Më shumë se e gjithë pjesa tjetër e globit bashkë.
Në Shqipëri, po nuk u hodh postimi në Facebook, asfalti nuk ngjit në rrugë, mjekët nuk shërojnë dot pacientët, rosat nuk lahen në liqen dhe dielli as lind e as perëndon.
Por nëse qeveria qeveris në Facebook dhe Instagram, populli nuk mbetet pas.
Populli është edhe më “modern” se qeveria.
Nëse gjetiu njerëzit dalin në shesh dhe bërtasin derisa t’u ikë zëri, shqiptari e ka gjetur formulën magjike: ndaj qeverisjes në Facebook proteston po në Facebook.
Rrjetet sociale mbushen me komente të tipit: "T’ju vijë rëndë".
Fitorja shpallet kur statusi merr mbi 100 "share".
Ne këtu kemi shpikur demokracinë e celularit-it. Një sistem unik ku qeveria shtyp butonin "post" dhe populli shtyp butonin "refresh". Asnjë protestues në shesh. Asnjë për bé. Vetëm gishtat që rrëshqasin mbi xhamin e ftohtë.
Përfundimi: Shqipëria ime fort e dashur mbetet i vetmi vend ku, nëse bie Facebook-u, ose WhatsApp-i bie qeveria, por zë përfund dhe opozitën.
Qeveri e Facebook-ut, nga Facebook-u, për popullin e Facebook-ut.
Në fund të ditës, të gjithë janë të lumtur: qeveria merr "likes", populli shfryn në komente, asgjë nuk ndryshon, por çdo gjë shkëlqen në Instagram!
Amen.
Lini një Përgjigje