Pozicioni i Serbisë është i rëndësishëm dhe mbetet kompleks për arsye të shumta, duke përfshirë historinë, kontekstin kulturor, politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare...
Pikërëndesa e kësaj iniciative do të duhej të përqendrohej tek strategjia jonë e sigurisë që përcakton levat e qarta të mbrojtjes dhe sigurisë. Demonstrimi ushtarak i Serbisë përmes sprovës që ushtroi më 24 shtator tek organizoi aksion diversiv ushtarak në veri të Republikës sonë, duhet të trajtohet edhe nga partnerët tanë si “sfida më e madhe strategjike” për Republikën tonë. Pikërisht për këtë Kosova duhet të shpenzojë edhe më shumë për mbrojtjen duke qenë në një aleancë të tillë sigurie me SHBA-të, Britaninë e Madhe etj., duke marrë përsipër rol më të rëndësishëm ushtarak edhe për ruajtjen e paqes në rajon.
Kosova urgjentisht ka nevojë të rrisë “aftësinë ushtarake mbrojtëse”, por njëkohësisht edhe “aftësinë ushtarake kundërsulmuese”, për neutralizimin e pozicioneve të raketave në territorin serb.
Pozicioni i Serbisë është i rëndësishëm dhe mbetet kompleks për arsye të shumta, duke përfshirë historinë, kontekstin kulturor, politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Më poshtë po sjellë disa nga arsyet pse Serbia mund të shihet si një sfidë për paqen në Europën Juglindore:
1. Pasojat e Luftës në Jugosllavi: Lufta në Jugosllavi (1991-2001) solli përveç shpërthimeve ekstreme të dhunës me përmasa gjenocidi, edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe ndarje të komuniteteve etnike. Serbia, si pjesë e ish-Jugosllavisë, respektivisht si njësia qendrore përbërëse e asaj federate të sllavëve të jugut, siç tregon edhe emri i saj, ka pasur një rol të rëndësishëm, qendror në procesin e shkërmoqjes ës Federatës Jugosllave. Ajo ishte shkaktarja e katër luftërave të njëpasnjëshme, duke përfshirë edhe luftën e fundme në Kosovë, që kishte përmasat e gjenocidit.
2. Marrëdhëniet etnike: Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore në rajon, duke përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe Malin e Zi kanë qenë dhe janë burim tensionesh dhe konfliktesh të vazhdueshme. Vazhdimi me konsekuencë i politikave ekspansioniste nga ana e Serbisë dhe mospajtimet ndërmjet komuniteteve etnike kanë rënduar stabilitetin dhe paqen.
3. Mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës: Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe Greqia e Qiproja dhe disa vende tjera nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke shkaktuar tensione dhe pengesa në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kjo çështje mbetet një pikë e ndërlikuar dhe si e tillë prodhon pasiguri në rajon.
4. Politika e jashtme dhe marrëdhëniet me fqinjët: Serbia ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë marrëdhënie të ndryshme me fqinjët e saj, duke përfshirë Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe Kosovën. Tensionet e shfaqura në këto marrëdhënie, veçanërisht në lidhje me çështjen e Kosovës, që kulmuan me agresionin e hapur më 24 shtator, janë burim që prodhojnë pasiguri permanente.
5. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian: Serbia është duke përjetuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por ka pasur sfida të ndryshme dhe kërkesa të cilat duhet të plotësojë për të përparuar në këtë rrugë. Masat e paralajmëruara parashikohen të jenë politike e financiare. [1] Këto masa edhe mund ta largojnë Serbinë për kohë të papërcaktuara nga BE-ja.
Për të përmirësuar stabilitetin dhe të ndihmuar në mbrojtjen e paqes, është e rëndësishme për Serbinë dhe vende të tjera të rajonit të përmirësojnë marrëdhëniet ndëretnike, të zbatojnë dialogun dhe të promovojnë bashkëpunimin ndërkombëtar. Është gjithashtu e rëndësishme të vazhdojë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar për të inkurajuar zgjidhje të qëndrueshme dhe të ndihmojë në formimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe paqësor.
***
Ndikimi dhe ushtrimi në sferën e politikës së jashtme nga na e Republikës së Kosovës ndërkohë është relativisht modest, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe predisponimin e Perëndimit për ta shkëputur Serbinë nga orbita ruse e interesit dhe influencës.
Pika jonë fillestare analitike, ku do të duhej ne të përqendroheshim, mbetet fakti se arkitektura e sigurisë europiane pas agresionit rus ndaj Ukrainës është cenuar rëndë dhe interesat gjeopolitike edhe në raport me Europën Juglindore janë në ndryshim e sipër.
Europa përgjithësisht është kërcënuar tashmë ta humbasë rolin që kishte pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ndryshimeve të thella që prodhoi shkërmoqja e Bashkimit Sovjetik.
Aleancën e Sigurisë mes Kosovës dhe SHBA-ve etj. Në këtë kuadër duhet ta trajtojmë edhe si kontribut në procesin e mbrojtjes dhe promovimit të arkitekturës së sigurisë rajonale. Në këtë mes roli i Shqipërisë është i një rëndësie të veçantë, ndërkaq partneriteti ndërmjet dy republikave tona – Shqipërisë dhe Kosovës mbetet strategjik dhe orientues për të ardhmen euro-atlantike të shqiptarëve në tërësi si Komb.
Agresioni i 24 shtatorit i organizuar dhe drejtuar nga Serbia ka dy rrënjë: e para, tek dëshira, respektivisht politika tradicionale nacionaliste serbe për zgjerim dhe e dyta, ideologjia pansllaviste me pretendime të qarta për koordinim në proces krijimi të të ashtuquajturës “Botë ruse” me “Botën serbe”.
Koncepti i politikës sonë të jashtme i rishikuar, do të duhej të bazohej në këtë “strukturë bazë bipolare-dualiste”, siç do të thoshte Hans-Peter Schwarz, që do të lëvizte nga një pozicion fillimisht mbrojtës, në atë antiautokratik dhe antirus. Ky veprim yni i koordinuar kërkon të zhvillojmë një strategji proaktive që do ët kurorëzohej me krijimin e kësaj aleance të sigurisë në bashkëpunim të ngushtë me dyshen SHBA-Britani e Madhe në embrion, si preventivë diplomatike për garantimin e sigurisë në rajon.
Dështimi në këtë kuadër nuk është një opsion për epokën e diplomacisë parandaluese. Në këtë kuadër pala kosovare tutje duhet të ndërtojë raporte partneriteti me Perëndimin asesi të krijojë perceptimin se Kosova mund të rrëshqas në terren tjetër. Shih për këtë, ne duhet të ndërmarrim veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Reagimi gjithsesi duhet të jetë i përqendruar dhe koordinuar, si Komb dhe me aleatët tanë të natyrshëm. Konform përgjegjësisë historike.
“Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Europës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal.”[1]
Në strategjinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për dy vjet e ca vlerësohet se ajo ia ka arritur që Kosovën ta shndërrojë nga një objekt politik në një subjekt bashkëveprues, duke insistuar në përmbylljen e procesit të shtetndërtimit me funksionalizimin e plotë të Republikës në gjithë hapësirën e saj. Sipas kësaj logjike veprimi, “diga kundër rrezikut serb” mund të qëndrojë vetëm nëse Kosova vazhdon me konsolidimin e saj dhe ecjen më të përshpejtuar drejt aderimit në NATO. Ne duhet, në këtë hapërim, sidomos pas 24 shtatorit, t’ia bëjmë të qartë aleatëve tanë se, siguria e brendshme e Republikës garanton një lloj “sigurie të jashtme” të saj.
Për agresionin e 24 shtatorit në Banjë [Banjska) , në veri të Republikës, ish presidenti slloven Borut Pahor pohoi se “nëse del se Serbia qëndron pas gjithçkaje, do të thotë se në Beograd është marrë një vendim që nuk ka vend në BE, por që mbetet në sferën e interesit të Moskës. Ky do të ishte një lajm i trishtuar dhe do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të zbulohej se pas gjithçkaje qëndron politika zyrtare serbe”.[2]
Diplomacia perëndimore kështu gradualisht do të detyrohet ta pranoj këtë fakt, se përcaktimi i Serbisë për tu pozicionuar për ruajtjen e selitjen e marrëdhënieve me Rusinë, është i natyrës gjeopolitike dhe përcaktim i vullnetit politik të vetë Serbisë.
___________________________________
1. Ditmir Bushati, 8 tetor, 2023: https://www.facebook.com/ditmirbushati.al
Lini një Përgjigje