
Edi Rama është detyruar të prodhojë një mori gënjeshtrash, hiperbolash dhe spekulimesh për të përligjur misionin që ka marrë përsipër. Sjellja e tij të shtyn të dyshosh se atij i’a kanë lënë projektin e asociacionit në dorë...
Edi Rama është futur në një spirale manipulimesh, për të përligjur atë që duan urgjent dhe me çdo kusht në Beograd: themelimin e një asocacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në fillim të qershorit, ai bëri ç’është e mundur për të vënë këtë çështje në epiqendër të konfliktit të rindezur në komunat e veriut. Ai pretendoi se ka hartuar një draft sekret, për formën dhe modalitetet që duhet të përfshijë ky asocacion. Për ta shtyrë përpara këtë ide, që përkonte me qëllimin e Vuçiçit për ta reduktuar gjithë marrëveshjen me 11 pika të projektit franko gjerman, vetëm tek asociacioni, kryeministri u detyrua të bëjë disa hapa fallco.
Le të mos përmendim këtu faktin se asnjë lider serioz shteti, nuk shpall para publikut projekte për zgjidhjen e krizave, duke deklaruar njëkohësisht se thelbi dhe hartuesit e draftit duhen mbajtur sekret. Besoj se nuk ka një rast të dytë të sjelljes politike: “e kam…, po s’jua tregoj”. Le të harrojmë për një çast edhe faktin se lideri ynë propozon një draft kompromisi, pa e konsultuar atë me asnjërën nga palët dhe për më tepër pa u marrë vesh paraprakisht me Prishtinën.
Por, pa marrë parasysh këto shkarje, Edi Rama është detyruar të prodhojë një mori gënjeshtrash, hiperbolash dhe spekulimesh për të përligjur misionin që ka marrë përsipër. Sjellja e tij të shtyn të dyshosh se atij ia kanë lënë projektin e asociacionit në dorë, duke e detyruar ta shpallë botërisht atë.
Manipulimi i parë. Ditën që pohoi se ka në duar një draft për asociacionin që, do ia dërgonte presidentit Makron dhe kancelarit Sholz, kryeministri e pompoi atë me një iluzion të rremë. Ai tha se zgjidhja e kësaj nyje gordiane do ti hapte rrugën pranimit të Kosovës në OKB dhe njohjes përfundimtare nga Serbia
Pra ai arriti deri aty sa të premtonte gjëra me të cilat. jo vetëm nuk ka lidhje Tirana, por janë të vendosura t’i pengojnë Beogradi, Moska dhe Pekini. Kurrë deri më tani shteti serb nuk ka pranuar ta njohë në asnjë skenar Kosovën, madje udhëheqësit e atjeshëm, përfshirë dhe Vuçiçin mburren se nuk do ta bëjnë kurrë këtë. Rusia dhe Kina si protektore të Serbisë me veto në Këshillin e Sigurimit nuk e kanë evokuar kurrë këtë hipotezë. Po atëherë pse Rama lëshon broçkulla që nuk varen prej tij?
Manipulimi i dytë. Gjatë një konference shtypi në kryeministri, shefi i qeverisë e stigmatizoi qasjen e Albin Kurtit për të refuzuar çdo plan të inspiruar nga Serbia si një mundësi të humbur për të arritur marrëveshjen. Ai mori për shembull filmin biografik, ‘Golda”, për rolin e ish kryeministres izraelite, Golda Meir, në luftën e Kippurit (1973) mes arabëve dhe Izraelit. Shiheni atë film dhe vëreni fytyrën e Sadatit kur u detyrua të nënshkruajë paqen iu drejtua ai gazetarëve. Por, ndonëse Rama përmendi emrin e aktores Helen Mirren, ndonëse ai i referohej ish presidentit egjiptian Anouar Sadat, njohuritë e tij kinematografike nuk e justifikonin dot paralelen që bëri me Kosovën. Pretendimi se kur humbet rastin për të nënshkruar një marrëveshje më të mirë, të vjen më pas një më e keqe, nuk kishte pikë lidhje, as me kontekstin e luftës së Kippurit, kur paqja u nënshkrua pas disfatës, as me aktualitetin kosovar, kur nuk janë shqiptarët ata që kanë sulmuar Serbinë. Thjesht krahasimi qe një bllof.
Manipulimi i tretë. Së fundi, në kontekstin e masakrimit që po i bëhet rripit të Gazës, kryeministri aludoi se nëse Albin Kurti nuk pranon asocacionin, populli i tij do të ketë fatin e palestinezëve të mbetur pa shtet. Dhe për këtë solli në kujtesë një bisedë që pretendon se ia paska treguar ish presidenti Klinton, gjatë vizitës së fundit në Tiranë. Sipas saj, në momentet e fundit, Yasser Arafati, e gënjeu presidentin amerikan dhe nuk pranoi planin e paqes për krijimin e dy shteteve, të cilin qe i gatshëm ta nënshkruante edhe kryeministri hebre, Ehud Barak. “Thuaj miqve të mi kosovarë të mos bëjnë të njëjtin gabim”, pretendon Rama të jetë porositur nga Klinton.
Pa pasur prova të tjera për vërtetësinë e kësaj këshille, një gjë mund të thuhet me siguri. Yasser Arafati, nuk ishte fajtori i vetëm i dështimit të marrëveshjes në Camp Davit. Ndonëse një ide e tillë është përhapur gjerësisht, njerëz shumë pranë ish presidentit amerikan e kanë hedhur poshtë këtë hipotezë. Një nga këshilltarët më të afërt të Klinton, Robert Malley, e ka shpjeguar në detaje për New York Times, rënien e mitit për përgjegjësinë e vetme të liderit të Fatahut. Pra edhe referenca është e dyshimtë, për të mos thënë pastaj se krahasimi mes Kosovës dhe Palestinës, sidomos tani në kuadrin e masakrimit të popullsisë së saj, është krejtësisht i pavend.
Po pse Edi Rama ndryshon kontekstin e paqes së munguar mes Arafatit dhe Barakut për ta përdorur atë si shembull për Kosovën? Pse ai i ndryshim krejtësisht thelbin e mesazhit, biopikut për Golda Meir, duke dashur ta imponojë si një referencë për Albin Kurtin? Pse ai manipulon në mënyrë banale duke thënë se nënshkrimi i asocacionit, do sigurojë ulësen në OKB dhe njohjen e ndërsjellët me Serbinë? Asnjë mendje e shëndoshë nuk gjen dot arsye tjetër veç asaj për të vendosur asocacionin në epiqendër të planit Franko Gjerman, ashtu sikurse do Vuçiçi, të cilit nuk i interesojnë nenet e tjera të marrëveshjes së Brukselit që njohin “de facto” pavarësinë e Kosovës. Dhe ky prioritet bëhet gjithnjë e më urgjent tani pas ngjarjeve në Banjskë ku shumë zëra ndërkombëtarësh kanë filluar të ngrenë pyetjen se “a është pikërisht ky momenti për t’i dhuruar profileve kriminale si Radoiçiçi një influencë më të madhe mbi serbët lokalë”.
Fiks në këto çaste, kur mund të hapet diskutimi mbi zmbrapsjen e këtij opsioni, Rama këmbëngul ta bëjë atë prioritar. Për qëllimin që e shtyn, spekulimet është i lirë t’i bëjë gjithkush. Por ama një gjë është e sigurt. Me sa duket edhe ai vetë është i bindur se ka diçka që çalon, përderisa rreket ta kompensojë idenë që mbështet me një varg manipulimesh të ulëta. / Lapsi.al
Lini një Përgjigje