
Të dyja palët kanë hequr dorë nga arsyeja, dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve...
Konflikti midis arabëve dhe hebrenjve mbi territorin midis Luginës Jordan dhe Detit Mesdhe -me në qendër qytetin e shenjtë të Jeruzalemit, i cili është tani kryeqyteti i shtetit të Izraelit - po zgjat për më shumë se 100 vjetësh. Por tani ai po ndryshon, dhe jo për mirë.
Gjithçka nisi nën sundimin e sulltanëve osmanë dhe vazhdoi pas Luftës së Parë Botërore, kur një mandat i Lidhjes së Kombeve ofroi një fasadë të hollë për atë që në fakt ishte një sundimi kolonial nga dy fitimtarët evropianë, Britania e Madhe dhe Franca.
Më pas erdhi Lufta e Dytë Botërore, e cila përfundoi me rënien e regjimit nazist në Gjermani. Në vitin 1947, një shumicë prej 2/3 e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, një institucion i sapo-krijuar, ra dakord për një plan ndarjeje për territorin e Palestinës.
Ndërkohë një vit më vonë, me skadimin e protektoratit britanik, u themelua shteti i Izraelit.
Ky akt çoi në luftën e parë të Lindjes së Mesme midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, të cilët u mposhtën brenda një viti, duke shkaktuar zhvendosjen masive të shumë arabëve nga territori i kontestuar (një ngjarje e njohur si Nakba, që në gjuhën arabe do të thotë “katastrofë”).
Por luftëra të tjera do të pasonin gjatë dekadave të ardhshme, duke sjellë zhvendosje dhe dëbime të tjera. Përgjatë gjithë kësaj beteje shekullore, bota ka pësuar ndryshime të mëdha dhe të thella gjeopolitike, nga rënia e perandorive të vjetra koloniale e deri tek dy luftërat botërore dhe Lufta e Ftohtë që zgjati shumë.
E megjithatë, konflikti izraelito-palestinez ka mbetur kryesisht një çështje rajonale, apo edhe thjesht një çështje lokale midis dy popullsive të vogla në numër. Në dallim nga kriza e Sarajevës në verën e vitit 1914, ky konflikt nuk ka nxitur kurrë një konflikt global apo një përplasje të fuqive të mëdha, që të kulmonte në një luftë botërore.
Por tani edhe ky realitet gjeopolitik mund të jetë duke ndryshuar para syve tanë. Po bëhet thuajse një vit që kur Hamasi sulmoi zonën kufitare të Izraelit me Gazën, duke masakruar civilë dhe duke marrë qindra pengje, përfshirë të rinj e të moshuar, gra dhe fëmijë.
Lufta që e pasoi në Gaza, ka shkaktuar një kosto të tmerrshme për civilët palestinezë, në mesin e të cilëve fshihen militantët e Hamasit, së bashku me armët që zotërojnë. Por që nga fillimi, kjo luftë ka qenë më shumë se sa thjesht një kapitull tjetër i përgjakshëm në konfliktin shekullor hebreo-palestinez mbi të njëjtin territor.
Konteksti më i gjerë i pamohueshëm, është lufta për hegjemoni rajonale midis Iranit dhe “boshtit të tij të rezistencës” dhe atyre që e kundërshtojnë atë. Që kur Irani nisi një sulm raketor të paprecedentë kundër Izraelit nga territori i tij më 13 prill, të dyja vendet kanë qenë në një gjendje lufte të pashpallur, dhe jo mbi ndonjë pjesë territori.
Ky konflikt ka një dimension shumë më të madh, sepse për sa kohë që Izraeli, një nga fuqitë më të forta ushtarake në Lindjen e Mesme, ekziston si shtet, Irani nuk mund ta arrijë synimin e tij për hegjemoni rajonale. Pra për Iranin, Izraeli është kryesisht një mjet për këtë qëllim. Shteti hebre i ofron atij një avantazh vendimtar ndaj rivalit të tij kryesor arab, Arabisë Saudite, duke siguruar një arsye ekzistence për Hamasin, Hezbollahun dhe pjesëmarrësit e tjerë në Boshtin e Rezistencës. Programi i avancuar bërthamor i Iranit, është një mjet tjetër në funksion të të njëjtit qëllim.
Një Iran i armatosur me armë bërthamore, do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, dhe ndoshta edhe globalisht. Tashmë që ndihet rreziku i një lufte të madhe rajonale në Lindjen e Mesme, nuk ka të ngjarë që dikush të jetë në gjendje ta frenojë atë.
Irani dhe milicitë që e përfaqësojnë në rajon, janë zotuar të hakmerren për vrasjet e fundit nga Izraeli ndaj zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut, respektivisht në Teheran dhe Bejrut. Në një botë që po pëson ndryshime të mëdha, dhe që është gjithnjë e më të paqëndrueshme, konflikti shekullor i Lindjes së Mesme është shndërruar në diçka të re.
Në të janë të përfshira të gjitha fuqitë e mëdha - meqë Irani është një partner i ngushtë me Rusinë dhe Kinën - dhe statusi i rajonit si një eksportues kryesor i energjisë, nënkupton se çdo përshkallëzim i mëtejshëm, do të sjellë përçarje të rënda ekonomike globale.
Ashtu si në vitet 1970, Lindja e Mesme ka potencialin të shkaktojë një krizë ekonomike globale. Por këtë herë, nuk ka në horizont ndonjë zgjidhje të qëndrueshme. Sepse që të gjitha palët e përfshira janë të bindura me kokëfortësi për shanset e tyre. As palestinezët dhe as izraelitët nuk do të dorëzohen kurrë.
Duke rrezikuar një luftë më të gjerë me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në ndjekje të hegjemonisë rajonale dhe armëve bërthamore, regjimi iranian mund të shkaktojë fundin e vet. Por ndërkohë, edhe Izraeli do të vazhdojë të izolohet ndërkombëtarisht, duke e vazhduar më tej fushatën e tij brutale ushtarake në Gaza. Të dyja palët kanë hequr dorë nga arsyeja, dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Shënim: Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës/kancelar në vitet 1998-2005.
Lini një Përgjigje