TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Shkurt 2024, 15:07

Protesta e Opozitës, si duhet lexuar ajo?!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Protesta e Opozitës, si duhet lexuar ajo?!

Bashkimi u bë, nuk zhbëhet më, ishte minimumi si detyrim ndaj njerëzve. Tani duhet të bëhemi fitues dhe jo servilë. Të mbetemi kritik dhe të mbledhim rreth vetes gjithkënd që e do mendimin e vet dhe respekton shumicën...

Me thirrjen e Opozitës më 20 Shkurt, u realizua një protestë e madhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një farë mënyrë ajo i zhgënjeu të gjithë, dikë pozitivisht e të tjerë negativisht.

Arsyet pse ata dolën janë disa. Bashkimi i PD-së është elementi më thelbësor. Kjo ngjarje nuk është çështje numrash por fryme dhe shprese. Ajo e arriti këtë. Instinkti bazik i një shoqërie që bombardohet ore e çast me propagandë qeveritare e diplomatike në shërbim të pushtetit vepron në ndërgjegjet individuale. Mungesa e çfardoshme e hapësirave të lirisë ku të përfaqësohet zëri dhe populli opozitar ka zhbalancuar gjithçka.

Perceptimi në rritje që Sali Berisha është arrestuar pa akuzë në thyerje të Kushtetutës si i përzgjedhur për tu bërë shembull tek gjithsecili ka shkaktuar pikëpyetje. Aferat korruptive, skandalet me paranë publike, arroganca e një qeverie e cila na vërtit 11 fytyra në 11 vjet, e varfër dhe e lodhur tashmë edhe në retorike. Të gjithë përdorin nga  10 fjalë për kokë!

E pasur vetëm në arrogancë dhe harbutëri gjuha e tyre politike është shndërruar në provokative  për shoqërinë. Figura të spikatura të kësaj mazhorance që kanë ngrënë “fiq, kumbulla, dardhë, mjaltë, tasqebap, paçe pilaf, kukurec dhe kërmë pas shpine janë në burg”. Askush nuk mban përgjegjësi për ta, as morale as politike. Diskursi publik me regji qendrore është përqendruar mbi opozitën! Të krijohet përshtypja se korruptohet qeveria-fajin e ka opozita!

Kopuku bëhet ministër, fajin e ka opozita! Ikin shqiptarët e boshatiset vendi, fajin e ka opozita! Prishet Kushtetuta dhe gëlon krimi, fajin e ka opozita! Vidhen zgjedhjet, fajin e ka opozita. Proteston opozita në Kuvend për trasparencë e llogaridhënie, përjashtohen nga 23, 19 deputet të saj, ajin e ka opozita!

Kërkojnë shqiptaret integrim, standarde, mirëqenie, nuk i kemi, fajin e ka opozita. Nuk ka rrugë veriu, nuk udhëtohet dot nëpër të, fajin e ka opozita. Shqiptarët ndihen të sulmuar kudo e në çdo gjë ndaj ata protestojnë. Ata po i japin kredite opozitës që të lexojë dëshirën e saj për ndryshim rrënjësor,  të asaj si parti politike dhe të Shqipërisë njëkohësisht. Protesta nuk kërkon vetëm prapanica për të njëjtat karrige por njerëz që rrinë në këmbe për ti shërbyer shoqërisë, jo si komisar por si individ e grupe politike me integritet, ide dhe alternativa. Natyrisht meritë kanë dhe strukturat e PD por kësaj here populli e tejkaloji atë dhe PD duhet të ndihet mirë, duhet ta përkthejë si duhet atë mesazh dhe jo ta përkufizojë atë me gjuhë të vjetër dhe me aparatçikë.

Njerëzit nuk po kërkojnë të kundërtën në të ngjashme por të ndryshmen. Duke u afruar koha e zgjedhjeve shoh që shtohen servilat dhe hallexhinjtë. Partitë politike shqiptare, PS dhe PD kanë shumë të tillë po shumë të cilët në ligjetimim e tyre synojnë veshët dhe emocionet e Liderit. Duan ti shfaqin besnikëri deri në budallallëk deri në asgjësimin publik të karakterit. Pyetjes a dolën shumë njerëz për Sali Berishën në protestë, i përgjigjem sigurisht që po, por shumica e tyre dolën për të gjitha arsyet bashkë. Por ata dolën për shumë më tepër se kaq!

Ata i thanë opozitës shpejto, vrapo, ndiqe dëshirën për ndryshim dhe përgjigju asaj me program, ide, oferta dhe njerëz të rinj sa më shumë të tillë! Lider është Berisha prej 34 vitesh, dhe jo të gjithë bashkëudhetarët e tij duhet të jenë fytyra e “re” e PD. Ai këtë pozicion e merr me votë, ndonëse personalisht do kisha preferuar realitet tjetër, po të tjerët si “ besnik” të tij mbijetojnë? A mjafton kaq! Të gjithë duhen, por secili duhet të bëhet i arsyeshëm për të shtuar numrat, jo të asgjësojnë vetveten duke “rritur” Berishën që t'ua kthejë me vendin  në listë.

Bashkimi u bë, nuk zhbëhet më, ishte minimumi si detyrim ndaj njerëzve. Tani duhet të bëhemi fitues dhe jo servilë. Të mbetemi kritik dhe të mbledhim rreth vetes gjithkënd që e do mendimin e vet dhe respekton shumicën. Na duhen të gjithë ata demokratë e qytetarë që besojnë tek SPAK-u, na duhen gjithë ata që nuk duan konflikt me ambasadën e SHBA-së në Tiranë.

Edi Ramën, kështu e mundim, me të ndryshmen!  Me të njëjtat forma të tij, kam fort dyshime.

Lini një Përgjigje

Forum