
Sali Berisha nxiti një linçim të deputetëve të PD-së firmëtarë pro Shabanit si tradhtarë dhe matrapazë të vegjël, në funksion të mbulimit të pazareve të tij, duke u faturuar zhgënjimin e kandidatëve të tjerë pretendentë.
Zhurma dhe sherrnaja politike për çështjen e Avokatit të Popullit është një pazar i shkuar keq (huq) i Sali Berishës për rrethana dhe zhvillime deri diku të pavarura prej tij, por që është një tjetër tregues që konfirmon se ndërmarrja e tij me karakter familjar (PD-ja) jo vetëm e ka merituar qëndrimin prej 13 vitesh në opozitë dhe serinë e disfatave elektorale, por do të qëndrojë shumë gjatë larg pushtetit.
Së pari, 28 deputetë të opozitë ka shprehur vullnetin përmes firmës që Endri Shabani të bëhet Avokat i Popullit me miratimin e Sali Berishës, leje kjo e shpallur përmes Flamur Nokës. Deputetët e PD-së as perden nuk e lëvizin dot pa lejen e Berishës, jo më të mbështesin një Shabanin, i shpallur më pas armik i infiltruar nga Rama në gjirin e SHQUP-it dhe sorosist.
Së dyti, arsyeja se pse Berisha mbështeti Shabanin për Avokat të Popullit konsiston në pazarin sipas të cilit Shabani do të mbështeste kandidatin e 'pavarur' të Familjes Berisha, Florjan Binajn, në garën për Bashkinë e Tiranës.
Së treti, pasi Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet për Tiranën, duke zhvlerësuar pazarin Berisha-Shabani për mbështetjen e Binajt, Berisha nisi të etiketonte Shabanin si xhol të Edi Ramës, duke u ankuar se Rama nuk po i qëndronte 'parimit' që Avokati i Popullit i takonte opozitës, thua se ky institucion ishte një plaçkë që duhej ndarë mes kaçakësh.
Së katërti, për të mbuluar pazarin që shkoi keq me Shabanin, Sali Berisha, përmes shejtan-budallait Flamur Noka, akuzoi Ervin Salianjin se kishte lobuar dhe u kishte mbushur mendjen disa deputetëve të PD-së që të mbështesnin Shabanin, duke fyer rëndë kështu deputetët, të cilët po i paraqet si ca fëmijë që i ka gënjyer një dashakeq tek cepi i pallatit me çokollata.
Së pesti, Sali Berisha nisi ta quante gabim të rëndë mbështetjen (me lejen e tij) ndaj Shabanit me qëllim për t'u hedhur hi syve kandidatëve të tjerë të PD-së për Avokat të Popullit, me shpresë se nuk do ta kuptonin lojën e tij të radhës pas kurrizit të tyre.
Së gjashti, Sali Berisha nxiti një linçim të deputetëve të PD-së firmëtarë pro Shabanit si tradhtarë dhe matrapazë të vegjël, në funksion të mbulimit të pazareve të tij, duke u faturuar zhgënjimin e kandidatëve të tjerë pretendentë.
Së shtati, në shenjë 'revolte' braktisi seancën, duke mundësuar miratimin pa oponentë dhe rezistencë të amnistisë fiskale, ku përfitojnë disa shokë të Shkëlzenit.
Lini një Përgjigje