
Niveli i dhunës, brutalitetit, banalitetit, anormalitetit në politikën shqiptare rrezikon rëndë, jo vetëm shëndetin mendor të politikanëve, por edhe të atyre që i ndjekin ata. Mjafton të shohësh gjuhën me të cilën liderët politikë flasin, mënyrën sesi komunikojnë, vendimet që marrin, eksitimin e tyre para kamerave apo edhe mënyrën sesi pozojnë për tu bindur që ata nuk janë normalë.
Ish-zëdhënsi i Tony Blair-it, Alastair Campbell, thoshte para disa vitesh se dikur i kish sugjeruar atij për të marrë këshilla tek një mjek psikiatër. Pavarësisht se Blair nuk pranoi, pasi mendonte se kjo do ta dëmtonte në sytë e publikut, Campbell shprehej se kjo duhet të ishte shumë normale, madje, sipas tij, të gjithë politikanët, 100 përqind, kanë nevojë për psikiatër, për shkak të tensioneve të vazhdueshme me të cilat përballen. Terapia do t’i ndihmonte ata të përballen me sfidat në jetën profesionale dhe personale.
Nëse kjo vlen për politikën britanike, në Shqipëri duhet të jetë me detyrim. Niveli i dhunës, brutalitetit, banalitetit, anormalitetit në politikën shqiptare rrezikon rëndë, jo vetëm shëndetin mendor të politikanëve, por edhe të atyre që i ndjekin ata. Mjafton të shohësh gjuhën me të cilën liderët politikë flasin, mënyrën sesi komunikojnë, vendimet që marrin, eksitimin e tyre para kamerave apo edhe mënyrën sesi pozojnë për tu bindur që ata nuk janë normalë.
Çekuilibri emocional që shfaqet nëpër fjalime, me britma, shenja nevrastenizmi, të qeshura të sforcuara tregon simptomat e histerisë apo çrregullimeve bipolare. Ekzaltimi nga duartrokitjet, brohoritjet, lëvdatat, si dhe ideja se ata kanë në dorë fate njerëzish apo edhe fatet e vendit, me të cilët mund të luajnë dhe argëtohen provokon narcizmin dhe delirin.
Gjuha e dhunës, akuzave dhe asgjësimit të kundërshtarit ngrihet në nivel sadizmi deri në kanibalizëm politik. Intrigat, hilet, lojëra e përditshme kultivojnë paranojën dhe skizofreninë. Teoritë e konspiracionit, idetë fikse se të tjerët shtyhen nga dikush në veprimet e tyre, mendimet e çorganizuara, sjelljet eksentrike, shfaqin simptomat e psikozave. Prirjet e herëpashershme për veprime ekstreme, luhatje humori, ndryshime të befasishme të qendrimeve, sjellje impulsive, të paqendrueshme, ulje-ngritjet emocionale tregojnë çrregullime të personalitetit kufitar.
Ky lloj çekuilibrimi përcillet më pas tek militantët. Si efekt kolateral i kësaj gjuhe politike, shohim masivisht turma njerëzisht që, pasi e ngjyejnë gjuhën në helmin e retorikës histerike të liderëve të tyre, dalin xhiro nëpër rrjete sociale për të pështyrë këdo që nuk flet mirë për ta. Agresiviteti, urrjetja patetike, mllefi, fyerjet e shpifjet e zbrazura si pa të keq ndaj kujtdo, janë shfaqje te një përkeqësimi të thellë të shëndetit mendor të shoqërisë sonë, produkt i një kulture politike banale që vazhdon të intoksikojë publikun prej 30 vjetësh. Pasojat i gjejmë kudo në realitetin e përditshëm.
Lini një Përgjigje