
Ajo që nevojitet sot nuk janë thjesht vendimet e lehta, por të drejta. Sepse zgjedhjet e bëra sot do të diktojnë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe stabilitetin dhe paqen afatgjatë të botës...
Që nga marrja e detyrës më 20 janar, administrata e Donald Trump e ka bërë prioritet përfundimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë aleatët evropianë, janë shumë të shqetësuar se në nxitimin për të arritur një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, Uashingtoni po i jep Kremlinit pikërisht atë që dëshiron.
Pra po e çliron nga përgjegjësia për nisjen e luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke mos e detyruar të paguajë për shkatërrimet e shkaktuara në 3 vite luftë. Zhvillimet dramatike që nga Konferenca e Mynihut, vetëm sa i kanë shtuar këto shqetësime.
Për herë të parë ndër shumë dekada, udhëheqësit evropianë po vënë në dyshim hapur rolin e SHBA-së si garantuese e sigurisë së kontinentit. A është i justifikuar ky perceptim? Dhe a mund të jetë braktisja e Ukrainës, një nga gabimet më të mëdha strategjike në historinë moderne të SHBA-së?
1. Forcat e Armatosura të Ukrainës
Sot për sot, Ukraina ka ushtrinë më të madhe në Evropë. Sipas vlerësimeve, ajo ka midis 700.000 dhe 1 milion trupa. Pra është më e madhe se forcat e armatosura të Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Britanisë së Madhe të marra së bashku.
Por avantazhi i vërtetë i Ukrainës shtrihet përtej këtyre shifrave. Ajo është gjithashtu e vetmja ushtri evropiane, me një përvojë në shkallë të gjerë dhe moderne në fushën e betejës. Forcat ukrainase kanë mësuar të përdorin armatimin perëndimor.
Ato e kanë përdorur atë në luftime të vërteta, dhe e kuptojnë shumë më mirë se të tjerët, se cilat sisteme funksionojnë në mënyrë efektive, dhe cilat kanë të meta serioze.
Brenda pak më shumë se një muaji Donald Trump dhe ekipi i tij - një kakistokraci, pra një qeveri e drejtuar nga personat më të këqij, më pak të kualifikuar ose më të paskrupullt - e kanë futur kaos në politikën e jashtme dhe të sigurisë ndërkombëtare në një nivel të paparë më herët.
Në dallim nga ushtritë e NATO-s, doktrinat e të cilave ndërtohen rreth simulimeve dhe operacioneve të kufizuara, Ukraina i ka testuar këto strategji në një luftë në shkallë të plotë kundër kërcënimit më të madh të aleancës: Rusisë.
Nëse Ukraina kapitullon, e gjithë kjo njohuri, teknologji dhe ekspertizë luftarake mund të absorbohet nga Rusia. Kremlini nuk do të pushtonte vetëm territorin, por do të kishte qasje në ushtrinë më të stërvitur të Evropës. Kjo do të krijonte një superfuqi të re të militarizuar, me një forcë të kombinuar që i tejkalon 2 milionë trupa.
2. Fuqia e industrisë së mbrojtjes
Gjatë 3 viteve të fundit të luftës, si Ukraina ashtu edhe Rusia, i kanë zgjeruar ndjeshëm industritë e tyre të mbrojtjes. Sipas Ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov, vendi është bërë prodhuesi më i madh në botë i dronëve luftarakë, duke ia kaluar edhe Kinës.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka njoftuar gjithashtu, se Ukraina ka përfunduar zhvillimin e raketës së saj balistike, dhe po punon me shpejtësi për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes ajrore, të ngjashme me amerikanin “Patriot”.
Kjo rritje e shpejtë e sektorit të mbrojtjes të Ukrainës, po ndodh mesin e një lufte në shkallë të plotë. Njëkohësisht, Rusia pretendon se tani po prodhon 3 herë më shumë raketa sesa SHBA-ja dhe Evropa së bashku.
Nëse Kremlini arrin të marrën nën kontroll gjithë Ukrainën, ai do të ketë qasje tek teknologjitë e përparuara ushtarake, risitë unike dhe aftësitë e prodhimit. Kjo përfshin kompanitë e mëdha të mbrojtjes si Antonov dhe Motor Sich, si dhe kompani private të specializuara në dronët detarë, dronët bombardues, sistemet e luftës elektronike, topat e artilerisë dhe automjetet e blinduara.
Në rast se këto asete bien në duart e Rusisë, ato mund të përmirësojnë ndjeshëm kompleksin ushtarako-industrial të Moskës, veçanërisht në prodhimin e raketave.
3. Burimet natyrore
Ukraina zotëron rezervat më të mëdha të uraniumit dhe litiumit në Evropë, duke e bërë atë një lojtare shumë të rëndësishme në tregun e teknologjisë energjetike të rajonit. Përveç kësaj, depozitat e konsiderueshme të naftës dhe gazit, e rrisin më tej rëndësinë e tij strategjike.
Por pasuria e Ukrainës nuk është e kufizuar vetëm në burimet e saj natyrore. E njohur si “shporta e bukës së Evropës”, ajo është një nga prodhuesit kryesorë bujqësorë në botë dhe eksportuesja më e madhe e drithit si në Evropë ashtu edhe në Afrikë.
Në një epokë të krizave globale në rritje, nuk mund të nënvlerësohet roli i saj në sigurinë ushqimore. Nëse pushtohen, këto burime do të binin nën kontrollin e Kremlinit. Rusia, e cila ka përdorur prej kohësh energjinë si një armë gjeopolitike,
do të fitonte një mjet tjetër të fuqishëm: furnizimin me ushqime.
Ambiciet ekspansioniste të Moskës, mund ta kthejnë atë jo vetëm në një monopoliste të energjisë, por edhe në një forcë dominuese në tregjet globale të ushqimit, e aftë për ta përdorur urinë si një instrument ndikimi.
4. Zhvendosja e balancave gjeopolitike
Në rast se Rusia triumfon në Ukrainë, balanca globale e fuqisë do të ndryshojë në mënyrë dramatike. Aleatët e Moskës në Evropë - Serbia, Hungaria dhe Sllovakia - do të ndiheshin të inkurajuar të riorganizonin politikat e tyre politike dhe ekonomike edhe më pranë Kremlinit, duke kërcënuar ta dëmtojnë Bashkimin Evropian nga brenda.
Përtej kësaj, Rusia do të forconte mbështetjen e saj për forcat politike pro-Kremlinit në të gjithë kontinentin. Si për shembull lëvizjet e ekstremit të djathtë në Gjermani, partia e Marine Le Pen në Francë dhe lobistët e mbështetur nga Rusia në Itali dhe Britaninë e Madhe.
Moska ka punuar prej kohësh për ta zgjeruar ndikimin e saj në Evropë, dhe këto zëra vetëm sa do të bëheshin më të forta dhe më agresive. Megjithatë pasojat nuk do të ndaleshin në kufijtë e Evropës. Një humbje e Ukrainës në luftë, do t’i jepte një goditje të fortë besueshmërisë së Amerikës si garantuesja kryesore e sigurisë në botë. Aleatët kryesorë të SHBA-së, përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë, mund të fillojnë të vënë në dyshim besueshmërinë e Uashingtonit dhe të kërkojnë mënyra alternative për të garantuar sigurinë e tyre. Kjo mund të përshpejtojë formimin e aleancave të reja ushtarake edhe të detyrojë disa vende të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj mospërhapjes së armëve bërthamore.
Kjo do e destabilizonte akoma më tej ekuilibrin global të fuqisë. Lufta në Ukrainë, nuk është thjesht një tjetër konflikt rajonal. Ajo përfaqëson një moment përcaktues që do të diktojë të ardhmen e rendit ndërkombëtar të sigurisë.
5. Ngritja e diktaturave
Nëse lejohet që Rusia të aneksojë Ukrainën pa pasoja, kjo do të krijojë një precedent të rrezikshëm për regjimet autoritare në mbarë botën, duke sjellë një epokë të re të paqëndrueshmërisë globale. Një përgjigje e dobët perëndimore, do të sinjalizonte se e drejta ndërkombëtare nuk është më një pengesë për ambiciet ekspansioniste.
Atëherë, çfarë do ta ndalonte Turqinë të ushtronte presion ushtarak mbi Greqinë ose të zgjeronte ndikimin e saj në Afrikë? E përse Kina të mos e shfrytëzonte mundësinë për të pushtuar Tajvanin apo Irani për të goditur Izraelin?
Çfarë do ta pengonte Indinë dhe Pakistanin që të futeshin në një konflikt të hapur midis tyre, për shkak të mosmarrëveshjeve të njohura territoriale? Një botë ku kufijtë nuk kanë më rëndësi do të zhytet shumë shpejt në kaos, duke e bërë të pashmangshme një garë të re armatimesh.
SHBA-ja dhe aleatët e saj, përballen tani me një zgjedhje shumë kritike: të veprojnë me vendosmëri dhe mbështesin sigurinë globale, ose të lejojnë shembjen e rendit ndërkombëtar aktual. Nuk është koha për masa gjysmake apo edhe për sjellje politike pragmatike.
Ajo që nevojitet sot nuk janë thjesht vendimet e lehta, por të drejta. Sepse zgjedhjet e bëra sot do të diktojnë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe stabilitetin dhe paqen afatgjatë të botës./Pamfleti nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje