TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Prill 2024, 19:38

Përse Fatmir Mediu sillet si i bezdisur nga drejtësia

Shkruar nga Mero Baze

Përse Fatmir Mediu sillet si i bezdisur nga drejtësia

Kriteret e sotme të forta me të cilat SPAK po heton hajdutët e Edi Ramës, janë të mjaftueshme për ta rifutur të gjithë në burg këtë bandë që mes të tjerash vrau për të vjedhur, ndryshe nga këta që vjedhin për t'u pasuruar.

Fatmir Mediu ka një sjellje prej kokoroçi sa herë del nga salla e gjyqit duke iu hakërruar gjithë atyre që e kanë çuar para drejtësisë dhe duke tentuar t’u japë atyre direktiva, se si të hetojnë, kë të hetojnë, çfarë s'duhet të hetojnë, pse nuk duhet ta ngarkojnë atë me faj, kush duhet të jetë dëshmitarë, e kush nuk duhet të jetë etj.

Ndërkohë që sillet sikur Shqipëria dhe të vdekurit e saj prej tij dhe djalit të Sali Berishës i kanë borxh këtë prishje qetësie, bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë i kanë detyruar të kyçin gojën dhe të deklarojnë se do heshtin para drejtësisë, siç është rasti i Mihal Delijorgjit dhe disa prej eksponateve që quheshin “grupi i zjarrit” në operacionin e demontimit.

Sot u ankua që ish Shefi i Shtabit Luan Hoxha nuk do japë dëshmi të re por do përdoret dëshmia e vjetër, ndërkohë që dëshminë e tij reale ai e ka bërë në ambasadën e SHBA, ku ka deklaruar se sapo i shkrova letër Berishës më mori djali  i tij në telefon për tu sqaruar e më tej mori kërcënime nga rrethi zyrtar i Berishës.

Pra Mediu që sot ankohet pse nuk i marrin dëshmi të re Luan Hoxhës, vetë i ka heshtur gjithë dëshmitarët e tij dhe po përpiqet ta degradoj gjyqin në procedura zyrtare ndërkohë që ai është para drejtësisë për kapje të shtetit pabarazi në tendera, dhe për shkaktim të aksidentit nga fakti se pronari real i fabrikës së vdekjes ishte djali i Sali Berishës i cili mbante punëtorë të pasiguruar dhe asnjë rregull të sigurimit teknik.

Fatmir Mediu nuk po akuzohet se ka shkuar vetë të punojë me fadromë në fabrikë, apo se është kapur duke ndërtuar kapanone. Ai po akuzohet se kishte paracaktuar që do t’i jepte këtë biznes djalit Sali Berishës dhe nuk ia dha dot me vendim qeverie se kundërshtoi Bode dhe Rusmali dhe ia dha me tender. 

Drejtorët e Bashkisë së Tiranës, që sot janë në burg, janë për shumë më pak të implikuar në historinë e tyre të korrupsionit se sa vetë Mediu në këtë histori. Ata janë akuzuar për konflikt interesi se i kanë dhënë një kompanie të lidhur me ta disa tenderë, por jo se me ato tenderë janë vrarë njerëz apo nuk janë bërë punët. Ky tenderi i Fatmir Mediut i gjithi në konflikt interesi me vet.

Sali Berishën, ka përfunduar përveçse me vjedhje dhe ëme 26 të vrarë.

Shfaqja e Fatmir Mediut si shejtan budalla, sikur nuk e di përse është para drejtësisë, përpjekja e tij për të mbrojtur deri në fund Shkëlzen Berishën dhe për t’u kyçur gojën bashkëpunëtorëve të tij si Delijorgji me shok, është një akt mafioz ndaj drejtësisë, dhe një shembull i mjaftueshëm për të kuptuar se ku qëndron problem i atij korrupsioni.

Kriteret e sotme të forta me të cilat SPAK po heton hajdutët e Edi Ramës, janë të mjaftueshme për ta rifutur të gjithë në burg këtë bandë që mes të tjerash vrau për të vjedhur, ndryshe nga këta që vjedhin për tu pasuruar.

“Bezdia” publike që shfaq Fatmir Mediu ndaj procesit gjyqësor, ideja se po e pengon ky gjyq për të bërë “punë të mëdha” për Shqipërinë, për të udhëtuar në SHBA në Mëngjes të Lutjeve, për të dalë foto me senator e kongresmen dhe për të përkujtuar përvjetorët e NATO që koicidojnë me përvjetorin e Gërdecit, është tabloja me ironike e drejtësisë së re, e cila nga një anë po heton thellë dhe me rrënjë e dhëmballë çdo zyrtar në pushtet dhe bën shumë mirë dhe nga ana tjetër dëgjon çdo ditë psherëtimat e Fatmir Mediut, që po e bezdis ky gjyq duke i prishur qetësinë aq të nevojshme që ka për t’u dukur si njeri i rëndësishëm me syze dielli dhe kravatë.

Ndërkohë që 26 të vdekurit e tij dhe djalit të Sali Berishës, rrotullohen në varre, kur mendojnë se ata që i vranë për të vjedhur, tani janë të bezdisur nga drejtësia.

Lini një Përgjigje