TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Korrik 2025, 07:30

Përgjigja ime për procedimin penal të publikuar sot!

Shkruar nga Enrik Mehmeti

Përgjigja ime për procedimin penal të publikuar sot!

Mbrëmë u përballa me një presion të tillë: të mos publikoja pamjet ku ishte i përfshirë një drejtues policie.

Në karrierën time si gazetar, jam mësuar të faktoj çdo lajm që publikoj dhe t’u bëj ballë çdo lloj presioni qoftë nga “të fortët”, qoftë nga drejtues institucionesh.

Mbrëmë u përballa me një presion të tillë: të mos publikoja pamjet ku ishte i përfshirë një drejtues policie. Natyrisht, një kërkesë e tillë është e papranueshme për mua. Asnjëherë nuk kam dhe nuk do të pranoj presione të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë.

Sapo mora dijeni për ngjarjen se ishte dhunuar një i ri sapo kishte mbushur 18 vjeç nga një drejtues policie dhe një person tjetër që e shoqëronte u nisa menjëherë për të siguruar pamjet filmike dhe për të marrë dëshminë e të dhunuarit. Fillimisht i kërkova pamjet, pastaj u mundova të qetësoja të riun dhe, nëse do të mundej, të më jepte një intervistë për ngjarjen. Çuditërisht, ndonëse bëhej fjalë për dhunën e ushtruar nga një drejtues policie ndaj një djali të ri, policia vonoi shumë të mbërrinte në vendngjarje madje, unë isha menjëherë pas ngjarjes ndërkohë që asnjë efektiv nuk kishte mbërritur. Gjatë kohës që po përgatiteshim për intervistën, ndodhi një përplasje tjetër. Përsëri, policia nuk ishte ende aty. Vijova punën time duke intervistuar të riun dhe kolegun e tij kamarier.

Kur po kërkoja të intervistoja dhe drejtuesin e biznesit, u shfaq vetëm nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv tjetër të grupeve të gatshme. E theksoj: asnjë efektiv policie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale për çdo fjalë që po deklaroj. Pas një ore, më kërkuan të paraqitem në komisariat. Ndër të tjera, po i drejtoj një pyetje të thjeshtë zëvendësdrejtorit të policisë: "A më kërkuat të mos publikoj pamjet ku kolegu juaj dhunon kamarierin?

"Dhashë deklaratën time, ku sqarova se prania ime në vendngjarje kishte vetëm një qëllim: të bëja punën time si gazetar. Sot, për habinë time, pashë që në komunikatën zyrtare është përmendur emri im, pa u marrë asnjë dëshmitar i pranishëm, pa u parë kamerat e sigurisë dhe pa asnjë provë konkrete.

Prandaj, atë që nuk keni arritur ta bëni ju të mblidhni prova dhe të merrni dëshmitarë do t'jua sjell unë. Sot e nis me dëshminë e Aronit, të riut që u dhunua.

Dëgjojeni me kujdes. Nëse nuk pyesni dot dëshmitarët apo të siguroni pamjet filmike, administrojeni këtë dëshmi si provë ligjore.

Sot kam marrë qindra mesazhe mbështetjeje nga njerëz që njohin korrektësinë time në profesion. Ky është forca ime më e madhe: ndjekësit dhe besimi i qytetarëve. Ju premtoj që nuk do t’i zhgënjej kurrë përballë asnjë lloj presioni qoftë nga kriminelët, qoftë nga efektivë të policisë që shkelin ligjin. Apo më keq: kur janë të dy bashkë në një tavolinë.

Duke ftuar drejtësinë të bëj punën e saj kam një thirrje për nën drejtorin e policisë që nëse nuk do të siguroni dot asnjë fakt për akuzën, do të doja të kisha një kërkesë faljeje publike për njollosje të emrit. Nuk do të habitesha se në vazhdimësi mund të ketë edhe hakmarrje nga kolegë të drejtuesit të policisë por ju rikujtoj që sot, nuk janë më ata drejtues qëndror policie si shumë vite më parë kur mbyllnin sytë para paligjshmërisë. Policia ka djem dhe vajza të shkëlqyer dhe këta individë so rasti i djeshëm, janë me kokrra!

Dua të gjej rastin të falenderoj drejtorin e përgjithshëm të policisë Ilir Proda dhe Kryeministrin Edi Rama për marrjen e menjëhershme të masave për ngjarjen e ndodhur.

Unë nuk do ta mbyll kurrë gojën për të publikuar vetëm të vërtetën pavarësisht presioneve të çdo lloj forme, qofshin edhe me procedim penal!

Lini një Përgjigje