
Nga dhuna ndaj një adoleshenti në Vlorë, tek policët që ulen në tavolina me kriminelë dhe kryeministri që rrethohet nga të paaftët, ku po shkon Shqipëria?
Ngjarja në Vlorë bërë bashkë pa fund shqiptarë, duke u solidarizuar me Aronin, kamerierin që u dhunua brutalisht nga dikush me uniformë.
Grushti ndaj tij është fotografia më e qartë e një shteti që ka humbur busullën morale dhe institucionale.
Aroni, një 17-vjeçar që punonte si kamarier për të fituar bukën e gojës, u godit brutalisht nga një efektiv policie, sepse kishte ngatërruar porosinë dhe kishte sjellë një shishe ujë më shumë në tavolinë. Jo vetëm kaq, por Ardian Isufi, dikur shef qarkullimi në Vlorë, rezulton të ketë qenë ulur në shoqërinë e një personi me precedent penal.
Ky nuk është rasti i parë. Nga Sky ECC kemi mësuar përditë se një pjesë e policisë shqiptare ka lidhje direkte me krimin, duke bërë pazare me trafikantët dhe duke u përdorur si mburojë për botën e errët. Vetëm pak javë më parë, qytetarët panë pamje të policëve që shtrinin përdhe një të ri vetëm sepse kishte guxuar të fotografonte momentin kur ata po vendosnin gjoba të padrejta për makinat. Kur një qytetar shtrihet përdhe, kur një adoleshent që punon rrihet, kur një polic rri ulur me kriminelë, është e qartë: policia nuk mbron qytetarin, por është kthyer në një makineri dhune dhe poshtërimi.
Dhe kur ndodh diçka e tillë, zinxhiri komandues tregon fytyrën e tij të vërtetë: drejtori i policisë Ilir Proda, që për javë të tëra nuk ka dalë asnjëherë me një qëndrim serioz, por duket se di vetëm të flejë gjumë, u kujtua të pezullojë policin vetëm pas bujës në media. Në fund, ishte Edi Rama ai që dha urdhrin e menjëhershëm për shkarkim. Kjo tregon një problem të madh: Shqipëria nuk ka më institucione funksionale: ka vetëm një person që vendos për gjithçka. Rama është kthyer në “vetë Ali, vetë Kadi”, ndërsa ministrat, drejtorët dhe zinxhiri komandues janë vetëm figura formale, të pafuqishme dhe të paafatë.
Ky mentalitet i përqendrimit të pushtetit te një person ka prodhuar institucione që nuk funksionojnë, nuk reagojnë dhe nuk kanë asnjë ndjeshmëri ndaj qytetarit. Dhe kur një shtet nuk funksionon, kur në vend të mbrojtjes qytetari dhunohet, kur drejtësia varet nga humoret e kryeministrit, atëherë nuk është çudi që të rinjtë duan të largohen.
Ajo që e bën më tragjike është se u desh qëndrimi i Ramës që të mbusheshin profilet në Facebook me reagime nga ministra, deputetë apo zyrtarë të tjerë që dënonin dhunën. Ku ishin këta më parë? Ku janë deputetët e zonës, pasi problemi duhet parandaluar dhe të mos shkohet te veprimi. Ku është ministri i Brendshëm, pasi ai duhej të reagonte i pari? Ka reagur ish-ministri i Brendshëm dhe Hoxha asnjë gjymë fjale. Ilir Proda jo e jo. Pra kemi një kryeministër të rrethuar nga të paaftët, por edhe hipokritët.
Për tu kthyer te Aroni, ai është shembulli tipik i të rinjve që nuk kanë zgjedhur rrugën e lehtë të emigrimit, por kanë zgjedhur të punojnë e të shkollohen këtu. Por tani vetë shteti i dhunon.
Ky është një mesazh i rrezikshëm për gjithë brezin e ri: se nuk ke vlerë as si punëtor, as si student, as si qytetar. Dhe sa kohë që shteti dhunon, qytetarët nuk kanë asgjë tjetër veçse të ikin. Shqipëria nuk po boshatiset vetëm për shkak të ekonomisë së dobët, por sepse është kthyer në një vend ku frika dhe pasiguria mbretërojnë, madje të ushqyera nga vetë ata që duhet të jenë mbrojtësit e ligjit. Me pak fjalë, po hidhen themelet e autokracisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje