
Ç’kohëra more aman ç’kohëra. Më mirë mos te kesh burrë fare si ka ardh stina e moti. Të mendohesh gjatë kur martohesh! Ta shtrëngosh mirë fiqirin! Ti thuash rradakes përqendrohu!
Gruaja fut shejtanin në shishe thotë një proverb, por ministret tona medet, jo nuk ja dalin, hynë në shishen e burrave thotë ai i bekuar Salianj.
Dikur të gjorat gjenin burrë siç e ka thënë Zoti vete me gojë siç burrat gra. Disa ishin vajza normale e gjeten burra normal, disa edhe pse normale gjeten çamarrokë me vese e me ndonjë lek.
Ata nuk e kursyen paranë në ditë të zezë dhe një ditë gratë e panë veten ministre, burrat u ndien mire.
Dikur thonin parja e bardhe në ditë të zezë, tani ta shtojmë paren e zezë për ditë të bardha. Kur e zgjedh burrin për qejf nuk bën t’ia thyesh zemrën.
Tahmaja shtohej, diku prona, diku tenderë, diku emërime, ndoj allishverish tjetër, bereqet, bereqet, tërmet tërmet vikat Damua!!
Ndonjë humbi vite më parë postin se burri shfaqej si qerrata në faj, ndonjë se tepër çapkën, të tjera mund të ikin se ai nuk mban nervat me vartësit e gruas se nxjerr biçakun, i fut një thikë në ije dhe një prapanice aq sa aktualizohet shumë thinja o zot ruana b….nga burri i shefes!
Tani duhet vrapuar tek Sigal për të siguruar të prapmen si zonë ekskluzive more të uruar.
Ndonjë bën sekserin poshtë e përpjete dhe nga frika e përgjimeve i shkruan shifrat neper letra dhe i djeg me çakmak dhe pjesën tjetër te komunikimit e bën me gishta e me mimikë si cjap buzëprerë!
Ç’kohëra more aman ç’kohëra. Më mirë mos te kesh burrë fare si ka ardh stina e moti. Të mendohesh gjatë kur martohesh! Ta shtrëngosh mirë fiqirin! Ti thuash rradakes përqendrohu!
Tani e tutje Babo tërbieti ishallah nuk do ndaloje martesat për ato qe duan te bëjnë karriere dhe do japë urdhër qe te ndahen ato që duan ta vazhdojnë atë!!
Qeveria ka rendësi, paraja jo dënglat sentimentale prej mikroborgjezësh. Familjet e pushtetit e kanë të madhe ngasjen dreqërit, të tjerët jetimë!
Pardje një nga enigmat e mëdha që trazonin shqiptaret nder dekada u duk sikur u shua krejt si thëngjilli nën furinë e argumentit si ujë.
Por iluzion paskesh qenë, befas pas tulatjes së parë, ajo u ndez përsëri si një debat intelektual, politik, gastronomik, biologjik me përmasa tragjike mes eksponentëve të mazhorancës.
Zëvendës kryemistrja Belinda nga Ulëza e shoqëruar nga Tezja e partisë cila e ndiqte me admirim dhe gëzim, e gatshme të llapashitej vetë në ujë për të kapur ndonjë, shprazi gëzueshëm mbi “Boten shqiptare” lajmin se krapi i Ulzës është ku e ku më i mirë se krapi i Shkodrës. Ajo tha që ai është edhe gjellë edhe mish. Nën kujdesin e partisë do bëhet më i gjatë se Ulsiu dhe më i mençur se Shalsi. I brymosur me idealet tona ai do te jete solidar, social, socialist dhe i thekur majtist. Tezja u mallëngjye. Mes ngashërimit tha ta duam si shok partie! Dhe kur të ngrohemi pranë zjarrit të jugut mejtimet tona tek ky krap safi të përqendrohen!
Ky ishte një përfundim historik nga ana e saj por në Shkodër lajmi u përjetua si shpallje lufte. Krenaria e Qytetit të vjetër u shkryth. Vetë Mamica alias “Madona di Scutari”, u kreshpërua, u vrenjt, mrroli vetullat dhe zjarr i dha zemërimit. Si guxoka ajo që karasin krapin kinez ta krahasoje me atë që është këtu që kur këto troje u sajuan! Ai levend krap ushqeu Teutën, Gentin, Balshajt, Venecianët, Karahamahmutin, Ditmirin, Ilir Beqajn dhe Benetin! Tjetër çka natyra vetë përpoq tjetër shumimi artificial, ja për shembull ne pranë Babos u rritëm bio jo si shtogu në meze. Shihni ata pranë Muços si rasat”.
Ky debat duket si një shpërthim bërthamor në gjirin e mazhorancës ku e ku më i fortë se denoncimi i Gaz Bardhit, reportazhi i Rai 3, Drejtorët me 5 dhe ata pa numër. Mbrëmë natën Babua mblodhi shtatmadhorinë e tij dhe caktoi një komision të përbërë nga Mete, Nikoqiri, Etjeni, Gonxhe dhe Klosi të cilëve u la detyrë që të hanë krap çdo ditë për tre muaj, një ditë nga i Shkodrës një tjetër nga i Ulzës, ta hanë ngadalë e me shije, të rrinë shtrembër e të flasin drejt dhe mos të nguten në konkluzione të shpejtuara.
Një komision i posaçëm në udhëheqjen e Kostës së Gramozit e Linditës, do regjistrojë gromësimat, kohëzgjatjen e tyre, duhmem dhe acidet që shpërndan. Ai në fund do ju dhurojë librin e tij të ri “mbi mirëqenien sociale”. Do varin turinjtë se helbete librat u shkaktojnë të kruara e kollitje po ai citon Babo rilindasin dhe “dritë e diturisë përpara do na shpjerë”, e ata ulin kokën.
Babua, virani, këshilloi gjithsesi mirë është mos të shpallet superior njëri krap nga tjetri por të vihet theksi tek e ndryshmja si vlere e gjithsecilit që konflikti të shmanget, për aksh arsye ha të Shkodrës për të tjera të Ulëzes. Qerratenj burra, qerrata krap, qerratesha dilema e maraze!
Lini një Përgjigje