TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Tetor 2024, 10:45

Një aleancë me e fortë Evropë-SHBA; si duhet të ndryshojë NATO nën drejtimin e Mark Rutte

Shkruar nga Camille Grand

Mbetet të shihet se sa mirë mund të përgatitet Rutte për një administratë tjetër Trump. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s duhet të bëjë çmos për të ruajtur një lidhje të mendueshme transatlantike, dhe Rutte përfiton duke pasur një përvojë të drejtpërdrejtë nga marrëdhëniet e mëparshme me Trump.

Një aleancë me e fortë Evropë-SHBA; si duhet të
Mark Rutte /

Mark Rutte mori të martën zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Ish-kryeministri holandez, pasoi në këtë post ish-kryeministrin norvegjez, Jens Stoltenberg, i cili gjatë mandatit të tij 10-vjeçar kreu disa ndryshime të rëndësishme, megjithatë u përball edhe me rritjen e tensioneve midis anëtarëve të aleancës.

Emërimi i Rutte në këtë detyrë, vjen në një periudhë shumë delikate për diplomacinë dhe sigurinë globale. Megjithatë, ai është një udhëheqës politik me përvojë dhe i kualifikuar.

Ka qenë kryeministër i Holandës në vitet 2010-2024, një figurë me ndikim në Këshillin Evropian; dhe së fundi përmbushi kërkesën e NATO-s që një vend anëtar të shpenzojë 2 për qind të PBB-së së tij për mbrojtjen.

Shumica e aleatëve e mbështetën Rutte-n, pavarësisht se disa shpresonin për një drejtuese të parë femër dhe për më shumë diversitet kombëtar, gjë që mund ta zgjidhë të paktën pjesërisht kur të zgjedhë zëvendësin e tij. Por vendimtare ishte mbështetja e fortë për Rutte nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore evropiane.

Sigurisht, tani vjen edhe pjesa më e vështirë. Duke pasur parasysh pasiguritë në lidhje me atë që mund të ndodhë zgjedhjet e afërta presidenciale të Amerikës, dhe se si do të zhvillohet konflikti në Ukrainë, Rutte përballet me 4 sfida të menjëhershme:

1. Ruajtja e kohezionit të aleancës dhe e mbështetjes për Ukrainën

Në fillim të vitit që vjen, lufta në Ukrainë do të hyjë në vitin e saj të katërt, ndaj është seriozisht i rrezikuar qëndrimi i unifikuar i NATO-s. Zërat kundër ekzistojnë tashmë në Hungari dhe Sllovaki. Dhe në rastin e një presidence tjetër të Donald Trumpit, partitë populiste që e vënë ende në pikëpyetje ofrimin e ndihmës për Kievin, mund të inkurajohen të shtojnë kundërshtimin e tyre.

Lodhja nga lufta dhe oreksi për një zgjidhje kompromisi, duken të pranishme në disa vende perëndimore. Në këtë kontekst, aleatët e NATO-s mund të mos jenë në gjendje të garantojnë një ndihmë afatgjatë për Ukrainën. Kjo do të jetë një betejë e vështirë për shumë politikanë pro-ukrainas, si në parlament ashtu edhe në publik.

Rutte nuk duhet t’i kursejë përpjekjet për të ruajtur unitetin politik të aleancës në trajtimin e çështjes komplekse të anëtarësimit në NATO të Ukrainës, e cila i është premtuar që nga viti 2008, dhe rikonfirmuar si objektiv gjatë 2 samiteve të fundit. Ai të duhet të shpallë një rrugë të qartë për këtë pasi të sigurohet armëpushimi me Rusinë.

2. Mbajtja në nivele të larta e shpenzimeve të mbrojtjes dhe modernizimi ushtarak

Ecuria e NATO-s në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes është e mirë, por ajo po nxit gjithnjë e më shumë tensione. Nga gjithë aleatët, 9 prej tyre nuk po shpenzojnë ende 2 për qind të PBB-së. Ndërsa disa të tjerë, si Belgjika dhe Kanadaja, kanë plane të paqarta për ta  arritur këtë dekadën e ardhshme.

Rutte duhet të ruajë presionin e vazhdueshëm mbi të gjithë aleatët, për të siguruar që shpenzimet e mbrojtjes dhe ndarja e barrës të ecin në drejtimin e duhur. Një presion i tillë, është i nevojshëm për të përmbushur objektivat ambicioze ushtarake dhe të aftësive, përfshirë mbrojtjen dhe burimet njerëzore, të nevojshme për të rregulluar boshllëqet ekzistuese.

3. Rregullimi i marrëdhënieve NATO-BE

Rutte është një transatlanticist i vërtetë, dhe më i njohur me proceset e BE-së sesa paraardhësi i tij. Por ai ka pak kohë në dispozicion për të çuar përpara prioritetet e mbrojtjes të NATO-s, ndërsa edhe BE-ja po zhvillon planet e saj. Për më shumë se 2 dekada, përparimi në marrëdhënie NATO-BE ka qenë i kufizuar, edhe pse marrëdhëniet janë zhvilluar në një nivel të mirë pune midis Sekretarit të Përgjithshëm dhe Presidentit së Komisionit Evropian.

Por vazhdon mungesa e mirëkuptimit të ndërsjellë, konkurrenca e vazhdueshme burokratike midis organizatave, si dhe mungesa e procedurave të qarta për shkëmbimin e informacionit. Këto duhet të trajtohen në nivelin më të lartë politik të çdo organizate, në vend të qasjes tradicionale më burokratike, e cila priret të supozojë se përparimi do të pengohet nga kundërshtimi turk, qipriot ose grek.

I pëlqen apo jo NATO-s, BE-ja është bërë një lojtare me peshë në fushën e mbrojtës. Ndaj në vend se të konkurrojnë apo kritikojnë njëri-tjetrin, BE-ja dhe NATO-ja duhet të përdorin fuqitë e tjetrit për të përcaktuar se si BE-ja mund të mbështesë krijimin e një shtylle të fortë evropiane në aleancë.

4. Përballja me një presidencë të dytë të Trump dhe me ndryshimin e prioriteteve të SHBA-së

Rezultati i zgjedhjeve në SHBA është i pasigurt. Shumica, në mos të gjitha sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë në shtetet e lëkundura. NATO duhet të përgatitet për një sfidë tjetër komplekse, nëse Trump zgjidhet sërish president. Kandidati republikan ka shprehur hapur mosgatishmërinë e tij për të mbështetur aleatët që nuk paguajnë pjesën e tre për mbrojtjen, dhe tha se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte vendet të tilla.

Kjo sugjeron një rikthim tek qasja e ashpër të Trump për ndarjen e barrës dhe sinjalizon një dobësim të aleancës SHBA-Evropë. Në skenarin më ekstrem, ai mund të kërcënojë fuqinë e NATO-s. Shumë njerëz në të dy anët e Atlantikut, shpresojnë ende që një mandat i dytë i Trump, do të ishte në thelb e ngjashme me të parin:një presidencë e vështirë, më transaksionale, por gjithsesi e menaxhueshme.

Por ky parashikim gjysmë optimist injoron disa dallime të mëdha me vitin 2016. Së pari dhe më kryesorja, lufta në Evropë e bën një president amerikan të paparashikueshëm më problematik për aleancën. Një fitore e Trumpit do të inkurajonte ata që kërkojnë ndryshime të mëdha të politikës ndaj Ukrainës, përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Mbetet të shihet se sa mirë mund të përgatitet Rutte për një administratë tjetër Trump. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s duhet të bëjë çmos për të ruajtur një lidhje të mendueshme transatlantike, dhe Rutte përfiton duke pasur një përvojë të drejtpërdrejtë nga marrëdhëniet e mëparshme me Trump.

Debati për ndarjen e barrës, duhet t’i japë mundësi shefit të ri të NATO-s të angazhojë administratën e re të SHBA-së me argumente bindëse rreth progresit të saj në këtë aspekt, megjithëse Trump mund të shtojë ende kërkesa të reja dhe ta rrisë në 3 për qind pragun e shpenzimeve./Përshtati Pamfleti nga “European Council on Foreign Relations”

mark rutte evropa shba nato

Lini një Përgjigje