
Tezja qau me krusma për ikjen e Ditmarit, me ndjeshmërinë dhe butësinë që e karakterizon, rrëkeja nuk pati të ndalur.
Qëkur Ditmari filloi punë si lektor e bahçevan për të rrumbullakosur rrogën në Harvard të Amerikës së largët këtu ndodhen një sërë gjërash.
Nikua me mollëza pak të skuqura u bë bimbash i Kuvendit.
Unë vetë falë vullnetit të Doktorit u bëra zëvendës Nikoqir!
Bledion Nallbati që dikur motit i rehatonte shikimet mbi aurën e hajthme të Mamices është murëtyer, është bërë meit!
Nuk përmbahet!
Një hije si vrugu mbi rrush i ka rënë mbi fytyrë.
Do ta zbëjë tha jezitin, nga aty që i plasin sytë i plasin, mocion mocion rënkoi!
Qetësohu vëlla i thamë, Mamica rri me Rubion tani dhe e këshillon që edhe ai të lexojë “Kurbanin” e të lartësohet kulturalisht, nuk na e ka më ngënë neve të provincës! Vanë ato kohëra të ëmbla mjaltë!
Komisionin për zgjedhjen e Nikos e kryesonte vetë Dilua.
Ai për atë ditë kishte zgjedhur kostumin e mirë të teritalit dhe ndihej i vlerësuar. I përqendruar tek misioni nuk shihte rob në sy.
Tezja qau me krusma për ikjen e Ditmarit, me ndjeshmërinë dhe butësinë që e karakterizon, rrëkeja nuk pati të ndalur.
Nuk i kishte lot gëzimi se u bë vezirë për arsim ngaqë ajo e di se ç’e pret po brengë e mall për shokun e betejave e të bisedave sekrete.
Para se t’i hypte balonës ai la ca lekë për çilimiqërit e shokëve të mazhorancës që mos t’u thahej goja për një akullore se helbete janë robëtuar për këtë popull e nuk kanë asnjë kacidhe në xhep!
Secili prej tyre ngjan me Luigj Gurakuqin në idealizëm se mos e kanë mendjen për tendera e gjëra kësodore!
Ditmari për rrugës mori dhjetë fjalimet historike të Tonit për t’i konspektuar që t’i kishte hazër për studentët e atjeshëm. Retorikë e lartë, po e po, stili stil e emfaza emfaza!
Premtoi që si literaturë shtesë do u rekomandojë atyre veprën e Pirro Dëngut, botimet e Fortbes Mumjellarit dhe kumtesat e Sypetrit Malajt që kjo Botë virane të vejë mbarë!
Për çështje financash se po shkojnë për dreq e Jankitë po trazohen natyrisht mund të ftojë Ibrahimnë bashkë me merhumnë e Cerrikut për të shartuar dardhë me ftoi e shegë me portokall.
Dilemë e pati nëse i mbet hatri Anilës se ajo di të imitojë blegerimat e mbase i hyn në punë!
Edhe Gonxhja mendoi është si antibiotik kundër injorancës me kulturën e gjerë dhe artikulimin e thellë ndaj po e pashë pisk do e ftoj t’u ndriçojë udhën amanetqarëve të Harvardit i regetiu mendimi i cili iu pre në mes nga një turbulencë!
Qeveria e re e Babos e kryesuar nga Bela kaloi pa debat e diskutime se helbete për t’i mbrojtur nderin “Diellës” ikën qerratenjtë nga sytë këmbët! Babua fsheh një sakelldi.
Bela dukej e gëzuar por e përmbajtur! Shikonte me qashtërsi Gaz Bardhin e lutej falë Zot se nuk di çfarë bën ai lanet!
Kronika ka vënë kujen për Etildën. Toni në minutën e fundit i zuri vendin i pahajri.
Dert i madh, kthejmë kohën ç’të shohësh ca zdepër e trukokallë të panjohur në vend të saj pa pikë melankolie!
Po Mimi di Puccini ku do jetë duke psherëtirë, mbi cilën urë e ka ndalur hapin? Pandi thonë që është parë nga ura e Qabesë! Nuk dëgjoi këshillat e Borës i ngrati!
Klosi me Damon mbetën përsëri me gisht në gojë duke fërkuar durimin.
Tao ka vënë rishtaz një gushë bubullake dhe ka marrë pamjen e njeriut të menduar me një barrë mend evlati! I është rikthyer qetësia qafirit! Deputetët e rinj e shohin si Atë dhe ai i darovit si evlata me bëma e eksperiencë jete!
Ulsia duket si një intelektual i pavarur i cili mejton për këtë politikë jallane tek sheh se si Fate Labi do t’i kafshojë komisionin!
Ndërsa Ogi duket si një sorakalle e përhumbur mes rropullive të fushatës që e pret!
Në Kryesinë e Kuvendit slengu i fshatrave të Korçës ndihet nëpër korridore si gjuhë perëndie, ardhë, urovi, shkovi, gëzovi, qevi, ndihet kudo!
Ikja e Kostaqit ngjante me shembjen e idhujve! E dëboi Nikua themeluesin e PS, Kostaq harvardistin e vërtetë po e mori Mamica dhe po e mban si djalë dëshire plot kos me mjaltë, petulla e luleshtrylle avenyve të New York-ut!
Nejse ditën që mblodhi plaçkat një re e zezë kishte rënë mbi siluetat e administratës! Kostaqi shkonte t’i pajtonte e ngushëllonte por qante edhe vetë nga pak teksa kori i grave mallkonte “Nikoqir të rëntë pika pa Kostaqnë e zezë është dita”! Kostaqi në të dalë nxori gjuhën një pash, pëllëmbën mbi hundë dhe iku u bë erë! Tani koka e tij si djall shfaqet pas kaçurrelave të Mamices në OKB!
Ndërkohë Ervin Salianji si klerik i lartë i virtytit ku gjen njerëz duke u zënë i pajton, ku sheh ndonjë portë të mbyllur e hap, ku ka plagë vë dorën si melhem i uruari!
Lini një Përgjigje