TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Janar 2025, 13:54

Nga Serbia në Sllovaki, çfarë fshihet pas protestave popullore?

Shkruar nga Roberto Vivaldelli

 Nga Serbia në Sllovaki, çfarë fshihet pas protestave popullore?

Në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, protestat në Gjeorgji, Sllovaki dhe Serbi, po nxjerrin në pah jo vetëm ndarjet e thella të brendshme, por edhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të ndërhyrjes së huaj dhe të ashtuquajturës “shoqëri civile” në formësimin e ekuilibrave të pushtetit...

Gjeorgjia, Sllovakia, Serbia: tre vende me kontekste të ndryshme, qeveritë e të cilave etiketohen shpesh, edhe pse jo gjithmonë me saktësi, si “pro-ruse”. Megjithatë, javët e fundit, ato ndajnë një element të përbashkët: një valë protestash kundër lidershipeve të tyre përkatëse dhe akuza për “ndërhyrje të huaj” ndaj OJQ-ve perëndimore, që u kanë fryrë flakëve të pakënaqësisë për të nxitur “revolucione shumëngjyrësh” si ai i EuroMaidanit në Ukrainë.

Më 27 janar, studentë nga universitetet e Beogradit, bllokuan për 24 orë kryqëzimin më të rëndësishëm në rrugor në vend, duke marrë me vete tenda, ushqime dhe parulla. Në mbështetje të tyre erdhën edhe fermerë dhe motoçiklistë, të shqetësuar nga përpjekjet e mëparshme të shoferëve për të çarë bllokadën e studentëve.

Për më shumë se dy muaj, studentët i kanë paralizuar universitetet serbe për të denoncuar korrupsionin qeveritar, që sipas tyre ishte përgjegjës për shembjen e çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ngjarje që shkaktoi 15 të vdekur. Demonstratat zhvillohen çdo ditë dhe kanë mbledhur dhjetëra mijëra mbështetës, me protesta edhe në komunitetet serbe jashtë vendit.

Më 17 janar, mbi 50.000 njerëz u mblodhën para selisë së radiotelevizionit publik RTS, duke e akuzuar atë për njëanshmëri në favor të qeverisë. Në shenjë solidariteti, disa gazetarë vendosën në dritare një pankartë në mbështetje të studentëve. Mobilizimi në këtë lëvizje ka përfshirë gjithashtu shkolla dhe biznese.

68 për qind e shkollave të mesme dhe 48 për qind e shkollave fillore, ndërprenë mësimin më 24 janar, ndërsa u mbyllën më shumë se 200 biznese të njohura. Edhe teatrot, muzetë dhe klubet e natës i janë bashkuar protestës, duke u mbyllur dhe u hequr të rinjve alternativat për të kaluar mbrëmjen.

Presioni solli dorëheqjen e kryeministrit serb Milosh Vuçeviç pak ditë më parë. Presidenti Aleksandar Vuçiç, deklaroi në një fjalim publik se brenda 10 ditësh do të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare apo do të formojë një qeveri të re.

Ai i cilësoi protestat një përpjekje të Perëndimit për të nxitur një “revolucion me ngjyra” në Serbi, duke i krahasuar ato me ngjarjet e Maidanit në Ukrainë në vitin 2014. Për të konfirmuar këtë linjë, qeveria ka filluar luftën e saj kundër OJQ-ve të huaja.  

Midis 21-22 janarit, 14 aktivistë të huaj nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u morën në pyetje nga policia dhe u dëbuan nga vendi me akuzën se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”. Por pretendimet e presidentit serb nuk janë krejtësisht pa bazë. Sepse disa OJQ kanë luajtur një rol në protestat e fundit.

Midis organizatave aktive në vend janë Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut (mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur e George Soros), Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe grupe mjedisore si Ne Damo Jadar, të përfshirë në protesta kundër projekteve të minierave.

Protestat në Serbi, të kujtojnë për nga dinamika dhe ndikimi, revoltën që shpërtheu në Tunizi në vitin 2010 , e shkaktuar nga një ngjarje në dukje e vogël, por që pati pasoja epokale. Më 17 dhjetor të atij viti, Mohamed Bouazizi, një shitës i ri ambulant, i vuri flakën vetes pasi u keqtrajtua nga policia dhe ankesa e tij u shpërfill nga autoritetet lokale.

Gjesti i tij i dëshpëruar, shkaktoi një valë zemërimi që çoi në rënien e regjimit tunizian, duke treguar se si një episod i vetëm mund të shndërrohet në një revolucion kundër një sistemi të korruptuar dhe shtypës. Edhe në Sllovaki, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër politikave të kryeministrit Robert Fico.

Protestuesit kërkuan zyrtarisht dorëheqjen e tij. Nën parullën “Slovensko je Europa” (Sllovakia është Evropë), ato filluan menjëherë pas takimit të dhjetorit të vitit të kaluar midis Fico dhe presidentit rus Vladimir Putin, si dhe pas deklaratave të nënkryetarit të parlamentit dhe anëtar i partisë së Fico (SMER-SD), Tibor Gašpar, që nuk e përjashtoi mundësinë e daljes së Sllovakisë nga Bashkimi Evropian.

“SMER nuk e ka si objektiv prioritar daljen nga BE apo NATO. Megjithatë, të dyja organizatat po ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe ne duhet të mbajmë të hapur mundësinë për të shqyrtuar edhe zgjidhje radikale nëse do jetë e nevojshme”- tha Gašpar në një intervistë për televizionin publik STVR.

Por këto deklarata shkaktuan reagime të forta politike. Partia Hlas-SD, partnere në koalicionin qeverisës, hodhi poshtë kategorikisht çdo lloj diskutimi mbi një lamtumirë të mundshme të vendit nga BE apo NATO. Ndërkohë, zyra e presidencës njoftoi se javën e ardhshme do të mbahet një takim me krerët e partive qeverisëse dhe opozitare për të diskutuar mbi orientimin gjeopolitik të Sllovakisë.

Takimi do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse Sllovakia do të ruajë pozicionin e saj të konsoliduar brenda BE-së dhe NATO-s, apo nëse tensionet e brendshme do të çojnë në një ndryshim në politikën e jashtme të vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar shpesh kryeministrin sllovak Robert Fico, duke e akuzuar atë se preferon Rusinë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë perëndimorë për furnizimin me energji. Nga ana e tij, Fico deklaroi se Sllovakia synon të vazhdojë blerjen e gazit rus, dhe i kërkoi Ukrainës të garantojë kalimin tranzit përmes territorit të saj.

Madje kryeministri sllovak, tha se do të bllokojë mbështetjen financiare të BE-së për Kievin, duke përsëritur qëndrimin e tij kritik ndaj Ukrainës. Ai e quajti “armik” presidentin ukrainas, duke e akuzuar atë për përdorimin e hipotezës së kalimit të gazit nga Azerbajxhani, si një pretekst për të shmangur hakmarrjen.

Që nga 1 janari, Ukraina e ka penguar transitin e gazit rus përmes tubacioneve sovjetike, pasi refuzoi të rinovojë marrëveshjen me Gazprom, e cila ka qenë në fuqi prej dekadash. Sllovakia, një vend shumë e varur nga gazi i lirë rus, është përpjekur për muaj të tërë që ta bindë Kievin të zgjasë marrëveshjen, duke paralajmëruar se mos-rinovimi i saj do të çonte në një rritje të çmimeve të energjisë si brenda vendit ashtu edhe në BE .

Ndërkohë Fico ka denoncuar një përpjekje të supozuar, të orkestruar për të destabilizuar qeverinë, duke akuzuar OJQ-të pranë opozitës për planifikimin e një lloj “Maidani sllovak” me mbështetjen e forcave të huaja. Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Fico citoi një raport nga Shërbimi Sekret Sllovak (SIS), që tregonte praninë e ekspertëve të huaj në Sllovaki të përfshirë në protestat në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Ai sugjeroi se financimi vjen nga Shtetet e Bashkuara. Por OJQ-të që organizojnë protestat kanë konfirmuar ekzistencën e një e-maili strategjik për demonstratat, të hartuar me ndihmën e ChatGPT, që përmend pushtimin pa dhunë të ndërtesave publike midis opsioneve të mundshme. Tibor Gašpar, ish-drejtues i policisë dhe sot nënkryetari i parlamentit i partisë së Ficos (SMER-SD), paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet ashtu si në vitin 2018, pas vrasjes së gazetarit Ján Kuciak. Sipas Ficos, një skenar i tillë mund të përfshijë përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, veçanërisht në rastin e pushtimit të ndërtesave qeveritare.

Nuk është sekret që shumë OJQ pro-perëndimore, subvencionohen direkt nga Departamenti i Shtetit dhe USAID. Në vitin 2022, qeveria e mëparshme pro-evropiane firmosi përmes Ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korçok, dhe administratores së USAID, Samantha Power, një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin zhvillimor midis Sllovakisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në Gjeorgji, roli i OJQ-ve ka qenë thelbësor në rrjedhën e protestave të vitit 2024. Sipas vlerësimeve të fundit, thuajse 90 për qind e OJQ-ve në Gjeorgji financohen nga jashtë. Pas humbjes së Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare (UNM), shoqëria civile dhe rrjeti i rreth 10.000 OJQ-ve janë bërë de fakto opozita kryesore në vend.

Që nga 15 prilli 2024, dhjetëra mijëra demonstrues kryesisht të rinj kanë paralizuar kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, për të protestuar kundër asaj që ata e quajnë distancim të qeverisë nga Bashkimi Evropian. Mbi 80 për qind e gjeorgjianëve mbështesin integrimin në BE, dhe projektligji që ndezi protestat u pa si një pengesë për këtë rrugë.

Ligji i kontestuar kërkon që OJQ-të dhe grupet e shoqërisë civile, që e marrin nga jashtë më shumë se 20 për qind të financimit të tyre, duhet të regjistrohen si “organizata që i shërbejnë një fuqie të huaj”. Pavarësisht presionit, parlamenti gjeorgjian e miratoi ligjin me 84 vota pro dhe 30 kundër më 14 maj, duke çuar në një përshkallëzim të protestave.

Presidentja e atëhershme e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, vendosi veton ndaj ligjit, por partia në pushtet ka shumicën për ta anashkaluar atë. Demonstratat janë zgjeruar, me thirrje gjithnjë e më të qarta për dorëheqjen e qeverisë, dhe me referenca për revolucionet popullore në Ukrainë dhe Gjeorgji në fillim të viteve 2000.

Në protesta kanë marrë pjesë edhe politikanë të huaj, përfshirë ministrat e jashtëm të vendeve baltike, dhe kryetarin e komitetit të punëve të jashtme të parlamentit gjerman. Në fund të vitit 2024, ish-futbollisti Mikheil Kavelashvili u betua si kreu i ri i shtetit, ndërsa mijëra demonstrues vazhdonin të protestonin për të 32-ën ditë radhazi kundër tij dhe qeverisë së partisë Ëndrra Gjeorgjiane.

Ish-presidentja Salomé Zourabichvili, mandati i së cilës skadoi dje, është larguar nga rezidenca presidenciale, por nuk njeh legjitimitetin e pasuesit të saj. Në fjalimin e tij inaugurues, Kavelashvili tha se synon të jetë “presidenti i të gjithëve, pavarësisht opinioneve mbi mua”, duke i bërë thirrje vendit të bashkohet rreth vlerave të përbashkëta.

Në fillim të këtij muaji, Gjeorgjia vendosi të dëbojë 25 shtetas të huaj të arrestuar gjatë protestave që shpërthyen më 28 nëntor 2024, pasi u pezulluan negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, protestat në Gjeorgji, Sllovaki dhe Serbi, po nxjerrin në pah jo vetëm ndarjet e thella të brendshme, por edhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të ndërhyrjes së huaj dhe të ashtuquajturës “shoqëri civile” në formësimin e ekuilibrave të pushtetit. Kjo ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e këtyre vendeve, të cilat mbeten ende pezull ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit./Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”

serbia sllovakia gjeorgjia protesta popullore

Lini një Përgjigje