TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Maj 2025, 12:40

Nga demokracia me rregulla, te sundimi me komandë: Shqipëria në epokën e pronarëve politikë!

Shkruar nga Afrim Krasniqi

Nga demokracia me rregulla, te sundimi me komandë: Shqipëria në

Është kohë kullash, betoni, populizmi, show dhe denigrimi ndaj mendjeve të lira dhe kritike. Partitë janë privatizuar, kanë pronarët e tyre.

Retrospektivë, 1991. Ka qenë njëherë e një kohë kur në partitë politike kishte debate, kishte zgjedhje, kishte konkurrencë. Duke ardhur nga PPSH, partitë e para vendosën rregulla statutore demokratike, - detyrim për zgjedhje çdo dy vjet, detyrim për mbledhje të rregullta, detyrim për program, kufizim mandatesh për drejtuesit për vetëm dy mandate, kryesia zgjidhej nga kongresi ashtu si kryetari (me legjitimitet të njëjtë), si dhe detyrim për CV kandidatësh, platforma dhe procedura të fshehta vendimmarrjeve. Gjen emra rastësor e që dështuan, por edhe emra nga elitat më të mira të kohës.

Në mars 1992 u zhvilluan zgjedhjet e para dhe të fundit demokratike. Ishte koha kur opozita krijoi koalicion të gjerë dhe frymë ndryshimi dhe qeveria pranoi koston e dështimit të sistemit që kishte ndërtuar/drejtuar. Ishin më shumë zgjedhje pro e kundër sistemit demokratik sesa zgjedhje pro e kundër PS-PD. Rezultati dihet. Pastaj nisi "politika". Demokratët kuptuan se pushteti shijon, krijon privilegje dhe ia vlen të mbahet, socialistët kuptuan se pa pushtet dhe në opozitë je thjesht numër në Shqipëri. Ndaj të parët dhe të dytët bënë gjithçka të rifitonin zgjedhjet / rikthehen në pushtet. 1996-1997 ishte produkt konsensual i këtij mentaliteti, pushtet me çdo kusht. Më pas u vijua, - pakti i heshtur çdo 8 vjet rotacion politik. Deri më 2021.

Interpretimet, pasojat, analizat, etj, kërkojnë netë të tëra dimri, por në mënyrë simbolike kjo foto është ilustrim sesi nisi dhe ku jemi. Sot partitë nuk kanë kryesi pune, as të zgjedhur, as konkurrencë, as debate, as programe, as llogaridhënie, as kongrese pune, as rregullore/statute demokratike, as transparencë, - pra në thelb, asnjë nga tiparet e vitit 1991, asnjë nga kushtet për të pasur parti politike. Nëse perifrazoj Musinenë, “sot është koha kur një kg tru ka më pak vlerë sesa një kg llaç”. Është kohë kullash, betoni, populizmi, show dhe denigrimi ndaj mendjeve të lira dhe kritike. Partitë janë privatizuar, kanë pronarët e tyre.

Ata që erdhën në politikë me misionin për të mos përsëritur Byronë, PPSh, diktatorin, pushtetin deri në fund, kultin e individit, dhe tashmë po bëjnë pikërisht këtë gjë. Individë që nuk pranojnë demokraci funksionale në familjet e tyre politike nuk mund të sjellin demokraci funksionale as për shtetin, qytetarët dhe shoqërinë. Është utopike dhe naive të mendosh ndryshe. Dhe natyrisht, ata e duan pushtetin për cilësinë që ka ai në një model hibrid të një shoqërie që refuzon dijen e mendjen dhe prodhon periodikisht turma, mite e idhuj, - për fuqinë ndikuese dhe privilegjet pa limit që burojnë prej aplikimit abuziv të tij. Për vetën dhe familjen, për miqtë e ndjekësit besnikë, për shërbëtorët dhe për turmat e sektit që përfaqësojnë. Të tjerët? Duhet të zgjedhin midis heshtjes, nënshtrimit apo emigrimit. Emigracion ka e gjithë bota, ka edhe filma për këtë, - është oferta e vetme e tyre. Kush refuzon ata dhe ofertat e tyre, janë e mbeten pakicë, “të huaj” në vendin e vet.

Kështu nisi!

Nga demokracia me rregulla, te sundimi me komandë: Shqipëria nëNga demokracia me rregulla, te sundimi me komandë: Shqipëria në

Lini një Përgjigje